Lajme

Kurti: Kosovës t’i hiqen masat, uroj që vendet anëtare të BE-së ta dëgjojnë Borrellin se e kanë shef

Autori: Gazeta inFokus 15:58 | 25 June 2024

Kryeministri Albin Kurti tha se shpreson dhe uron që vendet anëtare të Bashkimit Europian ta dëgjojnë shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe t’ia heqin Kosovës masat ndëshkuese.

Kurti tha se qëndrimin e Borrell, i cili rekomandoi që Kosovës t’i hiqen masat, “duhet ta ndjekin të gjitha shtetet anëtare”.

“Besoj që qëndrimin e qartë, të cilin duhet ta ndjekin të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, e ka dhënë zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili ka thënë që edhe ato arsye dikur të konsideruara për masa ndaj Kosovës, nuk ekzistojnë më. Është parë që ka ndodh deeskalimi në verën e vitit 2023, ka ndodhur rieskalimi për shkak të sulmit paramilitar terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe gjithashtu, duhet theksuar që Kosova e ka bërë udhëzimin administrativ, që ka mundësuar mbledhjen e peticionit në veri ku katër komunat i kanë mbledhur 20% të trupit elektoral si nënshkrime, mirëpo më pastaj, më 23 prill ata bojkotuan zgjedhjet që ne i ofruam për ta ndërprerë mandatin e 4 kryetarëve në veri”, tha Kurti.

-Advertisement-

Ai tha para gazetarëve se Kosova e ka kryer punën e saj.

“Nga ana e Kosovës gjithçka është kryer, zbatuar për normalizim, për deeskalim prandaj e keni atë sugjerim të zëvendëspresidentit Josep Borrell, të cilin unë shpresoj e uroj që vendet anëtare, të cilat në njëfarë mënyre e kanë shef të politikës së përbashkët të Bashkimit Evropian të sigurisë dhe asaj të jashtme ta dëgjojnë dhe ta respektojnë me sinqeritetin e seriozitetin më të lartë”, tha Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera