Lajme

Asambleisti i VV-së: Sveçla u takua me biznesmenin Rrahman Haradini, pak para se atij t’i votohej shkëmbimi i pronave të Badovcit

Autori: Gazeta inFokus 18:05 | 11 December 2024

Një takim i asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, me biznesmenin Rrahman Haradini, i cili pretendohet se kishte interes që t’i shkëmbeheshin tre hektarë tokë pyjore në Badovc me dhjetë hektarë tokë ndërtimore në Prishtinën e Re, është bërë shkak që një pjesë e asambleistëve të Vetëvendosjes në kryeqytet të ndahen në dysh.

Asambleisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, Berat Lahu, i ftuar në emisionin “Infotalks” në Gazeta Infokus, ka dhënë detaje ekskluzive për këtë takim.

 

-Advertisement-

 

Ai ka thënë se Sveçla, pas këtij takimi, e keqpërdori emrin e kryeministrit Albin Kurti dhe u kërkoi asambleistëve të VV-së që të qëndrojnë në sallë kur të ndodhë votimi, në mënyrë që kjo pikë të kaloj.

“Ma vonë e kam kuptu që Gëzim Sveçla qysh para mbajtjes së mbledhjes e paska pas një takim me Rrahman Haradinin, Rrahën, i cili e ka pas interesin direkt në këtë çështje, ku ja jep komunës së Prishtinës rreth tre hektarë pyll në Badovc e ja merr dhjetë hektarë tokë ndërtimore në Prishtinën e re, ngjitur me Presidencën. Toka më e lakmuar për ndërtim. Vlera është si parafrazim i imi, në kuptimin e 50 milionëve, po mund të jetë shumë më shumë, e mbase pak ma pak, e kam kuptu që këtu ka një pasinqeritet tepër të madh, të cilin unë nuk mund ta mbaj në ndërgjegjen time”, ka theksuar Lahu.

Ai ka thënë se për këtë temë i ka kërkuar sqarim Gëzim Sveçlës në një takim të partisë.

“Për këtë kam kërku si sqarim nga ana e Gëzim Sveçlës, në një takim me të paktën 11 asambleistëve të tjerë, në një mbledhje të fundit me grupin që e kemi pas”, ka treguar Lahu.

Pas votimit që këto prona të shkëmbehen, në një seancë të jashtëzakonshme, pak muaj pas, asambleja komunale e Prishtinës e kishte anuluar vendimin. /Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera