Lajme

Tri vrasjeve brenda pak ditësh, shteti dështon ti kap të dyshuarit

Autori: Gazeta inFokus 11:34 | 11 August 2023

Brenda pak ditësh në Kosovë kanë ndodhur tri vrasje të rënda dhe janë plagosur disa të tjerë, gjersa të dyshuarit e këtyre veprave penale ende janë në kërkim nga Policia e Kosovës.
Vrasja e fundit ka ndodhur të enjten, në komunën e Skenderajt, në qendër të Kosovës. Në një kafene, në fshatin Runik, një 39-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur.

Mirëpo, dy të dyshuarit (me maska) të kësaj vepre penale ende janë në arratisje dhe në kërkim nga Policia e Kosovës.Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk ka ndonjë risi për kapjen e të dyshuarve, shkruan Gazeta Infokus.

Po ashtu, katër ditë më parë, më 7 gusht, në një lokal në qytetin e Klinës, në pjesën perëndimore të Kosovës, me armë zjarri u vra një person rreth të 50-tave, Anton Prela.
Tush Frroku i dyshuari për këtë vrasje është ende në arrati dhe në kërkim nga Policia e Kosovës.
Këtë e bëri të ditur për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

-Advertisement-

“Ende nuk ka asgjë sa i përket arrestimit të të dyshuarit”, ka thënë shkurt Gashi.

Kurse, më 4 gusht, në një kafene në qendër të Prishtinës, një person u vra dhe 17 persona të tjerë u plagosën gjatë një përleshjeje me armë zjarri.
E, në arrati vazhdon të jetë personi që u përfshi në ngjarje, Dukagjin Nikollaj i njohur me nofkën “Duka”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci theksoi se ende nuk ka asgjë për arrestim e tij. Ndryshe këto raste kanë tronditur opinionin publik, në të njëjtën kohë është kërkuar angazhim më i ashpër nga organet e sigurisë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera