Lajme

Kurti: Në veri ka përfunduar koha e njerëzve më të fortë se shteti

Autori: Gazeta inFokus 14:09 | 23 December 2023

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke iu referuar veriut të Kosovës, ka thënë se ka përfunduar koha e personave që pretendojnë se janë më të fuqishëm se sa shteti i Kosovës.

Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, ai ka shtuar se në Serbi janë duke u përgatitur plane të reja për ta sulmuar Kosovën, raporton Klan Kosova.

“Më duhet të them diçka sa i përket veriut që ju me siguri e dini më mirë se unë. Nuk është vetëm ideologjia nacionaliste ajo e cila e ka një far baze negative në kuptimin që ka më shumë urrejtje sesa dashuri. Më shumë urrejtje ndaj të tjetrit sesa dashuri ndaj të vetit”, ka thënë Kurti.

-Advertisement-

Sipas tij, përveç aspektit ideologjik nacionalist, atje ka mbizotëruar edhe kultura e njerëzve të dhunshëm.

“Ata njerëz të cilët me mendjemadhësi shëtitin nëpër Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok dhe rrahin të tjerët dhe të gjithë frikohen dhe këta kënaqen kur frikohet dikush – kjo kulturë e njerëzve të dhunshëm përfundon. Nuk ka më kulturë të njerëzve të dhunshëm, nuk do të ketë në shtetin e Kosovës asnjë person apo grup i cili është më i fortë se shteti”, ka theksuar kryeministri.

Më tej, ai ka potencuar se nëse dikush dëshiron të jetë qytetar i ndershëm, do të ketë mbështetjen e shtetit, por nëse dëshiron të jetë i dhunshëm, atëherë nuk do të ketë kompromis.

“Nuk është problemi vetëm në aspektin shovinist nacional, por problemi është edhe social në pjesën veriore të Kosovës ku njerëzit e dhunshëm për të cilët disa mendojnë që janë në filmin e njohur ‘Goodfellas’ apo ndonjë filmi aksion, ku udhëheqin djemtë e fuqishëm, kjo nuk do të ekzistojë më”, ka shtuar kryeministri Albin Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera