Situatë e qetë në Banjskë të Kosovës pas sulmit terrorist të dielën
Autori: Gazeta inFokus 19:36 | 27 September 2023
Policia e Kosovës tha të mërkurën se ka përfunduar kontrollet në fshatin Banjskë në veri, tre ditë pas përleshjes me një grup personash të armatosur që sulmoi forcat e rendit duke vrarë një polic dhe plagosur një tjetër.
“Mund të konfirmoj se situata në Banjskë është e qetë, situata është e mirë. Njerëzit janë të lirë të lëvizin. Megjithatë ka ende rreziqe nga mjetet e pashpërthyera. Ato mund të jenë në shkurre në malet përreth, kështu që policia me njësitë e saj të specializuara do të kryejë kontrolle në ditët në vijim”, tha zëvendësdrejtori i policisë në komunën e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
Grupi që sulmoi policinë të dielën më pas hyri me forcë në manastirin ortodoks në fshatin Banjskë duke vazhduar të qëllojë mbi forcat e rendit. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë. Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, tërësia tokësore dhe siguria kombëtare e Kosovës.
“Po atë ditë, është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë. Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqen në krah e përkrah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë, me presidentin e Serbisë, (Aleksandar) Vuçiç, duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këtë mes”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se sulmi gjithashtu ka shpërfaqur vështirësitë sa edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar edhe më të madh në ruajtjen e kufirit me Serbinë dhe bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur, me gjuhë të qartë dhe kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar.
Autoritetet në Prishtinë paraqitën të martën një video regjistrim ku sipas tyre një nga pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës është nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.
“Pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist të nënkryetarit të Listës së Serbe, Millan Radoiçiq, është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve: rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutela e Serbisë”, tha kryeministri Kurti.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, shpërndau sot fotografinë e siç tha të njërit prej anëtarëve të grupit të armatosur që mbeti i vrarë të dielën. Ai shkroi në rrjetet sociale se “pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviç, truprojë e shefit të Agjencisë serbe te zbulimit, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013”.
Zhvillimet e fundit në veri të vendit, ishin temë e diskutimeve të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani me udhëheqësit e partive opozitare.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku tha se në takim ka shprehur “domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha pas takimit se rreziqet janë ende të mëdha, ndërsa kërkoi bashkëpunim të ngushtë me aleatët.
“Një situatë e tillë është mjaft komplekse dhe shihet që në etapat që vijnë kërkohet një koordinim i të gjithëve, pra askush nuk duhet të mungojë të bëjë pjesën e vet, askush në Kosovë. Mirëpo edhe pse ne jemi të këtij vendi do ta kryejmë detyrën tonë në shërbim të vendit, kemi nevojë për aleatët”, tha ai.
Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë, ndërsa autoritetet në Serbi e kanë mohuar çfarëdo lidhjeje me grupin.
Lista Serbe shpalli ndërkaq tre ditë zie në zonat e banuara me shumicë serbe në kujtim të tre sulmuesve të armatosur që u vranë të dielën në përleshje me policinë. Qeveria e Serbisë e shpalli të mërkurën po ashtu ditë zie.
Grupe qytetarësh serbë në veri të Kosovës ndezën mbrëmë qirinj në përkujtim të tre serbëve të vrarë gjatë përleshjeve të së dielës.
Autoritetet thanë se shpallja e zisë për tre pjesëtarët e grupit shpalos autorësinë e organizimit të sulmit të së dielës, i cili ka nxitur shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë e rajonit./VOA
Të tjera
-
Osmani para studentëve në Kanada: Njerëzit e këtij vendi ishin ata që i qëndruan pranë popullit të Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani në një fjalim para studentëve dhe stafit akademik të...
-
Hamza mërgimtarëve në Hannover: Përtej kontributit financiar që e jepni, do të krijojmë kushte që të investoni në Kosovë
Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza publikoi një vide...
-
Zemaj: Përdorimi i AKI-së për fabrikimin e lajmeve të rreme është kulmi i goditjes së institucioneve
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka reaguar pas publik...
-
Kurti me Gashin flasin për mbledhjen ndërqeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Ver...
-
Osmani: Fuqi e Kosovës janë partnerët e saj
Presidentja Vjosa Osmani përmes një fjalimi para studentëve dhe stafit akadem...
-
Petkoviq: Kurti vazhdon me militarizim dhe okupim të veriut të Kosovës
Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovë, Petar Petkoviq, në propag...
-
Gazetari i BBC “çmend” Vuçiç, Stephen Sackur në Hard Talk: Serbia e njeh “de facto” Kosovën
I ftuar në Hard Talk të BBC-së, presidenti serb Aleksandar Vuçiç promovoi...
-
Gazetarët Hoxha dhe Qyno paraqiten në SPAK, njihen me masat e sigurisë
Gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno këtë të hënë të 25 nëntorit janë paraqit...
-
Rritet shifra: Shkon në 600 mijë euro shuma e dhënies së granteve nga Peci për të afërmit e pushtetit
Sekretar i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së LDK’së, Egzon Pacolli, ka njof...
-
Shqiptari fiton zgjedhjet për kryetar bashkie në Gjermani
I riu shqiptar, Arianit Besiri ka fituar zgjedhjet për kryetar bashkie në Gje...
-
Rrokulliset një kamion në Doganaj të Kaçanikut, policia jep detaje
Një aksident trafiku ka ndodhur në Doganaj të Kaçanikut ku një kamion është r...
-
42-vjeçari në Drenas dyshohet se u vetëplạgos me ạrmën ilegale në veturë
Një person në Drenas ka pësuar lëndime pasi dyshohet se është vetëplagosur. ...