Lajme

Uji i Badovcit ende jashtë përdorimit, qytetarët kërkojnë më shumë pika të furnizimit

Autori: Gazeta inFokus 23:37 | 14 October 2024

Sikurse vitin e kaluar, niveli i manganit në liqenin e Badovcit ka pësuar rritje e jo më ndryshe sesa herët paraprake, furnizimi me ujë për qytetarët është më problematik.

Nezir Vrajolli po detyrohet të blejë bidon për tërë familjen e kjo ngase pika me furnizim, është shumë larg banimit të tij.

Blerja atij po i kushton shumë.

-Advertisement-

“Kam dëgjuar por s’kam nevojë të dëgjojë sepse ne jemi në fund atje. Uji ka zallë, ka gjithçka, erë të padurueshme. Ne e kemi larg përtej përroit, cisterna po vjen këndej dhe ne me transportu prej këtu atje, nuk po mundemi. E shoh të arsyeshme të na e sjellin edhe atje, jemi disa shtëpi. Po bëhet shtrenjtë me ble se me pension, t’kishte qenë i mirë pensione bile”, deklaroi për TV Dukagjinin Nezir Vrajolli.

E të tjerë, furnizimin me ujë po e bëjnë në fshatrat e tyre.

“Vjen cisterna me ujë për një kohë të caktuar. Unë dhe familja ime e kemi larg për me bajt bidonat, jam në moshë e kështu po e blej tek shitoret afër. E marr edhe në fshat, shfrytëzojmë burimin. Po ja dalim por është rëndë për ata që janë ngushtë me të ardhurat familjare”, deklaroi banori Fetah Berisha.

Disa autobot janë angazhuar për të bërë furnizim me ujë të pijshëm për qytetarët, në pjesë të ndryshme të qytetit e në kohë të caktuara.

E në disa pika, ato edhe nuk po shfrytëzohen.

Autoboti 10 mijë litërsh ka arritur në pikën e Matiqanit për të furnizuar qytetarët me ujë të pijshëm. Këtu pati pak interesim.

I njëjti nuk u shfrytëzua në rrugën C.

E megjithatë, KRU Prishtina thotë se kapacitetet e saj janë të mjaftueshme.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse në K.R.U “Prishtina” tha se “Procesi i furnizimit me ujë për pije dhe përgatitje të ushqimit po shkon shumë mirë”.

“Në disa zona ka kërkesa më të mëdha e në disa deri diku. Uji i autobotëve është 100% ujë për pije. Po, ky furnizim është i mjaftueshëm ngase e kanë vetëm për pije dhe ushqim, pjesën e pastrimit të shtëpisë, rrobave dhe për të bërë dush e kanë, sepse mangani nuk ndikon në lëkurë aspak. Ujësjellësi i mbulon me ujë këto zona”, vijoi ajo.

Ndonëse niveli i manganit ka rënë, IKSHP vlerëson se uji nuk është akoma i përshtatshëm për pije e as për gatim

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka vazhduar monitortimin e ujit për pije të Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” që vjen nga Liqeni i Badovcit. Gjatë analizave të kryera gjatë ditëve të fundit, vërehen ulje e vlerave të Manganit, por megjithatë, këto vlera ende janë mbi vlerat e lejuara sipas Udhëzimit Administrativ Ne: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”. IKSHPK thekson se ndotja e ujit me Mangan është ndotje kimike dhe se me vlimin e ujit, Mangani nuk eliminohet, siç duhet të veprohet te rastet me ndotje bakteriologjike të ujit. Prandaj, për momentin është i pa përdorshëm për pije”.

Mangani është njëra ndër lëndë ushqyese thelbësore e cila kontribuon funksione trupore e megjithatë, sasia e tepërt e tij është e dëmshme për organizimin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera