Lajme

Kurti: Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e kryera gjatë luftës

Autori: Gazeta inFokus 13:09 | 08 November 2023

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të mbajtur përgjegjëse për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Duke njoftuar se ka emëruar Atdhe Hetemin drejtor ekzekutiv të Institutit për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, Kurti tha se ballafaqimi me të kaluarën është obligim për shtetin.

“Për të ndërtuar të ardhmen, duhet adresuar të shkuarën. Ballafaqimi me të kaluarën është një proces shërues, dhe një mekanizëm i domosdoshëm për përparim shoqëror. Duke qenë një e drejtë individuale e të mbijetuarve, viktimave dhe familjeve të tyre, por edhe një e drejtë kolektive, është edhe obligim për shtetin. Shteti duhet të mundësojë që këto të drejta të realizohen. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të vërtetën, të drejtën për të ditur dhe drejtësinë, si parakushte për paqen e qëndrueshme…. Po e jetësojmë Institutin që do të adresojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999. Andaj sot emërova Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, që do t’i prijë këtij procesi të rëndësishëm”, tha ai.

-Advertisement-

Kurti para kabinetit qeveritar, tha se sfidë për zbardhjen e krimeve të luftës mbetet mosbashkëpunini i Serbisë.

“Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, nuk janë të shkuara. Sakrifica e popullit tonë është e madhe, plagët e luftës janë të thella dhe ende të pranishme. Është e pafund dhimbja. Duke i dokumentuar krimet e dëmet e luftës, ne edhe e ndajmë dhembjen, edhe e bëjmë më gjerësisht të njohur historinë tragjike të shqiptarëve të Kosovës në raport me Serbinë kriminale. Kjo vlen për ta ruajtur historinë dhe për ta kujtuar të shkuarën… Për të rritur kapacitetet për të trajtuar krimet e luftës, kemi shtuar buxhetin për pozita të reja në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Ndërsa në Policinë e Kosovës, nga një sektor, kemi ngritur Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës dhe kemi dyfishuar numrin e hetuesve të krimeve të luftës. Kriminelët e luftës duhet nxjerrur para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë. Ato nuk parashkruhen. Andaj nuk mund të ketë amnisti për krimet e kryera nga okupatori e agresori serb gjatë luftës në Kosovë”, theksoi Kurti.

Derisa njoftoi se gjatë këtij viti, në Kosovë janë kryer gërmime vlerësuese në 11 lokacione.

“Gjatë këtij viti, në territorin e Republikës së Kosovës janë kryer gërmime vlerësuese në 11 lokacione. Prej tyre, pesë lokacione kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e të paktën 6 viktimave të luftës, duke mos përfshirë gjetjet e fundit në Bishtazhin, Gjakovë dhe në Prizren. Aktualisht jemi në pritje të rezultateve të ADN-së. Sfida kryesore për zbardhjen e rasteve mbetet mungesa e informatave të besueshme dhe refuzimi për bashkëpunim nga ana e Serbisë, që vazhdon të qëndrojë mbi varreza masive teksa i mohon ato. Si Qeveri, kujdesemi maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovës. Kemi themeluar Komisionin shtetëror për hulumtimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të shkatërruar gjatë luftës së viteve 1998-1999. Kemi filluar projektin për memorializimin e fëmijëve të vrarë, të zhdukur apo që e kanë humbur jetën nga kushtet e luftës”, deklaroi Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera