Lajme

Mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar leje për intervistimin e një dëshmitari pa praninë e ZPS-së dhe para se ai të dëshmonte

Autori: Gazeta inFokus 18:10 | 02 November 2023

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së, tregoi për zhvillimet në çështjet të cilat po i trajton kjo gjykatë, duke njoftuar se mbrojtja e Hashim Thaçit kishte kërkuar leje për të intervistuar një dëshmitar të Prokurorisë përpara se dëshmitari të jepte dëshmi dhe pa praninë e Prokurorisë.

Griep tha se trupi gjykues e hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes dhe udhëzoi që t’i përmbahen procedurës së përcaktuar në vendimin përkatës për kontakte.

Zëdhënësja tha se më 31 tetor u vë në dispozicion versioni i redaktuar publik i vendimit të trupit gjykues, mbi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit.

-Advertisement-

“Mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar leje për të intervistuar një dëshmitar të Prokurorisë përpara se dëshmitari të jepte dëshmi dhe pa praninë e Prokurorisë. Trupi gjykues hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes dhe e udhëzoi atë që t’i përmbahet procedurës së përcaktuar në vendimin përkatës për kontaktet”, tha Griep, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Griep njoftoi për vendimin që përcakton kornizën për trajtimin e informacionit konfidencial gjatë hetimeve dhe kontaktet midis një pale dhe dëshmitarëve të palës tjetër, e cila hodhi poshtë edhe kërkesën e mbrojtjes së Thaçit.

“Më 24 qershor 2022, gjykatësi i procedurës paraprake lëshoi vendimin që përcakton kornizën për trajtimin e informacionit konfidencial gjatë hetimeve dhe kontaktet midis një pale dhe dëshmitarëve të palës tjetër. Sipas atij vendimi, përpara dhënies së dëshmisë, palët nuk e kontaktojnë dhe as nuk e intervistojnë një dëshmitar të palës tjetër, nëse pala kundërshtare është njoftuar për synimin për të thirrur dëshmitarin”, tha Griep.

Megjithatë, sipas saj, kur një palë gjykon se kanë ndryshuar rrethanat, ato mund të kërkojnë ndryshim të vendimit.

“Trupi gjykues konstatoi se nuk ka pasur ndryshim të rrethanave në këtë çështje gjyqësore dhe rrjedhimisht vendimi lidhur me kontaktet mbetet në fuqi”, tha Griep.

Zëdhënësja e DhSK-së tha se është dhënë urdhër nga gjyqtari i procedurës paraprake që konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore kundër Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit të mbahet më 3 nëntor.

“Gjykatësi i procedurës paraprake do t’u kërkojë palëve përditësime lidhur me aspekte ende të patrajtuara të përcaktuara në rendin e ditës, si vështirësitë lidhur me nxjerrjen ose përkthimin e materialit provues, ecurinë e hetimeve të ZPS-së dhe kur do të jetë në gjendje ZPS-ja të dorëzojë dosjen paraprake”, tha ajo.

Griep tha se gjatë kësaj jave, në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ka dhënë dëshmi dëshmitari i 31-të i cili ishte me masa mbrojtëse. Kurse, ajo tha se dëshmitari i 32-të ka filluar dëshminë e tij, sot paradite.

“Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, dëshmitari i 31-të i thirrur nga Prokuroria dha dëshmi të hënën, 30 tetor. Dëshmitari dha dëshmi me masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë të mbyllur. Dëshmitari i 32-të ka filluar dhënien e dëshmisë sot paradite, nëpërmjet video-konferencës dhe kryesisht në seancë publike”, tha Griep.

Zëdhënësja Griep tha se më 1 nëntor u bë publik vendimi i trupit gjykues i datës 8 shtator, me të cilin një dëshmitar i Prokurorisë u lejua të jepte dëshmi nëpërmjet video-konferencës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Sipas Griep, në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve, seanca e radhës është planifikuar për të hënën, 6 nëntor 2023. Ndërsa, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, seanca e radhës është planifikuar për 20 nëntor.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera