Lajme

Sveçla: Vulini është vetëm njëra nga lidhjet e Beogradit me Moskën

Autori: Gazeta inFokus 23:11 | 11 July 2023

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur lajmin se shefi i shërbimeve sekrete të Serbisë, ish-ministri i brendshëm dhe aleati kryesor e kyç i Vuçiqit është sanksionuar sot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, Aleksandar Vulin bartës i pozitave kyçe në shtetin serb akuzohet për avancimin e korrupsionit brenda institucioneve serbe, trafikimin e armëve e krimin e organizuar transatlantik e më e rëndësishmja “përdorimi i pozitave publike për të mbështetur Rusinë, për të lehtësuar aktivitetin malinj të Rusisë që degradon sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe i ofron Rusisë një platformë për të përhapur më tej ndikimin e saj në rajon”.

“Vulini është vetëm njëra nga lidhjet e Beogradit me Moskën, vetëm njëri nga ndërmjetësit që bëjnë bashkë Vuçiqin e Putinin. Kohët e fundit Vulini kishte marrë pjesë dhe në “konferencën e sigurisë” të organizuar në Moskë. Kjo është thjesht prova dhe dëshmia e radhës se Serbia, për sa kohë udhëhiqet nga një politikë e pa-demillosheviqizuar, shërben si vegël e Rusisë për destabilizim të Ballkanit”, ka thënë Sveçla.

-Advertisement-

Tutje, ai ka shtuar se klika e përfaqësuar nga Vuçiqi e Vulini e aleatët e tyre janë sputnikë të Kremlinit edhe pse vazhdimisht luajnë lojën e “të paangazhuarve”.

“Me rëndësi është dhe të kujtojmë që Vulini, i sanksionuar sot nga SHBA-të, njihet dhe si një nga promotorët kryesorë të idesë të ‘Botës Serbe’, frymëzuar nga ideja e ‘Botës Ruse’”, ka thënë ai tutje.

“Në korrik 2021, Vulin thoshte: ‘Që Bota Serbe të bëhet, Serbia duhet të jetë e suksesshme ekonomikisht, të udhëhiqet mirë, të ketë një ushtri që është e aftë ta ruajë atë dhe serbët pa marrë parasysh se ku jetojnë. Për të ruajtur një Serbi të tillë duhet të bëjmë gjithçka për të vazhduar politikën e Aleksandër Vuçiqit’”, ka shtuar më tej ministri.

Sipas tij, ende deri më sot Vuçiqi dhe udhëheqësit e Serbisë nuk janë distancuar nga projekti kërcënues “Bota Serbe”, nuk janë distancuar nga Rusia, nga krimet e të shkuarës, e as nga Millosheviqi.

“Ata ende udhëhiqen nga politikat e proklamuara nga Vulini, që sot u sanksionua nga ShBA”, ka përfunduar Sveçla.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera