Lajme

Milanoviq tha se Kosova e humbi mbështetjen ndërkombëtare, Andoni: S’po funksionon me SHBA-në, aleatët janë lodhur

Autori: Gazeta inFokus 18:53 | 06 August 2024

Zoran Milanoviq i ka vënë re problemet e Kosovës me aleatët e saj perëndimorë. Presidenti kroat e tha edhe para homologes së saj kosovare, Vjosa Osmani se vendi i saj e ka humbur mbështetjen e aleatëve. Duke e komentuar këtë deklaratë, publicisti Ben Andoni e përmend mosfunksionimin me SHBA-në si problemin kryesor. Sipas tij, aleatët “janë të lodhur” dhe se tash konsiderojnë se mbështetja për Kosovën nuk po prodhon asgjë.

Kosova e ka humbur mbështetjen e aleatëve, tha të dielën presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, i cili e priti presidenten Vjosa Osmani në Sinj, në manifestimin tradicional “Sinjska Alka”.

Milanoviq e quajti Kosovën vend mik dhe në prani të Osmanit tha se shteti i ri ballkanik e ka humbur mbështetjen ndërkombëtare që e pati dikur.

-Advertisement-

Ndryshe nga Kroacia, që tha se e nisi më vështirë, Milanoviq tha se Kosova e nisi rrugën e shtetndërtimit “me një mbështetje të madhe”.

“Ne filluam vështirë, na mbronin pak njerëz të mirë dhe në fillim nuk kishim ndihmë. Të gjithë ata aleatë dhe miq qëndronin duarkryq. Kosova filloi ndryshe, me një mbështetje të madhe që ndërkohë humbi dhe u zhduk. Dhe tani janë lënë në mëshirën e vet. Pesë anëtare të BE-së dhe NATO-s nuk e kanë njohur. Prandaj ajo (Osmani), është sot këtu mysafirja ime dhe prandaj kjo është, përveç festimeve dhe ditëve tona të krenarisë dhe lavdisë, edhe një homazh dhe njohje për shtetin tonë mik”, tha Milanoviq.

Publicisti Ben Andoni thotë se “nuk është e vërtetë se Kroacia e ka nisur rrugën e vet e pambështetur”. “Sikur vetëm elementin fetar të kujtosh dhe do e kuptosh se Europa ka qenë shumë e ndjeshme për kroatët”.

Por, ai në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, tha se në deklaratën e Milanoviqit “ka një të vërtetë për Kosovën”.

“Serbia e futi në një kurth të pareshtur Prishtinën zyrtare ndër vitet pas pavarësisë, fillimisht duke relativizuar vendimin e Gjykatës së Hagës për drejtësinë e Pavarësisë dhe pastaj nënvleftësimin e temave të dialogut dhe zgjatjes të temave të diskutimit, duke fajësuar vetëm Kosovën”, tha ai.

Andoni përmend mosfunksionimin me SHBA-në si problemin kryesor, gjë që, sipas tij i ka bërë ndërkombëtarët të pandjeshëm edhe për ngjarjet si sulmi i paramilitarëve serbë në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

“Për fat të keq, disa herë Kosova nuk funksionoi me SHBA-në, aleatin e saj më të sigurt. Aleatët janë të lodhur për këtë hulli, ku e ka futur Serbia dialogun dhe kokëfortësinë e Prishtinës dhe sidomos nga e ardhmja e pasigurt, ku në horizont po duken re lufte. Ndaj ata janë të pandjeshëm për ngjarjet e Banjskës dhe sidomos për masat shtrënguese ndaj Kosovës. Më shumë u intereson fundi i luftës në Ukrainë sesa futja në një qerthull, që e konsiderojnë tashmë mbështetjen e Kosovës, e cila nuk prodhon asgjë”, tha ai.

Tashmë, sipas tij “e gjithë barra është mbi shqiptarët”. Tash, ai thotë se është koha “kur Kosova e Shqipëria të funksionojnë në ndihmë të njëra-tjetrës, sidomos Tirana zyrtare”.

Osmani, e cila e dëgjoi nga afër atë deklaratë të Milanoviqit, nuk e fsheh më fundin e marrëdhënieve të mira me kryeministrin Albin Kurti, i cili para një jave nuk i shkoi në një takim, në të cilin ajo i kishte ftuar kryetarët e të gjitha partive që të diskutonin për zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Pas takimit, presidentja tha se s’kishte shumë kohë që të fliste në hollësi për dallimet me kryeministrit, por nënkuptoi se ato qëndrojnë kryesisht te “bashkëpunimi me aleatët”.

“Qëllimi im si presidente e Republikës është që të përkrah çdo veprim të institucioneve tjera të Kosovës, të cilat janë në mbrojtje të kushtetutshmërisë, në mbrojtje të sovranitetit, në mbrojtje të integritetit territorial dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Të gjitha këto mund të bëhen duke u respektuar Kushtetuta dhe njëkohësisht duke u respektuar kontributi i aleatëve tanë të sigurisë. Njëra nuk ka nevojë ta përjashtojë tjetrën”, tha Osmani.

Ish i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar kishte treguar publikisht se në Washington kanë “problem komunikimi me kryeministrin”. Thoshte se “ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara”.

Escobar, në mars të këtij viti e ‘shpalli’ Osmanin garantuese të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Presidente Osmani, ju jeni garantuesja kryesore e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet SHBA-së dhe Republikës së Kosovës”, deklaroi diplomati amerikan në një konferencë të përbashkët më 21 mars, kur po qëndronte në Prishtinë në një përpjekje për t’u dakorduar me Kurtin për çështjen e heqjes së dinarit serb nga përdorimi si mjet pagese në vend.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera