Në disa prej aktakuzave të Prokurorisë të ngritura kundër Andi Pajazitit përmendet se ai përdori armë
Autori: Gazeta inFokus 09:19 | 09 August 2023
Në disa prej aktakuzave të Prokurorisë të ngritura kundër Andi Pajazitit përmendet se ai përdori armë
I njohur me nofkën “Italiani”, 29 vjeçari Andi Pajaziti është i njohur për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë.
Dosjet e prokurorisë dhe aktakuzat e ngritura ndaj Pajazitit janë kryesisht për armëmbajtje pa leje, lëndim të lehtë trupor, kanosje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorim i armës.
Dosjes penale të Andi Pajazitit më 4 gusht iu shtua edhe një rast. Ai është i dyshuari kryesor për vrasje të rëndë, pas ngjarjes që ndodhi në orët e mbrëmjes të 4 gushtit në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.
KALLXO.com ka siguruar disa nga aktakuzat që janë ngritur ndër vite ndaj Andi Pajazitit.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Pajaziti masën e paraburgimit po e mban në spital, në Klinikën e Ortopedisë, ku po trajtohet pasi mori plagë nga arma e zjarrit..
Në dosjen e Prokurorisë së Prishtinës për caktimin e masës së sigurisë përmendet fakti se Andi Pajaziti dyshohet se kreu disa vepra penale: vrasje të rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armës si dhe mbajtje në pronësi pa leje të armës.
E kaluara kriminale e Andi Pajazitit është evidente në Polici, Prokurori e Gjykatë.
Katër nga aktakuzat që janë dërguar nga Prokuroria e Prishtinës në Gjykatë kanë përfunduar me dënime me gjoba, tri nga të cilat kanë nisur që të ekzekutohen.
Aktakuza e fundit për 29-vjeçarin, i njohur si “Italiani”, është ajo e datës 24 shtator 2021. Prokuroria e Prishtinës, më saktësisht prokurorja Elza Bajrami, kishte dorëzuar në Gjykatë aktakuzë me kërkesë për shqiptim të urdhrit ndëshkimor për Andi Pajazitin dhe A.M., për shkak të veprës penale – lëndim i lehtë trupor.
Pajaziti së bashku me të akuzuarin tjetër, A.M., sipas Prokurorisë, dyshoheshin se më 21 shtator 2021 rreth orës 11:20 në rrugën “Eqrem Çabej” kishin ndaluar të dëmtuarin M.R. dhe e kishin sulmuar me grushte e shqelma në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i kishin shkaktuar dërrmishje nën shpatullën e djathtë në shpinë dhe në kërcirin e këmbës së djathtë e të cilat kualifikohen si dëmtime të lehta trupore.
Përveç veprës së lëndimit të lehtë trupor, Prokuroria kishte konstatuar se Andi Pajaziti kishte kryer edhe veprën penale – kanosjes ndaj të dëmtuarit.
Prokurorja Bajrami kishte propozuar që të akuzuarve t’u shqiptohej urdhër ndëshkimor, dënim me gjobë pa mbajtje të procesit gjyqësor.
Aktakuza tjetër e Prokurorisë ndaj Andi Pajazitit është ajo e datës 22 qershor 2021. Edhe kjo aktakuzë është dorëzuar nga prokurori Besart Mustafa me kërkesë për shqiptim të urdhrit ndëshkimor, dënim me gjobë pa mbajtje të shqyrtimit gjyqësor.
Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Mustafa, Andi Pajaziti dyshohet për veprën penale të kanosjes.
Ai akuzohej se më 6 maj 2021 rreth orës 18:30 në rrugën “Agron Rrahmani” në Prishtinë me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, pas një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi me dashje kishte kërcënuar të dëmtuarin E.Ç., me fjalët “Pse s’po i lani paret, nëse s’i lani paret shumë shpejt kam me ju vra secilin”.
Një aktakuzë tjetër ndaj të njohurit me nofkën “Italiani” është ajo e datës 16 tetor 2020 për veprat penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, lëndim i lehtë trupor dhe mbajtje në pronësi dhe kontroll ose posedim të armëve pa leje.
Aktakuza ishte ngritur për një rast që kishte ndodhur në vitin 2015 nga prokurorja Javorka Përlinçeviq.
Rasti përshkruhet të ketë ndodhur në orët e mbrëmjes të 11 majit të vitit 2015 në rrugën “Eqrem Çabej”, në Prishtinë. Prokurorja ka përshkruar në aktakuzë se përballë një kafeterie pas një mosmarrëveshjeje paraprake e cila kishte ndodhur në po të njëjtën ditë, Pajaziti kishte vërejtur dy personat me të cilët kishte problemin dhe me armë në dorë kishte vrapuar drejt tyre e më pas kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarve.
Me këto veprime i njëjti akuzohej për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Tutje të dëmtuarit ishin larguar dhe Andi Pajaziti, gjithmonë sipas aktakuzës, së bashku me katër persona të tjerë që në dosje janë persona të paidentifikuar dhe janë të shënuar me “NN”, kishin hyrë brenda Fakultetit të Edukatës Fizike, ku ishin edhe duke ushtruar disa studentë, e që këta të fundit kur e kanë parë tollovinë dhe persona të armatosur kanë dalë jashtë sallës. Kur të dëmtuarit kanë tentuar të mbyllin derën e sallës kishte shkuar Andi Pajaziti aty me disa persona dhe me forcë kishin hapur derën e që më pastaj duke përdorur mjete të forta kishin goditur viktimat në kokë dhe trup, ndërsa Andi Pajaziti dyshohej se kishte goditur me dorezë të pistoletës dy të dëmtuarit S. Gj. dhe K.Gj.
Në deklaratën e dhënë në Polici në lidhje me këtë çështje, Andi Pajaziti kishte thënë se konflikti nisi kur fillimisht kishte kërkuar nga të dëmtuarit që të largoheshin nga rruga dhe këta të fundit i kanë kthyer fjalën dhe kanë përdorur fjalë të rënda dhe duke e gjuajtur veturën e tij me tulla.
Tutje ai kishte deklaruar se dy të dëmtuarit e kishin sulmuar me shkop në trup ndërsa po atë ditë me të njëjtit ishte hasur edhe pas disa orësh e që sipas 29-vjeçarit dy të dëmtuarit sipas Prokurorisë kanë shtënë me armë zjarri në ajër dhe për t’i larguar nga ai vend ai është nisur drejt tyre, gjë që më pas K.Gj., dhe S. Gj., kanë hyrë brenda Fakultetit të Edukatës Fizike. Ai kishte thënë se në këtë rast ishte i dëmtuar jo i dyshuar.
Për këtë rast, Andi Pajaziti ishte dënuar me gjobë prej 3 mijë e 600 eurove për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, 500 euro për mbajtje në pronësi të armës. Vendimin e kishte marrë gjyqtarja Allten Murseli.
Në këtë rast Pajaziti mbrohej nga avokati Fanol Krasniqi.
Për këtë rast, Gjykata kishte hedhur poshtë akuzën e Prokurorisë për dënim me burg për shkak se ishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Dosja penale ndaj Andi Pajazitit nuk përfundon me kaq.
Një tjetër aktakuzë nga prokurorja Bukurie Gjonbalaj ishte ngritur në gusht të vitit 2020 dhe i ishte dërguar Gjykatës së Prishtinës, Departamentit për Krime të Rënda.
Fjala është për rastin e njohur në publik si “Duplex”, në të cilën pati edhe të plagosur. Aktakuza e prokurores Gjonbalaj është për 8 persona, përfshirë edhe Andi Pajazitin. Përveç “Italianit” në këtë aktakuzë ishte përfshirë edhe vëllai i tij.
Në aktakuzën për rastin e “Duplexit”, Andi Pajaziti dyshohej se kishte marrë pjesë në rrahjen e punëtorëve të sigurimit dhe dy personave të tjerë, e cila ka rezultuar me lëndime të rënda të të dëmtuarve.
Andi Pajaziti akuzohej për pjesëmarrje në rrahje.
Në deklaratën e tij të dhënë për rastin, Andi Pajaziti kishte thënë se në natën kritike i njëjti ka qenë duke shkuar në diskotekën “Duplex” të takohej me vëllanë e tij i cili e kishte ftuar ndërsa sa ka qenë duke hyrë brenda kishte parë një përleshje duke ndodhur mes dy personave dhe menjëherë i frikësuar ishte larguar për në shtëpinë e tij dhe kishte mohuar se ka qenë i përfshirë në rast.
Aktakuzë tjetër ndaj Andi Pajazitit ishte edhe ajo e ngritur më 16 shtator 2019 nga prokurorja Hava Krasniqi.
Andi Pajaziti akuzohej për lëndim të lehtë trupor si dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Në këtë aktakuzë janë të përfshirë si të dyshuar katër persona, të cilët prokurorja ka përshkruar se të njëjtit më 27 prill 2017 rreth orës 18:00 në Prishtinë pas një mosmarrëveshjeje që kishin me katër persona në cilësinë e të dëmtuarve, të pandehurit i kishin sulmuar me shkopinj druri dhe u kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Andi Pajaziti në këtë rast akuzohej për përdorim të armës pasi që i njëjti, gjithmonë sipas aktakuzës, dyshohej se gjatë kohës sa ishin sulmuar katër të dëmtuarit, “Italiani” kishte shtënë me armë zjarri.
Në deklaratën e dhënë, Andi Pajaziti kishte thënë se fillimisht ishte duke biseduar me një person tjetër e që më pas kishte dëgjuar disa zhurma dhe kishte parë që vëllai i tij kishte pasur një mosmarrëveshje me disa persona dhe kishte shkuar që t’i ndajë por që nuk e ka sulmuar askënd.
Një aktakuzë tjetër ndaj Andi Pajazitit është edhe ajo e ngritur në vitin 2019 për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Aktakuza e ngritur nga prokurorja Arbreshë Shala tregon se Pajaziti më 3 korrik 2017 ishte në kërkim nga autoritetet dhe kur kishte parë njësitet policore patrulluese kishte tentuar që të largohej dhe Policia i ishte vënë pas.
Duke tentuar që të arratisej dhe mos kapej nga organet e rendit nga pakujdesia gjatë ikjes kishte goditur një lokal dhe i kishte shkaktuar dëm material në vlerë prej 9 mijë eurove e po ashtu dyshohej se kishte rrezikuar personat e tjerë në rrugë.
Për këtë ai akuzohej nga prokurorja Shala për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Aktakuza e ngritur në vitin 2018 nga prokurori Rafet Halimi ishte për lëndim të lehtë trupor. Andi Pajaziti, gjithmonë sipas aktakuzës që ka siguruar KALLXO.com, më datë 10 shkurt të vitit 2012 në orët e mbrëmjes së bashku me tre persona të tjerë të panjohur në atë kohë për prokurorinë kishin sulmuar Gj.B. Ky i fundit deri sa ishte duke ecur në rrugë ashtu siç ka përshkruar Prokuroria, së bashku me shokët e tij, Andi Pajaziti bashkë me tre personat e tjerë e kishin goditur në kokë për disa herë dhe në pjesë të ndryshme të trupit.
Në këtë rast, Gjykata kishte vendosur më 22 prill 2021 që të pushohej procedura penale ndaj të pandehurit pasi që ishte bërë marrëveshje për ndërmjetësim ndaj Andi Pajazitit dhe të dëmtuarit Gj.B.
Gjyqtari në këtë rast ishte Adnan Kamberi. Sërish edhe në këtë rast, Pajaziti mbrohej nga avokati Fanol Krasniqi.
Çka ndodhi në “Bon Vivant”?
Në orët e vona të mbrëmjes së 4 gushtit 2023 Policia kishte pranuar një informacion për të shtëna me armë në një nga lokalet në qendër të Prishtinës, më saktësisht në “Bon Vivant”.
Ekipe të shumta policore kishin rrethuar zonën rreth lokalit ndërsa njoftuan zyrtarisht se nga të shtënat me armë kishte të plagosur e të lënduar.
Të lënduarit morën plagë kryesisht nga thyerjet e shisheve e xhamave pas përleshjes që nisi në “Bon Vivant”.
Dosja e Prokurorisë së Prishtinës, e siguruar nga KALLXO.com, tregon momentin kritik që çoi deri në fillimisht plagosje e më pas vrasjen e Kastriot Ramadanit.
Sipas dosjes, Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti, Dukagjin Nikollaj dhe tashmë i ndjeri Kastriot Ramadani së bashku me një person ende të paidentifikuar rreth orës 23:17 të 4 gushtit gjendeshin në lokalin “Bon Vivant”.
Sipas Prokurorisë, në afërsi të tavolinës ku ishin duke qëndruar Dukagjin Nikollaj e Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar, pranë tyre, duke qëndruar në këmbë, ishin afruar Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.
Dosja e Prokurorisë shpjegon momentin kur palët nxorën armët e zjarrit dhe filluan të gjuajnë në njëri-tjetrin.
Fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili nxjerr armën nga një çantë që e mbante me vete, ku për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj.
Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit. Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë të zjarrit, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.
Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.
Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili edhe kishte ndërruar jetë në QKUK.
Gecaj në përshikrimin e dosjes të Prokurorisë rezulton të jetë pjesëtar i FSK-së.
Gecaj në tërë këtë ngjarje kishte mbajtur në posedim një thikë duke veprar në kundërshtim me ligjin.
13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Andi Pajaziti sipas Prokurorisë po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.
Vepër penale e cila sipas Kodit Penal të Kosovës është e dënueshme me jo më pak se 10 vite dënim me burgim ose me dënim me burgim të përjetshëm.
Pajaziti sipas Prokurorisë dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit Pajaziti del të jetë recidivist i shumë veprave penale.
Të tjera
-
Bedri Hamza iu premton rahovecasve lidhje të kësaj komune me Autostradë
Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza,...
-
KFOR-i thotë se situata përgjatë kufirit Kosovë-Serbi është e qetë
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmua...
-
Përurohet QKMF-ja në Mamushë, Kurti: Do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore
Sot është bërë përurimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në M...
-
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëbim nga Kosova
Autoritetet e Kosovës ia kanë refuzuar kërkesën për azil Sitora Atomamado...
-
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri nga ta lëndohet nga mjeti i mprehtë
Një përleshja ka ndodhur sot në sheshin ‘Adem Jashari” në Skenderaj, ku d...
-
Erëra të forta e shi orët në vijim, komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët: Reduktoni lëvizjet
Komuna e Prishtinës ka dalë me një paralajmërim për orët në vijim për shkak t...
-
Fitoi me çmim më të lartë prej 300 mijë eurove, Bulliqi e shpërblen me tender milionësh biznesmenin e afërt me VV-në
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka shpërblyer edhe njëhe...
-
Krasniqi: Sfidat e mësimdhënësve do të përfundojnë pas 9 shkurti me PDK-në në krye të Qveverisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me Abelard ...
-
KFOR-i as pohon e as mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi
Radio Evropa e Lirë) – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka...
-
Të shtunën ndërpritet për një orë trafiku nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë e deri te udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik
Ministria e Infrastrukturës njofton se nesër në trasenë e Zgjerimit të Rrugës...
-
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri të Gjuhës Shqipe
Sot është dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili 116 vite më parë u unifik...
-
Konjufca pret në takim delegacionin nga Azia Jugore, diskutuan për rritje bashkëpunimi mes të dyja vendeve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delega...