Lajme

Mblidhen SBASHK dhe Këshilli i Prindërve, paralajmrohen veprime sindikale nga mesi i shtatorit

Autori: Gazeta inFokus 16:34 | 28 August 2024

Përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës vizituan të mërkurën Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), për të diskutuar gjendjen aktuale në arsim dhe mundësitë për zgjidhjen e kërkesave të anëtarësisë pa ndërmarrjen e veprimeve sindikale.

Në një njoftim për media, SBASHK bëri të ditur se në takim ishin të pranishëm kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nënkryetarja Vjollca Shala dhe koordinatori për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri, të cilët informuan Këshillin e Prindërve të Kosovës mbi sfidat me të cilat po përballet arsimi në vend.

“Kemi shqetësime të thella për qasjen e gabuar të Qeverisë ndaj sindikatave dhe ndaj dialogut, i cili po mungon dhe kjo ka krijuar pakënaqësi në radhët e anëtarësisë,” thanë përfaqësuesit e SBASHK-ut gjatë takimit, duke shtuar se janë shtuar zërat për veprime sindikale nëse nuk gjendet një zgjidhje për kërkesat legjitime të mësimdhënësve.

-Advertisement-

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, përfshirë kryetarin Besnik Dragusha, nënkryetarin Visar Islami dhe sekretarin Enver Balaj, shprehën mirëkuptim për shqetësimet e SBASHK-ut, por theksuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut për të shmangur grevat.

“E kuptojmë situatën, por kërkojmë që të shtohen angazhimet për dialog në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e drejtë pa nevojën për veprime sindikale,” thuhet në njoftim.

SBASHK-u njoftoi se do të vazhdojë përpjekjet për dialog me institucionet, por nuk përjashtoi mundësinë e veprimeve sindikale nga mesi i shtatorit nëse dialogu nuk jep rezultatet e pritshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera