Lajme

Kurti në Konferencën hapëse të Festivalit të Filmit Frankofon: Kemi prezantuam një ligj të ri për Kinematografinë

Autori: Gazeta inFokus 20:50 | 12 October 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën hapëse të Festivalit të Filmit Frankofon, “Portretet e Grave Emblematike të Kinemasë” që u mbajt në Kino Armata nën organzimin e Ambasadës së Francës në Kosovë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti u shpreh i gëzuar që ndodhej bashkë me të tjerët aty pranë dy kineasteve kosovare me arritje të jashtëzakonshme teksa hulumtohet portretizimi i grave në kinematografi gjatë Festivalit të Frankofonisë të këtij viti në Kosovë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për sukseset e jashtëzakonshme që kinematografia jonë ka dëshmuar gjatë dekadës së fundit. Lëvizja frymëzuese e njohur si Vala e Re e Filmit të Kosovës ka të përbashkët një fundament magjepsëse– filmat më të famshëm të vlerësuar me çmime janë realizuar nga gra vizionare” tha ai.

-Advertisement-

Emrat, siç shtoi ai, ndryshojnë nga Blerta Zeqiri, drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës, pastaj Blerta Basholli, prej filmit “Martesa” te filmi “Zgjoi”, e te Lendita Zeqiraj, e njohur për filmat e saj shumë lucid të zhanrit të shkurtër por edhe të gjatë, e Kaltrina Krasniqi, e cila portretizon një tjetër personalitet të gruas së fuqishme në “Vera Andrron Detin”, por gjitha janë dëshmi e pasurisë së talentit që posedojnë gratë e skenës sonë kinematografike.

Këtë vit, kryeministri theksoi se kanë prezantuar një ligj të ri për Kinematografinë, i cili është i mbushur me stimuj për të nxitur rritjen e kinematografisë, siç janë përfshirja e zbritjes së taksës për 30% për projektet ndërkombëtare që xhirohen në Kosovë (rabati), financimi i konsiderueshëm deri në 80% për projektet filmike dhe mbështetja madje 100% për regjisorët debutues, së bashku me themelimin e Rrjetit të Kinemave të Kosovës, d​uke mos harruar të përmend bashkëpunimin Kosovë-Francë, që është me interes të veçantë për të dy vendet tona, dhe i cili i ka sjellë rezultate kohëve të fundit duke korrur suksese edhe në festival të njohura ndërkombëtare.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj, zotëri, z. Olivier Guérot ambasador i Republikës së Francës në Kosovë,

E nderuara zonja, Sarah Jaquiery, shefe për bashkëpunim në Ambasadën e Zvicrës,

I nderuari z. Eric Dietz,  shef i Misionit të Luksemburgut në Kosovë,

E nderuara z. Blerta Zeqiri, Drejtoreshë e Qendrës Kinematografike  të Kosovës,

E nderuara shumë e dashura, aktorja, regjisorja jonë, autorja premtuese si pak kush tjetër Luana Bajrami, aktore pra, dhe realizatore,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Jam jashtëzakonshëm i gëzuar që ndodhem bashkë me juve sot dhe që qëndroj pranë dy kineasteve kosovare me arritje të jashtëzakonshme teksa hulumtojmë portretizimin e grave në kinematografi gjatë Festivalit të Frankofonisë të këtij viti në Kosovë.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për sukseset e jashtëzakonshme që kinematografia jonë ka dëshmuar gjatë dekadës së fundit. Lëvizja frymëzuese e njohur si Vala e Re e Kosovare ka të përbashkët një fundament magjepsëse– filmat më të famshëm të vlerësuar me çmime janë realizuar nga gra vizionare. Emrat ndryshojnë nga Blerta Zeqiri, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, pastaj Blerta Basholli, prej filmit “Martesa” te filmi “Zgjoi”, e te Lendita Zeqiraj, e njohur për filmat e saj shumë lucid të zhanrit të shkurtër por edhe të gjatë, e Kaltrina Krasniqi, e cila portretizon një tjetër personalitet të gruas së fuqishme në “Vera Andrron Detin”, të gjitha këto janë dëshmi e pasurisë së talentit që posedojnë gratë e skenës sonë kinematografike.

Në këtë grup talentesh, gjejmë një yll në rritje, kineasten e talentuar Luana Bajrami, e cila është autore kosovaro-franceze ose francezo-kosovare, si të doni. Besoj që po të mos ishte kosovare nuk do ta kishte këtë sukses, po edhe të mos ishte në Francë e franceze gjithashtu nuk do ta kishte këtë sukses i cili ndjehet nga të gjithë ne. Mirëpo nuk mund ta dimë asnjëri prej nesh se ku do të jetë në të ardhmen, aq i madh është potenciali. Teksa hyja në sallë i thashë ambasadorit Guerot: “përafërsisht limitet e mia i di, por të Luanës jo.” Unë pata kënaqësinë të jem dëshmitar i premierës së filmit të saj të fundit, “Bota Jonë”, në Festivalin e Filmit në Venecia. Pastaj edhe në filmin e shkurtër ku luan Luana, “Një udhëtim i shkurtë”, “A Short Trip” i cili gjithashtu fitoi shpërblimin kryesor për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin e Venedikut sivjet.

Këtë vit, ne kemi prezantuam një ligj të ri për Kinematografinë, i cili është i mbushur me stimuj për të nxitur rritjen e kinematografisë. Përfshirja e zbritjes së taksës për 30% për projektet ndërkombëtare që xhirohen në Kosovë (rabati), financimi i konsiderueshëm deri në 80% për projektet filmike dhe mbështetja madje 100% për regjisorët debutues, së bashku me themelimin e Rrjetit të Kinemave të Kosovës, nënkupton përkushtimin tonë për të kultivuar trashëgiminë tonë kinematografike. Dhe të mos harrojmë që është bashkëpunimi Kosovë-Francë ai i cili i ka sjellur këto rezultate kohëve të fundit e që është me interes të veçantë për të dy vendet tona dhe po shënojnë të arritura me shpërblime në festivale të njohura.

Besoj se është e pazakontë që një gjeneratë kaq e suksesshme në një fushë kaq specifike të vijnë nga i njëjti vend dhe të vendosen në arenën ndërkombëtare. Regjisoret tona gra ia kanë dalë ta bëjnë këtë në një mënyrë shumë vetë-reflektuese, duke shpërfaqur pjesë të historisë, talentit dhe shpresës për të ardhmen jo vetëm për publikun e huaj, por edhe për atë vendas. Pra dhe në Kosovë pas këtyre autorëve e aktorëve filmi shikohet ndryshe. Shikohet më shumë dhe shikohet më gjatë, dhe unë jam shumë mirënjohës për këtë.

Qysh në fëmijërinë e hershme unë kam pasur fatin besoj që të shikoj filma dhe kinemaja franceze është shumë thellë në mendjen dhe në shpirtin tim, por meqenëse bëhet fjalë për një kënd të caktuar të kësaj, më lejoni që të përmbyllë këtë fjalë duke përkujtuar mbresat e mija prej një sërë aktoresh të famshme, nuk e di se a di të ua shqiptoj emrin si duhet, Emmanuelle Béart, pastaj Jeanne Moreau, Simone Simon, Brigitte Bardot e deri te Isabelle Adjani e Isabelle Huppert.

Ju faleminderit shumë për vëmendjen. Falënderoj ambasadorin, Francën dhe të gjithë juve që me shikimin e juaj po ashtu kontribuoni në filmat tonë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera