BE-ja edhe sot flet për Kosovën e Serbinë
Autori: Gazeta inFokus 09:48 | 27 October 2023
Këshilli i Evropës do të diskutojë sot për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së dytë të samitit të Bashkimit Evropian (BE), pas një dite të ngjeshur me takime të shumta por të pafrytshme mes udhëheqësve të këtyre dy vendeve me liderët e BE-së të enjten në Bruksel.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha në një konferencë të enjten pasmesnate se Këshilli nuk diskutoi dje për marrëdhëniet mes dy vendeve ballkanike, duke shtuar se “ne e mbështesim normalizimin e raporteve dhe shtensionimin [e situatës]. Për këtë do të diskutojmë nesër [e premte] në takimin e Këshillit”, raporton REL.
Gjatë takimit të sotëm të Këshillit, liderët e BE-së pritet ta shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ta dënojnë sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri, të kërkojnë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e rastit. Po ashtu, Kosovës dhe Serbisë do t’iu kërkohet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre nga dialogu pa vonesa dhe pa parakushte.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni është duke e pritur rezultatin e hetimeve rreth sulmit në Banjskë të Zveçanit – për të cilin Kosova e lë fajtore Serbinë – kur u pyet për akuzat se Komisioni nuk ka qëndrim të baraspeshuar, pasi mori masa ndaj Kosovës në fillim të këtij viti, por jo edhe ndaj Serbisë, e cila e mohon përgjegjësinë për sulmin e muajit të kaluar.
“Do të jem shumë e shkurtër në përgjigje, hetimet janë duke u zhvilluar dhe kemi thënë disa herë se kur të përmbyllen hetimet, ne do të vendosim për të ndërmarrë masa dhe çfarë lloj masash”, tha ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.
Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët.
Pas takimeve, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti serb Vuçiq këmbënguli në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.
Ai konfirmoi se temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u prezantua në Prishtinë dhe në Beograd më 21 tetor.
“Palët nuk ishin të gatshme të bien dakord për të pa parakushte, e që janë të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne kërkojmë që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit”, tha Borrell.
Sipas tij, kjo “mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut, sepse është e vetmja mënyrë për të përparuar në rrugën evropiane”.
“Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje. Por sot, për fat të keq, nuk ishte e mundur”, tha kryediplomati evropian. /REL
Të tjera
-
Vidhet vetura nga një punëtori në Graçanicë
Një person ka raportuar se i është vjedhur vetura që e kishte në punëtori. ...
-
Dialogu, takimi i radhës mes kryenegociatorëve mbahet në dhjetor
Takimi i radhës Kosovë-Serbi mes kryenegociatorëve do të mbahet në muajin dhj...
-
Në janar hapet tenderi për tunelin Kosovë-Maqedoni e Veriut
Nga qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë thënë se në janar 2025 do të hapet te...
-
Deputeti gjerman: Serbia nuk luan dot me Kosovën, bisedime të reja pas zgjedhjeve
Nisja e punës së Komisionit të zgjedhur Evropian mund të shërbejë si përshpej...
-
Hoxhaj sot nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”
Nënkryetarit të Kuvendit Enver Hoxhaj, sot pritet t’i jepet titulli “Doctor H...
-
Qalaj thotë se në veri po hyjnë armë nga Serbia
U vendosën në mënyrë të fshehtë. Por Policia e Kosovës, për tre ditë radha...
-
Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, këto janë pikat e rendit të ditës
Sot nga ora 11:00 do të mblidhet Kryesia e Kuvendit. E në rend dite ka një...
-
“16 Ditët e Aktivizmit”, fillon sot fushata kundër dhunës me bazë gjinore
Sot nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, fillon fushata globale “16 Di...
-
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojmë shpifjet e Faton Pecit
Korporata Bujqësore “KRUSHA” bashkë me Fahrije Hotin, sot do të mbajnë konfer...
-
Ekspertët: Zbutja e varfërisë mund të zbusë krizën e migracionit
Ekspertët thonë se varfëria dhe uria janë faktorët kryesorë që shkaktojnë kri...
-
Deputeti i GUXO-s: Sjellja e Faton Pecit ka qenë rrënuese për partinë GUXO
Deputeti Burim Meta në “Reel Talk” tha se Faton Peci, i cili është kryetar i ...
-
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhd...