Arsyetimi i Themelores për lirimin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi dhe Muharrem Ramën nga akuza për detyrim
Autori: Gazeta inFokus 10:09 | 16 September 2023
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 15 mars 2023, në rigjykimi kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Muharrem Rama, lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje, e lirimin e tyre kjo gjykatë e arsyeton me faktin se nga provat e administruara, nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.
Ademi dhe Rama akuzoheshin se në vitin 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar aktgjykimin në fjalë i cili rezulton të jetë përpiluar më 13 prill 2023.
Në arsyetimin e aktgjykimit të Themelores, konkretisht në pikën 5 të aktgjykimit “Vendimi për lirimin e të akuzuarve nga akuza”, thuhet se gjykata me asnjë provë nuk ka mundur të vërtetojë çastin se kur të akuzuarit kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje, si dhe veprimet të cilat të njëjtit i kanë ndërmarrë për këtë qëllim që ta detyrojnë të dëmtuarin të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij.
Aty thuhet se gjykata aktgjykimin e saj e ka mbështetur në dispozitën nga neni 363, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, i cili përcakton që “Gjykata merr aktgjykim me të cilin i akuzuari lirohet nga akuza nëse nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën për të cilën është akuzuar”.
Sipas këtij aktgjykimi, në rastin konkret, në aspektin procedural të akuzuarit mbulohen nga parimi i prezumimit të pafajësisë si dhe pranimi In Dubio Pro Reo (Mëdyshjet lidhur me provat dhe faktet si dhe zbatimit të ligjit zbatohen në favor të të pandehurit).
Gjithashtu, sipas gjykatës të akuzuarit nuk janë të detyruar që ta provojnë fajësinë apo pafajësinë e tyre.
“…e në rastin konkret gjykata ka zbatuar pikërisht parimin In Dubio Pro Reo ngase ka mëdyshje lidhur me ekzistimin e provave dhe fakteve andaj konsideron se nuk ka prova bindëse se të akuzuarit kanë tentuar që ta kryerjnë veprën penale, për të cilën janë akuzuar, andaj gjykata ka marrë aktgjykim lirues”, thuhet në aktgjykim.
Sipas vlerësimit të gjykatës, që i akuzuari të gjendet fajtor nga gjykata, duhet të provohet se aktakuza e ngritur nga Prokuroria është e provuar dhe argumentuar përtej dyshimit të bazuar mirë, e që në rastin konkret sipas këtij aktgjykimi Prokuroria nuk ka mundur ta bind Gjykatën se me provat e propozuara dhe administruara të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin sipas aktakuzës.
Bazuar në provat që gjenden në shkresat e lëndës, sipas këtij aktgjykimi, për gjykatën nuk ishte kontestues fakti se i dëmtuari Dritëro Kadolli ishte pronar i Agjencionit për Patundshmëri “Capital Ring” dhe ishte njohur me të akuzuarin Rama, e ishte takuar disa herë me të.
Po ashtu, në aktgjykim thuhet se për gjykatën nuk ishte kontestues as fakti se të njëjtit i ishte ofruar një sipërfaqe e tokës nga një pronar serb, i cili pas një viti prej se i ishte ofruar toka me autorizim nuk kishte arritur që ta shes apo ndërtojë shtëpi pasi që toka në fjalë ishte “Zonë e Gjelbër”.
“Po ashtu nuk ishte kontestuese se gjatë takimit me të akuzuarin Muharrem Rama, dëshmitari Dritëro i kishte treguar lidhur me çështjen e tokës për statusin e saj se nuk mundet ta shes apo ndërtoj, i cili më pas Muharremi e kishte prezantuar me Agim Ademin i cili ishte personi i cili mundet t’i ndihmoj lidhur me ndërrimin e statusit të tokës dhe në një takim të përbashkët të të treve, Agim Ademi i kishte treguar se mund ta ndihmoj përmes një mikut të tij Sami Hamitit që prona ta ndërroj statusin e saj nga zonë e gjelbëruar në zonë ndërtimi”, thuhet tutje në arsyetimin e kësaj gjykate.
Gjithashtu, për gjykatën kontestues nuk ka qenë as fakti se i dëmtuari Kadolli për këtë çështje ishte takuar fizikisht disa herë me të akuzuarit, dhe nga dëshmia e tij sipas gjykatës është vërtetuar se së bashku me të akuzuarin Rama kishin kërkuar veturë dhe kishin gjetur veturën BMW X5 tek auto salloni “Geni”, e cila pastaj ishte sjellë tek “Kafet e vogla” nga pronarët e autosallonit.
Mirëpo, sipas gjykatës kontestues ka qenë fakti nëse sipas pretendimeve të Prokurorisë, të pandehurit Ademi dhe Rama, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo personin tjetër kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje dhe se i pandehuri Muharrem Rama e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Kadolli, që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij.
E këto pretendime, gjykata i ka refuzuar si të pabazuara sepse nga provat e administruara nuk është vërtetuar se të akuzuarit e kanë kërcënuar të dëmtuarin me përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm apo në ndonjë mënyrë tjetër që ta kenë kërcënuar me vdekje.
Gjithashtu, sipas këtij aktgjykimi thuhet se, gjykata ka analizuar edhe provat tjetra materiale të administruara në shqyrtim gjyqësor, mirëpo nuk ka arritur të vërtetojë ndonjë fakt relevant lidhur me këtë çështje.
Ndryshe, sipas këtij aktgjykimi, gjykata duke vepruar konform nenit 3 të Kodit Penal të Kosovës, Zbatimi i ligjit më të favorshëm ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga “Detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 23 të KPK-së, në veprën penale “Detyrimi në tentativë”, nga neni 340, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.
Lidhur me atë se si e vlerësojnë faktin që procesi gjyqësor ndaj tyre mori epilog pas 9 vitesh nga ngritja e aktakuzës, “Betimi për Drejtësi” ka provuar të marrë një prononcim nga Ademi, mirëpo i njëjti nuk ka dashur të deklarohet lidhur me këtë rast.
Ndërsa, mbrojtësi i Ramës, avokati Ramiz Krasniqi, tha se aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm dhe se për mbrojtjen është e rëndësishme se rasti ka përfunduar me aktgjykim lirues, pasi nuk është provuar se kanë kryer veprën për të cilën akuzoheshin.
“Po çka me komentu, është një aktgjykim i gjykatës i cili është aktgjykim i plotfuqishëm, gjykata ka vendos që këta nuk është provu që kanë kryer vepër penale, këto janë fjalët e mia, s’kam tjetër çka me thanë”, u shpreh avokati Krasniqi.
Ai shtoi se procesi gjyqësor ka qenë i gjatë, por që edhe Gjykata e vërtetoi se ishte “i paarsyeshëm”.
“Po ka qenë i gjatë edhe ka qenë në fillim i paarsyeshëm, kështu që e vërtetoj edhe Gjykata Themelore, kjo është”, shtoi ai.
Të akuzuarit Ademi dhe Rama, më 7 nëntor 2022 në seancën e rigjykimit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që iu vihej barrë.
Për shkak se është parashkruar vepra penale e ushtrimit të ndikimit, për të cilën edhe ishte shpallur aktgjykim refuzues në korrik të 2019-ës, lënda kishte kaluar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kjo lëndë, fillimisht kur ishte kthyer në rigjykim ka qenë duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda nga gjykatësja Medie Bytyqi, e kjo e fundit për “Betimi për Drejtësi” po ashtu kishte pohuar se kjo lëndë tanimë ka kaluar Departamentin e Përgjithshëm.
Ndryshe, aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit ishte ngritur më 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri.
Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzoheshin se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”.
Kjo veturë, sipas Prokurorisë, pretendohej më pas t’i dorëzohej Sami Hamitit, ish-kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.
Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzoheshin për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të padrejtë, respektivisht shumën prej 30 mijë euro apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast ishte ish-kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtorë Ademin dhe Ramën për veprën penale detyrim në tentativë.
Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burg efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.
Në këto dënime, të akuzuarve ishte vendosur t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor 2012. Kurse, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ishte shpallur aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.
Në shkurt të vitit 2020, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar ankesat e të akuzuarve dhe i kishte lënë në fuqi dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë.
Mirëpo, të pakënaqur me këto aktgjykime, mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme.
Lidhur me këtë kërkesë, Supremja në korrik të vitit 2020 ka vendosur që t’i aprovojë si të bazuara të njëjtat dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Të tjera
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...
-
Takohen gruaja më e shkurtër dhe ajo më e gjatë në botë, fjalët që thanë për njëra-tjetrën pas takimit
Jyoti Amge dhe Rumeysa Gelgi, janë pjesë e librit të rekordeve “Guiness”. E p...
-
Moti i keq, Policia thirrje vozitësve: Kujdes, ka aksidente nëpër rrugë të vendit dhe autostrada
Orëve të fundit mbi vendin tonë kanë vazhduar të reshura të shiut të shoqërua...
-
“Përgaditu se unë jom karatist”- Momenti kur moderatori shpërthen në të qeshura, pasi Jahja Koka ia thotë këtë gjë
“Përgaditu se unë jom karatist”, ishte një nga fjalitë dhe momentet që bëri m...