Pushteti i vendosur për të vazhduar punën e Kuvendit, opozita e akuzon për dështim
Autori: Gazeta inFokus
10:05 | 23 Korrik 2023
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje është e vendosur për të vazhduar punën e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përleshjes fizike në seancën e fundit dhe paralajmërimeve të organizatave të dala nga lufta se do t’i pengojnë deputetët të hynë në Kuvend, pas përjashtimit të tyre nga rritja e pagës minimale.
Mirëpo, në Partinë Demokratike të Kosovës, e akuzojnë mazhorancën se përmes polarizimit të skajshëm me opozitën, po dëshiron t’i mbulojë dështimet e qeverisë. Në anën tjetër, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se tensionet në Kuvend kanë krijuar një klimë përçarëse brenda grupeve parlamentare në legjislativ dhe se mund të dëmtojnë mbarëvajtjen e rregullt të seancave plenare.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja thotë për KosovaPress se Kuvendi i Kosovës do të përmbyllë me sukses sesionin pranveror dhe se askush nuk mund të pengojë punën e këtij institucioni.
Ai deklaron se për shkak të vizitës së kryeparlamentarit Glauk Konjufca në Strasburg të Francës, nuk është mbledhur Kuvendi gjatë kësaj jave.
Deputeti i mazhorancës akuzon opozitën, në veçanti deputetët e PDK-së, se kanë tendencë për përdorim dhune në Kuvend, siç thotë ai, për shkak të humbjes së privilegjeve financiare që i kanë pasur më herët.
“Kuvendi do të vazhdojë punën, sepse kështu është në kornizën e jetës sonë demokratike. Kuvendi duhet të funksionojë edhe nëse nuk funksionojnë institucionet të tjera. Duhet me pasë parasysh edhe opozita dhe ata të tjerët që bëjnë këso kërcënime. E para është jo që po e frikësojnë ndonjë kënd, pasi nuk është duke u mbërri efekti. E dyta, Kuvendi e ka një rol të veçantë në jetën tonë demokratike, pasi e ruan një lloj balance në shoqëri, prandaj është e rëndësishme të kuptojnë këta.
E dyta, ka një kamuflim të motiveve dhe ne e vërejmë se opozita ka një tendencë dhunë, ky mund të jetë rasti i dytë apo tretë që kur unë jam deputet. Zakonisht motivet thonë Mimoza, Mimoza, por ata shkojnë tek financat pasi aty iu dhemb. Motivet janë ekskluzive financiare, humbja e privilegjeve që i kanë pasur më herët”, thekson Muja.
Mirëpo, të kundërtën e thotë deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Ai deklaron për KosovaPress se Qeveria Kurti po tenton t’i mbulojë dështimet e veta duke provokuar dhe sulmuar opozitën.
“Polarizimi rrjedh si rezultat i mosrealizimit të objektivave shtetërore të qeverisë. Në kuadër të dështimeve të tyre edhe politike, sferën ekonomike dhe atë të legjislacionit, tanimë është orvatur që përmes zëvendëskryeministrit dhe ministrave të caktuar të provokojë opozitën. Parimisht ka dy vjet që opozita ka qenë më shumë sesa e heshtur konstruktive, pasi vetëm në pjesën e legjislacionit kemi dhënë kontributin tonë maksimal që të tejkalohen sfidat që ballafaqohet shteti”, thotë deputeti opozitar.
Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj thotë për KosovaPress se grushtimi në Kuvend ndërmjet ministrave dhe deputetëve të PDK-së, ka krijuar polarizim të skajshëm mes pushtetit dhe opozitës.
Kjo sipas tij, mund të cenojë punën e rregullt në seanca plenare, derisa potencon se legjislativi deri tani ka pasur performancë të dobët.
“Ajo çka ka ndodhur në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës është si pasojë e polarizimit të skajshëm ndërmjet pozitës dhe opozitës, sidomos qeverisë dhe opozitës. Padyshim kjo ka ardhur si pasojë e një gjuhe të përdorur në legjislaturat e kaluara por edhe në këtë legjislaturë. Çdo aktivitet i tillë e cenon punën e rregullt në seancë plenare…Kuvendit i kanë mbetur shumë punë të pakryera deri në mbylljen e sesionit pranveror. Me nivelin e punës që e ka karakterizu këtë sesion, mund të themi se nuk dallon shumë nga ai i vitit të kaluar kur kemi thënë se Kuvendi ka pas performancë shumë të dobët”, shton Jakaj.
Rrahja në Kuvend (13 korrik) ka nisur gjatë kohës sa ka qenë duke folur kryeministri Albin Kurti. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu i ka vendosur Kurtit në foltore një fotografi, në të cilën ai shihet me hundë të gjatë si “pinokio”. Ajo fotografi është larguar dhe shqyer nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Pas kësaj, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku është afruar për ta lagur me ujë kryeministrin Kurti. Ministri Hekuran Murati është ngritur për të mbrojtur atë me një fashikull e Lushtaku është kthyer që ta lagë edhe Besnik Bislimin, i cili ka gjuajtur me shishe të ujit Lushtakun. Pastaj, aty janë afruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së, të cilët janë përfshirë në rrahje.
Pas tensioneve, deputetët opozitarë janë larguan nga salla, ndërsa mazhoranca ka vazhduar seancën plenare, me ç’rast ka miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh, mes tjerash edhe Ligjin për pagën minimale, pa i përfshirë kategoritë e dala nga lufta. Miratimi i projektligjit në fjalë ka nxitur reagimin e këtyre kategorive, të cilat kanë paralajmëruat se në seancën e radhës të Kuvendit, do të protestojnë dhe pengojnë hyrjen e deputetëve në objektin e Kuvendit.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës e ka kontestuar seancën e 13 korrikut, në të cilën janë miratuar këto projektligje, në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tyre, është thirrur në shpërputhje me rregulloren e Kuvendit.
Po ashtu, AAK-ja e ka dërguar Ligjin për pagën minimale në Gjykatën Kushtetuese.

T� tjera
-
Ramadani: Kur shteti nuk e mbron një grua, kush mban përgjegjësi për jetën e saj?
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar për rastin e gruas nga Vitomi...
-
Projeksioni i fundit me 96% të mostrës: Lista studentore 140 mandate, Koalicioni Shqiptar dy
Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë, sipas proje...
-
Byroja për konfiskimin e pasurisë në rend dite të dy komisioneve parlamentare
Dy komisione parlamentare do të shqyrtojnë sot çështje që lidhen me Projektli...
-
Vrasja e gruas në Vitomiricë të Pejës, kunati i dyshuar ende në arrati
Një grua u gjet e vdekur të dielën mbrëma në shtëpinë e saj në Vitomiricë të ...
-
Mblidhet Kryesia e Kuvendit, në rend dite projektligji për buxhetin e vitit 2026
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot, më 26 tetor, me fillim nga ...
-
Le’tra tronditëse që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritej
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni ...
-
Kurti uron “Koalicionin Shqiptar” për rezultatin në zgjedhjet në Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar “Koalicionin Shqiptar” për rez...
-
Ky është i dyshuari për vrḁsjen me sëpatë të kunatës në Pejë – viktimḁ ishte kthyer nga Policia në shtëpi vetëm pak minuta para krimit
Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e personit të dyshuar për vrasjen brut...
-
Tragjedia në Vitomericë/ Avokatja zbulon fjalët e fundit të Arlindës, që u vra nga kunati me sopatë: “Nuk më duhet jeta pa djalin”
Avokatja Adelina Hoxha ka reaguar pas vrasjes së Arlindës, e cila dyshohet se...
-
CRTA: Lista Studentore kryeson me 51,47 për qind të votave
Lista Studentore kryeson në zgjedhjet parlamentare në Serbi me 51,47 për qind...
-
Burri nga Deçani e vret në Vitomericë kunatën e tij
Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur në Vitomericë të Pejës, ku një bur...
-
CeSID: Koalicioni Shqiptar, dy mandate në Serbi
“Koalicioni Shqiptar” pritet të përfaqësohet nga dy deputetë në parlamentin s...
































