Lajme

Hoti: Qeveria ia ka dhënë të mbrapshtën Kosovës, eksperimentet e Kurtit e Osmanit na kanë kushtuar

Autori: Gazeta inFokus 08:36 | 19 September 2024

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, ia ka dhënë të “mbrapshtën” vendit me këtë qasje ndaj partnerëve ndërkombëtar.

Hoti ka thënë për Ekonomia Online se Kosova ka më shumë se një vit që është nën masa nga Bashkimi Evropian, ndërsa shqetësuese e sheh prezencën e KFOR-it mbi urën e Lumit Ibër.

“Sot sovraniteti në Veri nuk shtrihet përmes FSK-së, jam i shqetësuar kur shoh që çdo ditë të vetme e sheh ministrin e Brendshëm duke u krekosur në Veri, kjo nuk është shtrirje e sovranitetit, do e kisha kuptuar nëse do të kishim ndërtuar rrugë, shkolla, ura e objekte të ndryshme në atë pjesë të vendit”, ka thënë Hoti.

-Advertisement-

“Vlerësimi im politik është që na ka dhënë të mbrapshtën me këtë qasje, në një situatë që këta e kanë marrë mandatin me partneritetin ndërkombëtar shumë të ngushta me një proces të dialogut të strukturuar për njohje reciproke me marrëveshje të Uashingtonit të nënshkruar me plane vjetore për integrim euroatlantik përmes planit kombëtarë për zbatim të MSA-së në bashkëpunime të ngushta me Shqipërinë më së pari dhe me aleatë kryesor sot jemi në situatën e bashkëpunimit të Kosovës me aleatët është në pikën më të ulët. Sot Kosova ka më shumë se një vit që është në masa nga Bashkimi Evropian, sot ajo që më shqetëson mua është formalizmi i prezencës të përhershme të KFOR-it në urën e Ibrit, ka qenë qasje e qeverive të kaluara edhe në Qeverinë kur kam qenë vet, që në bashkëpunim me aleatët hap pas hapi të shtrijmë sovranitetin e vendit në Veri në bashkëpunim me vendet e QUINT-it, me aleatët që janë garantues të sigurisë në Kosovë, në mënyrë që të krijojmë situatë në terren të pakthyeshme prapa”, shtuar ai.

Hoti ka theksuar se siguria në veri shtrihen duke ndërtuar partneritet të ngushta me aleatët tanë ndërkombëtarë duke zhvilluar dialogun më ta duke kryer veprime në Veri të koordinuar me aleatët, jo me Serbinë, transmeton Klankosova.tv.

“Nuk ndihem mirë dhe nuk është shenjë e mirë nuk tregon për integrimin e atij vendit kur e shoh kryeministrin të rrethuar me polici duke vendosur gur themele në stacioneve policore, ato janë objekte shumë të nevojshme por ato duhet të vendosen bashkërisht duke ndërtuar një komunikim me komunitetin vendor edhe duke ftuar edhe komunitetin vendor në gjitha ngjarjet e tilla. Unë e kam parë gjithmonë një qasje besoj shumë të qartë sa i përket Veriut, dialogut dhe sigurisë atje, e kam pasur të qartë që dialogu edhe komunikimi, siguria në Veri shtrihen duke ndërtuar partneritet të ngushta me aleatët tanë ndërkombëtarë duke zhvilluar dialogun më ta duke kryer veprime në Veri të koordinuar me aleatët, jo me Serbinë, asnjëherë nuk kemi bërë ne dialog qeveritë e kaluara, asnjëherë nuk kemi dialogu me Serbinë, gjithmonë jemi dakorduar me partnerët tanë ndërkombëtar për ndërmarrjen e masave të caktuara, kjo mua më shqetëson. Më shqetëson mungesa e koordinimit, mbështetjes nga ana e aleatëve për veprimin që e merr shteti i Kosovës”, ka theksuar Hoti.

Po ashtu ai shprehet shqetësim edhe për qasjen e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, sipas tij, ditë pas dite i sheh të mbushur me kacafytje me njëri tjetrin për çështje triviale.

“Jam i shqetësuar me qasjen e kryeministrit dhe presidentes karshi këtyre zhvillimeve, në vend që ata të flasin për zhvillim dhe për aleancë dhe partneritet, ditë pas dite i sheh të mbushur me kacafytje me njëri tjetrin për çështje triviale për qytetarët e Kosovës. Nuk ka dyshim që janë rrezikuar aleancat, ajo që është shqetësuese është rritja e rolit të KFOR-it në veri të vendit. Jemi munduar me vite të tëra të krijojmë një situatë kur Kosova nuk është vend me sfida të sigurisë, por është vend me sfida zhvillimore, të integrimit euroatlantike. Këta mashtrues e kanë kthyer situatën mbrapa dhe e kanë kthyer Kosovën në një vend që ka sfida të sigurisë sa i përket qasjes që kanë aleatë tanë ndaj nesh”, u shpreh ai.

Sipas Hotit, gabimi i madh është bërë në fillim të mandatit të kësaj Qeverie është heqja dorë nga dialogu për njohje duke krijuar situata ku i shtyn aleatët të mos mbështesin më dialogun për njohje.

“Gabimi i madh që është bërë në fillim të mandatit të kësaj Qeverie është heqja dorë nga dialogu për njohje duke ngrit teza të kota triviale, duke krijuar situata ku i shtyn aleatët të mos mbështesin më dialogun për njohje por të kërkohet nga Kosova të kryen aranzhimet të tjera siç ishte marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Sikur ne të qëndronim në kornizën e atij dialogu sa do të zgjaste ai dialog, ajo formë e dialogut e kishte mbështetjen e aleatëve, besoj që aty duhet të kthehemi prapë, tek dialogu për njohje reciproke sepse si qasje të tillë ka pasur mbështetje, kemi pasur disa letra të presidentëve amerikan edhe këtij ekzistues edhe atij paraprak dhe liderëve kryesor të BE-së, ky e ftojnë Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog për njohje, sot kemi rezultate krejt tjetër, ku i dëgjojmë deklarimet, edhe të administratës amerikane edhe të liderëve kryesor Evropian në kërkesën ndaj Kosovës për formim të asociacionit. Nga dialogu për njohje, kërkesa për përmbyllje për njohje nga kërkesa për formim të dialogut dhe asgjë tjetër, ky është degradimi që ka ndodhur Kosovës në këto vite”, potencoi ish-kryeministri.

Ish-kryeministri ka thënë se qytetarët duhet të shohin situatën e “degraduar” , duke shtuar se besimi i qytetarëve të dhënë kësaj mazhurace është tradhtuar dhe janë mashtruar.

“Prandaj qytetarët duhet të shohin situatën degradimin që ka ndodhur sepse besimin që qytetarët ua kanë dhënë kësaj mazhurance është tradhtuar, janë mashtruar. Besoj që duhet menduar me kujdes në zgjedhjet e ardhshme që vendi të ketë një Qeveri të përgjegjshme, një qeveri që e ka të qartë se nga duhet të shkojë Kosova, për të riorganizuar komplet qasjen tonë në dialog për të vendosur aleanca me miqtë tanë, për të rritur integrimin e përgjithshëm të Kosovës. Nuk është çështje e garancive nga aleatët sikur këta që qeverisin tash do të respektonin kornizën e dialogut të qeverisë së kaluar dhe të respektonin edhe marrëveshjet paraprake, nuk do të kishte asnjë rrezik për vendin”, ka thënë deputeti.

Deputeti i LDK-së, ka folur edhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se eksperimentet e Kurtit dhe Osmanit me shtetin e Kosovës, na kanë kushtuar.

“Asociacioni me shumicë serbe buron nga pakoja e Atihsarit, marrëveshje e 2013 e ratifikuar në Kuvend dhe më tej është kornizuar në vitin 2015 me marrëveshjen e parimeve kur bëhet e qartë që drafti i statutit të Asociacionit shkon në Gjykatën Kushtetuese përpara se të hyjë në fuqi. Nuk ka pasur asnjë rrezik në atë drejtim, por eksperimentet e Kurtit dhe Osmanit me shtetin e Kosovës, janë duke na kushtuar. Praktikisht tani jemi vendosur në një trajektore krejt tjetër të integrimeve euroatlantike, tani jemi të kurthuar me marrëveshjen e Ohrit, e cila praktikisht është vendosur si kriter në komente formale, zyrtare sa i përket integrimit të Kosovës në BE”, ka thënë ai.

“Dialog nuk ka, është e qartë që nuk ka, ka takime ka pasur dhe pritet që mund të ketë takime të tjera për të menaxhuar situata të caktuara në terren. Nuk më bënë përshtypje se çfarë thotë Serbia, por më bënë shumë përshtypje se çfarë thonë ShBA-të, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, vendet kyçe të BE-së dhe vendet e QUINT-it. Sa i përket qasjes që ka Qeveria e Kosovës për proces dialogun dhe komplet për çështjen e sigurisë në Kosovë”, përfundoi Hoti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera