Lajme

Prokurori De Minicis për Pjetër Shalën: Meriton dënim të rëndë

Autori: Gazeta inFokus 12:59 | 15 April 2024

Gjatë deklarimit të tij përmbyllës, prokurori Filippo De Minicis i cili përfaqëson ZPS-në tha se Pjetër Shala meriton dënim të rëndë duke specifikuar se karakteri i tij nuk ka ndryshuar që nga koha kur pretendohet se ka kryer krime lufte në fabrikën e Metalit në Kukës.

Filippo De Minicis tha se dënimi që kërkon ZPS-ja vjen si rezultat i një shqyrtimi të kujdesshëm të gjithë faktorëve përkatës e në veçanti sjelljes së të akuzuarit dhe veprimeve të tij.

“Kontributi që ka dhënë ai në këto krime ka qenë i konsiderueshëm. Ai ka ushtruar një dhunë të frikshme kundrejt viktimave të terrorizuara. Të rrahesh persona që nuk mund të mbrohen nuk është luftë, është një akt frikacak i pajustifikueshëm dhune. I akuzuari nuk bëri asgjë për të iu lehtësuar dhimbjet. Më së paku, do të ishte larguar teksa ndodhnin këto mizori, por ai nuk e bëri. Ai rrahu njërin pas tjetrit dhe koha nuk e ka ndryshuar karakterin e tij. Për të gjitha këto arsye, ai meriton dënim të rëndë”, tha prokurori Filippo De Minicis.

-Advertisement-

Po ashtu, prokurori De Minicis tha se dëshmitarët e mbrojtjes kanë gënjyer ndërsa deklaratat e viktimave ishin të vërteta.

“Dëshmitarët e mbrojtjes pretendojnë se nuk e kanë parë asnjëherë Pjetër Shalën në fabrikën e Metalit në Kukës dhe madje nuk e dinin se kush ishte, por këta janë të njëjtit dëshmitar që thonë që nuk e kanë parë asnjëherë objektin e ndalimit në mes të Fabrikës së Metalit të Kukësit. Një ndërtesë para se cilës kalonin me muaj të tjerë gjatë kohës që shërbenin për UÇK-në që është e pamundur të mos e shohësh. Ata nuk e panë asnjëherë këtë ndërtesë dhe nuk e panë asnjëherë të akuzuarin. Dëshmia që keni dëgjuar ju i nderuar gjykatës është e thjeshtë; këta dëshmitar nuk e tregonin të vërtetën, por viktimat nuk gënjenin. Historitë e tyre përputheshin dhe konfirmohen nga deklaratat e vetë të akuzuarit”, tha ai.

Tutje, fjalën e mori prokurorja Eva Wyler për të përshkruar vendin ku pretendohet se kanë ndodhur krimet dhe ambientet e fabrikës së Metalit në Kukës.

Wyler tha se krimet e përmendura në aktakuzë kanë ndodhur të gjitha në Kukës përkatësisht në një fabrikë të vjetër të metalit e cila përdorej si shtab lokal i UÇK-së.

Sipas saj, disa pjesëtar të UÇK-së duke përfshirë edhe të akuzuarin i kanë përdorë disa ambiente të fabrikës së Metalit për kryerjen e krimeve kundër të paktëve 18 viktimave.

“Askush prej këtyre viktimave nuk ka marrë pjesë në mënyrë aktive në luftime atë kohë kur janë arrestuar, kur janë ndaluar apo kur janë keqtrajtuar ose në një rast prej të ndaluarve kur ai është vrarë. Asnjë prej tyre nuk përbente asnjë lloj kërcënimi ushtarak për UÇK-në. Në çdo rast kur kanë qenë në ruajtje të personave që i kanë kapur ata, ata të gjithë kanë pasur të drejtë që të gëzojnë mbrojtjen që iu ofron neni 3 i konventave së Gjenevës”, tha prokurorja Wyler.

Ajo tha se për ndalimin e tyre viktimave nuk iu është dhënë asnjë lloj arsye përveç akuzave të përgjithshme për tradhti dhe spiunazh.

“Viktimat janë arrestuar, janë marrë dhe janë dërguar në fabrikën e metaleve ku edhe janë ndaluar. Disa prej tyre janë mbajtur disa ditë ndërkohë që të tjerët janë mbajtur për me tepër se sa një muaj. Nuk iu është dhënë atyre asnjë lloj arsyeje për arrestimin e tyre përveç se disa akuzave të përgjithshme të pabazuara që ishin tradhtar, bashkëpunëtor apo spiun”, tha prokurorja duke shtuar se dëshmitarët e kanë përshkruar njërën nga ndërtesat ku janë kryer krimet si ‘zemra e shtabit’”, tha prokurorja Wyler.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera