Lajme

Vizita në Iowa, Osmani flet për 24 shtatorin: Serbia synoi aneksimin e veriut, qëllim destabilizimi i tërë rajonit

Autori: Gazeta inFokus 10:20 | 26 October 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sulmi terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ishte akt i agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, që kishte synim aneksimin e veriut.

Në ditën e dytë të vizitës së saj në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani tha se Kosova është rezultati dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane.

Presidentja Vjosa Osmani në një ligjëratë para studentëve të universitetit “Drake” e ka akuzuar Serbinë se po dëshiron të nxisë luftë në rajon.

-Advertisement-

“Ajo që ndodhi më 24 shtator ishte kulmi i një akti të rëndë agresioni që Serbia po i bënte popullit të Kosovës brenda territorit tonë dhe atë ditë ishin një numër i grupeve terroriste që hynë në Kosovë me numër të madh armësh, armë të shkallës ushtarake me të cilat planifikonin të aneksonin veriun e Kosovës. Policia jonë ka vepruar me shumë profesionalizëm dhe ka penguar aktin e agresionit që në minutat e para të tij. Por, nëse ne nuk do të ishim aq efektivë në fillim, pa dyshim që ata do të kishin qenë efektiv në afrimin gjithnjë e më shumë brenda veriut të Kosovës dhe aneksimin e pjesëve të territorit tonë. Sigurisht që atëherë do të detyroheshim të përgjigjeshim dhe kjo do të destabilizonte jo vetëm Kosovën, por pjesën tjetër të rajonit”. ka deklaruar Osmani.

Osmani ka deklaruar se angazhimi më i madh i trupave të NATO-s në Kosovë do të bëjë që të mos lejohen të hyjnë njerëz të armatosur në territorin e vendit.

Osmani ka theksuar se Kosova është rezultat dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane.

Gjatë qëndrimit në Iowa të SHBA-së, Osmani u prit ne takim edhe nga kryetari i qytetit Norwalk, Tom Philips, nga i cili u nderua me Çelësin e Qytetit dhe Yllin e Norwalkit.

“Përkushtimi i shtetit të Iowas për edukimin dhe fuqizimin e rinisë së Kosovës është i jashtëzakonshëm. Jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen tuaj ndaj Republikës së Kosovës dhe rinisë sonë”, ka thënë Osmani. /rtk

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera