Petritsch: Marrëveshja Kurti – Vuçiq ka validitet ndërkombëtar
Autori: Gazeta inFokus 07:18 | 08 April 2024
Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, kanë validitet ndërkombëtar, sepse fjala e dhënë e një presidenti apo e një kryeministri para ndërmjetësve ndërkombëtarë, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi. Kështu thotë në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, diplomati austriak Wolfgang Petritsch, ish përfaqësues i BE-së në bisedimet në Rambuje. Për Marrëveshjen e Rambujesë të vitit 1999, ai thotë se ka një vlerë historike, sepse i hapi rrugë ndëryrjes ushtarake të NATO-s. “Kosova tani është 100 për qind në agjendat e politikave të përbashkëta të sigurisë të BE-së dhe Vuçiq e di se çdo veprim ushtarak kundër Kosovës, do të mobilizonte NATO-n për kundërpërgjigje”, thekson Petritsch.
Radio Kosova: Zoti Petritsch, para 25 vitesh keni qenë përfaqësues i Bashkimit Evropian në bisedimet e zhvilluara në Rambuje ku ishte arritur marrëveshja e Rambujesë. Si vlerësoni sot, 25 vite më pas rëndësinë historike të kësaj Marrëveshje?
Wolfgang Petritsch: Do të thosha se kjo marrëveshje ka një rëndësi të vërtetë historike. Në radhë të parë për Kosovën, sepse ky ishte hapi i parë i njohjes së saj ndërkombëtare dhe hapi parë i fillimit të shkëputjes nga Beogradi. Siç e dini, në Rambuje, fillimisht kemi negociuar rikthimin e një autonomie të lartë të Kosovës.
Por, në paragrafët e fundit të marrëveshjes patëm gjetur një formulë shumë të komplikuar, ku kishim përcaktuar për më vonë mbajtjen e një konference ndërkombëtare, ku do të merrnin pjesë të gjitha palët: Kosova, Serbia, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, pra përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe Rusinë, për të diskutuar statusin përfundimtar të Kosovës dhe fatin e saj për të ardhmen.
Në marrëveshje, kishim përcaktuar, që pas tre vitesh të respektohej vullneti i popullit të Kosovës përmes organizimit të një referendumi në një anë, dhe në anën tjetër, të merreshin në konsideratë parimet e OSBE-së.
Kjo ka qenë pika më e rëndësishme të cilës i përmbahemi edhe sot e 25 vjet më pas, sepse në sfond marrëveshja kishte qëllim heqjen e sovranitet të Serbisë mbi Kosovën. Këtë temë e kemi diskutuar atëherë dhe nisur nga kjo, Rambuje ia hapi rrugën drejt së ardhmes Kosovës.
Çështja e dytë: Marrëveshja e Rambujesë i hapi rrugën ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare, që u bë pa mandatin e OKB-së, sepse ekzistonte rreziku i dëbimit masiv të popullatës së Kosovë, që ne e kemi cilësuar si pastrim etnik ashtu siç e njohim nga rasti i Bosnjës, e që donim ta parandalonim.
Për fat të keq, nuk patëm sukses, pasi siç e dini, me fillimin e ndërhyrjes ushtarake, forcat e ushtrisë jugosllave dëbuan qindra mijëra shqiptarë të Kosovës, të cilët u detyruan të largohen në vendet fqinje. Për fat të mirë, pas përfundimit të luftës, në praninë e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi i menjëhershëm i këtyre refugjatëve të larguar me dhunë nga Kosova.
Kjo do të thotë se për dallim nga rastet tjera, ku ka pasur konflikte dhe ndërhyre ushtarake, u mundësua kthimi i shpejt i refugjatëve dhe siç e dimë, kthimi i refugjatëve në Kosovë nuk është temë sot. Pra, duhet të jemi të lumtur për këtë, pasi kështu nuk ka ndodhur në shumë vende, p.sh., siç është rasti sot me Palestinën. Siç e dini në Palestinë edhe sot, ashtu si para 50-60, apo 70 vitesh, ende kemi kampe të refugjatëve palestinezë në rajonin e Lindjes së Mesme si në Jordani, Egjipt, etj.
Pra, ndërhyrja ushtarake ndërkombëtare në Kosovë i dha fund një konflikti dhe mundësoi kthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre, pasi kjo çështje bartte me vete rrezikun të mbetej një konflikt i hapur pambarim.
Ndërhyrja ushtarake shmangu rrezikun që shqiptarët e dëbuar nga Kosova, të vazhdonin të jetonin për vite të tëra në kampe refugjatësh jashtë Kosovës. Kjo është një e arritur shumë e madhe, por në anën tjetër kjo ndërhyrje më vonë u përdor nga Putini për të marrë Krimenë, duke thënë se “nëse amerikanët e bënë këtë në rastin e Kosovës, mund ta bëjmë edhe ne”.
Natyrisht, ky nuk është një krahasim korrekt, por është përdorim politik i një situate, që nuk ka krahasim, pasi nuk mund të krahasohet rasti i Kosovës me atë të Krimesë. Politikisht, kjo u shfrytëzua nga Putini.
Më vonë me iniciativën e Kanadasë, u krijua një grup ndërkombëtar shkencor dhe politikë me ekspertë eminetë, që zhvilloi teorinë e parimit të së drejtës dhe përgjegjësisë për mbrojtje nga shkeljet masive dhe të rënda, të të drejtave të njeriut nga një shtet.
Pra, i ashtuquajturi parimi “The Responsibility to Protect”, apo “Përgjegjësia për të mbrojtur” që është një angazhim politik global, i cili u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Samitin Botëror të vitit 2005, adreson shqetësimet kryesore për parandalimin e gjenocidit, krimeve të luftës, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit. Kjo rregull u keqpërdor më vonë nga Rusia, siç përmenda.
Sidoqoftë, ndërhyrja preventive ushtarake ndërkombëtare e perëndimit, krijoi kushte të favorshme për njerëzit e Kosovës për të cilat folëm dhe tani Kosova është në rrugë të mbarë për të arritur një marrëveshje të përhershme dhe përfundimtare normalizimi me Serbinë. Se kur do të ndodhë kjo, nuk e dimë, por unë mendoj se baza solide për këtë Kosovë që është sot, është vendosur me Marrëveshjen e Rambujesë.
Radio Kosova: Zoti Petritsch, 9 vite më vonë, në fillim të vitit 2008, shpalli pavarësinë, që tashmë njihet nga 117 shtete, mes tyre edhe nga 22 shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Për fat të keq, kemi edhe pesë shtete të BE-së, që ende nuk e njohin Kosovën. Si e shpjegoni këtë?
Wolfgang Petritsch: Po, është për keqardhje që nuk ka një qëndrim të njësuar të BE-së. Por, ka një dallim! Të gjitha këto pesë shtete nuk është se duan ta dëmtojnë Kosovën, por këtë e bëjnë duke u nisur nga arsye të brendshme politike. P.sh., Qipro është një shtet i ndarë, si të them që ka një shtet të vogël turk, që nuk njihet nga askush.
Ne e dimë se në Spanjë ka tendenca që një territor i madh siç është Katalonia, të ndahet nga Spanja.
Sllovakia, gjithashtu ka një minoritet hungarez dhe ka frikë se edhe ata mund të ndahen nga Sllovakia dhe t’i bashkohen Hungarisë. Pra, janë arsye të brendshme politike, por që nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën.
Po ju them se nëse do të shënohet një përparim në dialogun, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, atëherë këto pesë shtete mos-njohëse, do ta ndryshojnë qëndrimin dhe do ta njohin Kosovën.
Kjo është plotësisht e qartë dhe e them, sepse vetë kam folur personalisht me përfaqësuesit e gjithë këtyre pesë shteteve. Dhe më kanë thënë se sa po të shënohet përparim në bisedimet që po zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë, janë të gatshëm të njohin pavarësinë e Kosovës. Në parim problem është Rusia, kurse këto pesë vende të BE-së, do të veprojnë në mënyrë pragmatike sa po të shënohet një përparim përkatës në bisedime.
Radio Kosova: Para një viti Kosova dhe Serbia arritën në Bruksel një marrëveshje dhe më pas në Ohër u pajtuan për hollësitë e zbatimit të marrëveshjes, por kjo marrëveshje ende nuk po zbatohet. Ju personalisht, pritni përparim në zbatimin e marrëveshjes, apo më shumë jeni skeptik?
Wolfgang Petritsch: Si të them, si një njohës i situatave në Ballkan dhe Evropë, më shumë jam skeptik. Për shembull, ju i dini vështirësitë që Bullgaria po ia nxjerr Maqedonisë së Veriut, duke e bllokuar fillimin e negociatave për anëtarësim, me kushtëzimin e njohjes zyrtare të gjuhës bullgare.
Kjo është një dëshmi, se edhe brenda Bashkimit Evropian ende nuk jemi të gatshëm të respektojmë të gjitha dallimet, që ekzistojnë mes nesh, qofshin ato të vogla apo të mëdha. Ose rasti i Serbisë, që po vazhdon të mos e njoh pavarësinë e Kosovës dhe kjo çështje mund të zgjidhet vetëm përmes ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian.
Prandaj, unë them se, sa më shumë që të ketë përparim në dialog, aq më afër qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve do të jemi.
Siç e dimë, në vitin 2024, ku jemi tash, kemi zgjedhjet në BE dhe ato në SHBA. Duke u nisur nga kjo, nuk besoj se do të ketë përparime të dukshme në dialogun për normalizim.
Zoti Lajcak, gjithashtu përfundon mandatin dhe kjo do të thotë që Bashkimi Evropian, duhet të caktojë një ekip të ri për lehtësimin dhe ndërmjetësimin e dialogut.
Të shpresojmë që në vitin 2025 të ecim përpara, ndonëse kam frikë se mund të ketë edhe kthim prapa në procesin e dialogut.
Është e rëndësishme të theksojmë se gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në dhjetë vitet e kaluara ka pasur përparime të mëdha. Kjo ka ndodhur edhe kohët e fundit, siç është marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të targave.
Pa dyshim, ka ndryshime substanciale, por sidoqoftë, është e pamjaftueshme. Shpresoj se ekipi i ri i Bashkimit Evropian për ndërmjetësimin dhe lehtësimin e dialogut, do të ushtrojë një trysni të madhe tek Beogradi për të shkuar përpara, sepse tashmë kemi një marrëveshje dhe ajo duhet të zbatohet!
Radio Kosova: Zoti Petriq, edhe pse zoti Kurti dhe zoti Vuçiq kanë arritur marrëveshje në Bruksel dhe atë për aneksin e marrëveshjes në Ohër, Zoti Vuqiç, përkundër kërkesës së zotit Kurti, nuk e ka nënshkruan atë. Tani kjo marrëveshje për të cilën ata janë pajtuar në praninë e ndërmjetësve të BE dhe kanë dhënë zotimet se do t’i zbatojnë, a ka vlefshmëri ndërkombëtare, pra a mund të konsiderohet obliguese për palët pa vendosjen e nënshkrimeve, pasi siç dihet të dy kanë dhënë zotimet për zbatimin saj?
Wolfgang Petritsch: Është praktikë evropiane, që në rastet kur dy politikanë të lartë, krerë të dy shteteve pajtohen dhe marrin zotime para dëshmitarëve ndërkombëtarë, që në këtë rast është Bashkimi Evropian, pra, kur ata japin një pëlqimin verbal për një çështje të caktuar para ndërmjetësve ndërkombëtarë, atëherë kjo marrëveshje është e vlefshme, pra, ka vlefshmëri ndërkombëtare.
Këto marrëveshje, kjo në Bruksel dhe Ohër, ashtu si më pare, janë të vlefshme, dhe unë besoj se Brukseli do të zhvillojë takime të tjera me Beogradin, që ta detyrojë të njohë marrëveshjet dhe zotimet që ka marrë përsipër.
Kjo marrëveshje tashmë është pranuar, sepse fjala e një presidenti apo një kryeministri, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi i tij.
Radio Kosova: Bashkimi Evropian po kërkon nga Kosova formimin e një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka prezantuar një statut të Asociacionit. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të përfshijë statuti?
Wolfgang Petritsch: Mendoj se duhet parë faktin se në veri të Kosovës janë komunat me shumicë serbe dhe me ato, mendoj unë, duhet bashkëpunuar dhe përkrahur, si për shembull në çështjet ekonomike dhe infrastrukturore, siç është ambienti, përkatësisht menaxhimi i mbeturinave, në çështje që lidhen me kulturën, shkollimin, gjuhën, historinë, ruajtjen e traditës etj.
Në këtë çështje, atyre duhet dhënë të drejtat, por ne e dimë gjithashtu se Asociacioni nuk mund të ketë të drejta që dëmtojnë statusin dhe pengojnë zhvillimin e shtetit.
Radio Kosova: Kjo është edhe frika që po shpreh kryeministri Kurti?!
Wolfgang Petritsch: Pikërisht, prandaj siç e shohim, Bashkësia ndërkombëtare është absolutisht e vetëdijshme, se atje nuk dëshirojnë një republikë të dytë serbe dhe kjo është me shumë rëndësi të theksohet.
Këtu, unë do t’i kisha rekomanduar Prishtinës, të bëjë propozimin e statutit për Asociacion, sepse nga përvoja dihet se përparësia i takon atij i cili gjatë negociatave bën propozimet i pari.
Kjo e vë të parin që propozon në përparësi, pasi pala tjetër pastaj duhet të deklarohet lidhur me propozimin dhe nëse refuzon, pra, thotë jo, ose ofron propozim tjetër nga i pari, atëherë do të thotë se keni kapur thelbin e bisedimeve dhe natyrën e kompromisit.
Radio Kosova: Momentalisht Serbia po fajëson Kosovën për një vendim të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka vendosur një rregullore, ku sipas Serbisë, janë prekur qytetarët serbë që përdorin dinarin. Për këtë po zhvillohen bisedime mes kryenegociatorëve në Bruksel. Të gjithë e dimë se në Kosovë, valutë zyrtare është Euro. Ju si e shihni zgjidhjen e kësaj problematike?
Wolfgang Petritsch: Parimisht, çdo shtet ka të drejtë që përmes Bankës se vet Qendrore të përcaktojë se cila valutë duhet të përdorët. Njëkohësisht, në këtë rast është e rëndësishme të dihet se sa çështje e ndjeshme është përdorimi i dinarit në veriun e Kosovës.
Për mendimin tim, duke ditur këtë, Kryeministri është dashur të merrte në konsideratë jetën e përditshme që serbët bëjnë në veri, sepse kur qytetarët ballafaqohen befas me vështirësitë e marrjes së pensionit, apo kur kanë nevojë të blejnë, atëherë kjo ka konsekuenca negative për secilin që preket nga një vendim i tillë.
E di që është vështirë të bisedohet, është gjithmonë vështirë të bëhen kompromise, por ky është arti i politikës. Pra, që kur merr një masë, të mos dëmtohet qytetari. Dhe tani, unë mendoj se kjo është mirë të riparohet dhe me bisedime dhe dialog të gjendet një zgjidhje kalimtare.
Radio Kosova: Zoti Petritsch, ju herë pas herë takoni zyrtarët amerikanë si janë zoti Eskobar apo zoti Hill, me të cilin ju keni punuar bashkë në Rambuje. Si i vlerësoni raportet aktuale mes SHBA-së dhe Kosovës, pasi ka pasur disa deklarata të zyrtarëve amerikanë, që kanë folur për dëmtim të marrëdhënieve?
Wolfgang Petritsch: Po, aktualisht ka raporte relativisht të tensionuara mes Uashingtonit dhe Prishtinës, pasi Uashingtoni ka filluar të humbë durimin. Kanë kalua 25 vite nga ndërhyrja ushtarake dhe Kosova është i vetmi vend në botë, që u shpëtua përmes ndërhyrjes ushtarake.
Kosova është absolutisht një përjashtim në historinë e re të Evropës. Nuk po më kujtohet as një rast tjetër kur një shtet si në rastin e Kosovës është krijuar nga bashkësia ndërkombëtare përmes ndërhyrjes politike dhe ushtarake.
Shtetet e Bashkuar, pra Uashingtoni, po thotë se për këtë vend kanë bërë shumë. Janë angazhuar aq shumë për lirinë e popullit të Kosovës dhe tani duan të shohin, thënë ashtu, zgjidhje kompromisi për disa çështje, që mbase mund të jenë të dhimbshme në një mënyrë për Prishtinën, por janë të domosdoshme.
Një gjë duhet të dihet: është mënyra amerikane e të menduarit dhe të vepruarit, që edhe unë e mbështes, kur e thonë edhe në Bruksel:
“Duam ta përmbyllim, ti japim fund këtij konflikti midis Kosovës dhe Serbisë, që po zgjat që 25 vite. E dimë se është shumë e dhimbshme për Beogradin, sepse ajo është pala që ka humbur luftën. E në anën tjetër është e vështirë edhe për Prishtinën, por kjo duhet të bëhet, sepse nuk mund të vazhdojë edhe më, që mu në mes të Evropës të ballafaqohemi me një konflikt edhe për më shumë se një çerek shekulli. Jemi të detyruar të merremi me luftën në Ukrainë, duhet të merremi me konfliktin që ka shpërthyer në Lindjen e Afërt dhe nuk duam të kemi mu në mes të Evropës një konflikt të papërfunduar”.
Kjo është arsyeja pse SHBA-ja thotë se duhet që fuqinë politike ta koncentrojmë në Ukrainë dhe në Lindjen e Afërt.
Sic e dini, SHBA-ja ka edhe shumë probleme të brendshme. Mendoj se është në interesin e Kosovës që ta mendojë këtë çështje, pasi ende nuk e dimë se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA në muajin nëntor.
Nëse do të ketë një rikthim të Trumpit, atëherë kjo të kishte një ndikim shumë të madh për situatën e sigurisë si në Evropë ashtu edhe në Ukrainë, por me gjasë edhe në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, unë mendoj se sa më shumë përparim të bëhet tani në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, aq më mirë do të jetë. Sepse, siç e dini, në kohën e Presidenti Trump ka pasur një dozë të caktuar të politikës antikosovare, siç ka qenë rasti me Grenell dhe ai nuk do të tregonte shumë interesim për Kosovën.
Mendoj se është shumë e rëndësishme, që Prishtina zyrtare të hapet ndaj serbëve sepse unë e di që ka shumë serbë, më shumë në jug, që duan të jetojnë në harmoni së bashku me shqiptarët. Prandaj, këto forca pozitive serbe, që tani janë nën presionin e madh të Beogradit, duhet të mbështetën, të përkrahen, që ata të shohin dhe binden se Kosova është një shtet që është këtu edhe për serbët.
Radio Kosova: Më 24 shtator kishim një sulm në veri, ku nga disa forca paramilitare, të udhëhequra nga Radojçiq, një eksponent i afërt i zotit Vuqi, u vra një polic i Kosovës. Nuk ka ditë që zoti Vuçiq nuk e kërcënon Kosovën me retorikën e tij të luftës. A shihni ndonjë rrezik për sigurinë e Kosovës pavarësisht nga prania e KFOR-it?
Wolfgang Petritsch: Mendoj se kjo valë kërcënimesh, fatkeqësisht është pjesë e politikës që ka rrënjët në retorikën, që shkaktuan luftërat të cilat shkatërruan ish Jugosllavinë.
Por, unë dua të ju them një gjë: Me bindje, them se Vuçiq nuk është prej atyre që do ta përsëriste gabimin e Millosheviqit për të hyrë në luftë kundër NATO-s, sepse çdo veprim ushtarak kundër Kosovës, do të mobilizonte NATO-n për kundërpërgjigje dhe këtë e di Vuçiq.
Po ju them me bindje të plotë dhe ju them se në Kosovë nuk mund të ketë luftë ashtu siç ndodhi me Millosheviqin.
Por unë e them me brengë se incidente të tilla si ai në Banjskë, janë të mundshme dhe ato do ta zhvendosnin procesin paqësor shumë vite prapa.
Diçka e tillë, duhet të pengohet patjetër dhe kjo gjatë këtij vit, pra vitit 2024, duhet të garantohet me praninë e KFOR-it në veri.
Radio Kosova: A shihni ndonjë rrezik që Kosovës mund t’i bëhet nga Rusia?
Wolfgang Petritsch: Nuk mendoj se Rusia merret drejtpërdrejt me Kosovën. Ajo është e zënë me luftën në Ukrainë ku ka përjetuar humbje të mëdha në njerëz dhe infrastrukturë ushtarake, por mund të thuhet se Rusia është një faktor që shfrytëzon situatën.
Ajo dëshiron të pengojë, por jo se ka ndonjë interes për forcimin e Serbisë apo të serbëve.
Ajo më shumë ka interes ta dobësojë ndikimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
Rusia dëshiron të krijojë bindjen se BE-ja nuk është një organizatë e suksesshme dhe ky në fakt është qëllimi i saj i vërtetë dhe shfrytëzon veçanërisht një tip si Dodiku për ta arritur këtë.
Rusia nuk është ndonjë faktor seriozë për Ballkanin Perëndimor, apo për Kosovën, por natyrisht, duhet treguar kujdes.
Radio Kosova: Një pyetje për proceset euro-integruese të Kosovës. Ku ndodhet Kosova në këtë rrugë?
Wolfgang Petritsch: Unë besoj se Kosova është në rrugë të mbarë. Këto dy luftëra që ndodhën, kanë ndezur alarmin në Bruksel dhe kryeqytetet evropiane, veçanërisht në Paris por edhe kryeqytetet tjera për domosdoshmërinë e forcimit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe kjo mund të bëhet duke ofruar me procedura të shpejtuara këto vende me Bashkimin Evropian.
Për shembull: Kosova tani është 100 për qind në agjendat e politikave të përbashkëta të sigurisë të BE-së dhe kjo është një investim shumë i rëndësishëm në procesin e integrimit dhe unë besoj se do të bëhen përparime vitet që vijnë përmes bisedimeve dhe negociatave për integrim me vendet e BE-së.
Por, një gjë e rëndësishme mbetet. Për afrimin e shpejt drejt BE-së mbetet kusht procesi i dialogut dhe formimi i Asociacionit.
Radio Kosova: Me 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, do të diskutojë pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Jeni optimist se Kosova do të pranohet?
Wolfgang Petritsch: U mendoj se ekziston tashmë një shumicë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Sa herë takohem me miqtë e mi serbë u them: “Kosova gjithsesi duhet të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, sepse kjo është shumë me rëndësi”.
Anëtarësimi në këtë organizatë është i rëndësishëm, pasi aty ka institucione që kujdesen për të drejtat e njeriut dhe për të drejtat e minoriteteve në rajon, pra që minoritet të gëzojnë të drejtat e tyre dhe kjo është një përparësi e madhe për serbët kosovarë.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, do të thotë hapi i parë që bëhet edhe drejt integrimit në Bashkimin Evropian, por kjo sjell edhe instrumente të reja për mbrojtjen e të gjitha minoriteteve, prandaj duhet thënë serbëve, ashkalive, romëve dhe të tjerëve, se është shumë me rëndësi që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Para pak kohe, për këtë i kam shkruar edhe atit Sava në Manastirin e Deçanit dhe jam i gëzuar që këto ditë u gjet një zgjidhje për këtë çështje pas një kontesti shumëvjeçar.
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...