Lajme

Selmanaj pas fjalëve të deputetes së LVV-së për Raportin e Progresit: Unë e kam lexu një raport tjetër, flet për centralizim të pushtetit

Autori: Gazeta inFokus 12:09 | 31 October 2024

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj foli për Raportin e sivjetmë të Progresit për vendin, ndërsa tha se po i dukej sikur kishte lexuar diçka tjetër kur po e dëgjonte deputeten e LVV-së, Fjolla Ujkani, të fliste për të njëjtin dokument.

“Kur e dëgjoja fjalimin e përfaqësueses së grupit më të madh politik në Kuvend të Kosovës për Raportin e Progresit, thashë mos e kanë ndryshu me inteligjencë artificiale, sepse unë e kam lexu një dokument tjetër”, tha ai.

Selmanaj tha se “të dhënat që janë aty janë më shumë se shqetësuese”.

-Advertisement-

“Dhe njëra nga ato që përmendet më së shumti dhe unë kam përshtypjen që në raportet e kaluara nuk ka qenë, është centralizim te pushteti ekzekutiv i pothuajse të gjitha temave dhe çështjeve. Po ashtu edhe te reforma në gjyqësor dhe çfarë është më e dëmshme, te cenimi i lirisë së shprehjes”, tha deputeti.

Ai citoi disa pjesë nga raporti, në mënyrë që, të kuptohet saktë, siç tha, se “ku jemi si shtet”.

“‘Niveli i lartë i vendimmarrjes të centralizuara në ekzekutiv, ka dobësuar përfshirjen demokratike dhe rolin e ministrive përkatëse duke kufizuar shumllojshmërinë e perspektivave politike në vendimet kyçe’”, citoi Selmanaj.

“Nëse e shtojmë këtë, se Departamenti amerikan i Shtetit fliste për kërcënim serioz në Qeveri, ndërkohë që Komisioni Evropian flet për centralizim të pushtetit, atëherë kjo përkthehet që Kosova të vetmen rrugë që e ka zgjedhë me këtë Qeveri është izolimi, autoritarizmi dhe përpjekja për fundin e demokracisë. Por kjo normalisht që nuk do të lejohet. Jemi të bindur që kjo nuk do të ndodhë dhe kjo logjikë qeverisëse, e tillë siç ka qenë këto 4 vite, do të merr fund më 9 shkurt”, tha deputeti i LDK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera