Lajme

Guvernatori Ismaili takon ekspertët e lartë të misionit të FMN-së

Autori: Gazeta inFokus 14:43 | 03 December 2024

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili zhvilloi takim me ekspertët e angazhuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në përbërje të Valter Borges de Araujo Neto dhe Rita Tam, në kuadër të asistencës teknike të kërkuar nga BQK-ja për avancimin e metodologjisë dhe praktikave të mbikëqyrjes bankare.

BQK njofton se në kuadër të këtij Misioni, do të shqyrtohet procesi aktual mbikëqyrës dhe do të identifikohen fushat me rëndësi për të avancuar metodologjinë dhe procesin mbikëqyrës sipas praktikave mbikëqyrëse evropiane, duke avancuar modelin CAMELS drejt metodologjisë të Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), siç zbatohet nga Banka Qendrore Evropiane dhe Bankat Qendrore të Bashkimit Evropian.

“Si rezultat i kësaj asistence teknike, në bashkërendim me ekspertët ndërkombëtar të FMN-së, do të finalizohet udhërrëfyesi për avancimin e metodologjisë mbikëqyrëse SREP, rekomandohen plotësimet në manualin mbikëqyrës përfshirë ndryshimet eventuale rregullative, fazën testuese të zbatimit dhe zbatimin përfundimtar si proces gradual, krahas avancimit të kapaciteteve profesionale dhe teknike”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

-Advertisement-

Ky Mision është duke u zhvilluar në linjë rekomandimet e dakorduara me programin e FMN-së për Marrëveshjen Stand-By Arrangement (SBA) si dhe proceset rishikuese.

FMN vlerësoi përkushtimin e BQK-së për reformat institucionale, që përmes avancimeve të tilla përafrohet me standardet e Bashkimit Evropian, me qasje proaktive për të avancuar aspekte të mbikëqyrjes dhe stabilitetit financiar si dhe reformat tjera drejt harmonizimit me standardet dhe praktikat e zbatuara nga autoritetet rregullative dhe mbikëqyrëse të Bashkimit Evropian.

“BQK-ja mbetet e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha masave e parapara në Programin me FMN, në kuadër të aktiviteteve të reformuese në linjë me objektivat e saj dhe Planin 5-vjeçar Strategjik, ndërsa shprehet falënderuese ndaj FMN për mbështetjen e vazhdueshme”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera