Lajme

“Zgjidhjet” për Veriun, MacShane propozon zhvendosjen e serbëve, Ker-Lindsay shkëmbim territoresh

Autori: Gazeta inFokus 18:43 | 06 July 2023

Ish-ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Evropë dhe Amerikën Veriore, Denis MacShane dhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, James Ker-Lindsay kanë bërë një debat në rrjetin social “twitter” për veriun e Kosovës si një problematikë të pazgjidhur dhe për ato që sipas tyre do të ishin zgjidhje.

MacShane teksa ka komentuar një artikull të “Financial Times” se si serbët refuzojnë të jetojnë në veri të Kosovës në paqe, ka pyetur nëse mund të ketë një marrëveshje të madhe ndërkombëtare që lejon zhvendosjen e tyre në Serbi.

Ai ka thënë se s’ka nevojë për “helmin e supremacisë protestante” në Irlandën e Veriut apo për “urrejtjen e Kashmirit” që ta infektojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

-Advertisement-

Megjithatë Ker-Lindsay e konsideron si problematike idenë e MacShane për zhvendosje të serbëve të Kosovës në Serbi. Sipas tij, një lëvizje e tillë do të vendoste një precedent shqetësues. Sipas tij, një marrëveshje për territore do të ishte më e arritshme.

Ker-Lindsay thotë se serbët qëndrojnë thjeshtë në shtëpitë e tyre, dhe pasi bien në gjumë nën kontrollin e Kosovës, të nesërmen zgjohen zyrtarisht nën autoritetin e Serbisë.

“Zhvendosja është problematike. Do të duhej të ishte vullnetare. Dhe do të krijonte një precedent shqetësues. Një marrëveshje për territorin është më e mundshme. Njerëzit qëndrojnë në shtëpitë e tyre, por shkojnë në shtrat një natë nominalisht nën kontrollin e Kosovës, dhe të nesërmen zgjohen zyrtarisht nën autoritetin e Serbisë” ka shkruar Ker-Linday, raporton Express.

MacShane ka reaguar ndaj propozimit të Ker-Lindsay, duke thënë se s’i pëlqen ideja e ri-ndarjes apo shkëmbimit të territoreve. Ai thotë se i pëlqen të ketë sa më pak rrëmujë në rajonet që e dëmtojnë edhe Evropën, shkruan Express.

Ker-Lindsay i është përgjigjur përsëri, duke i thënë se transferimi i popullatës i duket problematik. Gjithashtu thotë se një zhvendosje e detyrueshme do të ishte kundër ligjit ndërkombëtar.

Ker-Lindsay mbetet tek ideja e tij e shkëmbimit të territoreve për të cilin ka konsensus, gjë qe e sheh plotësisht të pranueshme.

“Por një transferim konsensual i tokës midis dy shteteve është krejtësisht i pranueshëm”, ka shkruar Ker-Lindsay.

Tutje analisti politik britanik thotë se është plotësisht dakord që problemi i Kosovës duhet të zgjidhet si një hap drejt vendosjes së stabilitetit më të gjerë në rajonin e Ballkanit.

Ai potencon se nëse një marrëveshje përmes shkëmbimit të territoreve bën që Serbia ta njohë Kosovën shtet dhe të mbyllet problematika, thotë se gjithmonë e ka parë si diçka që ia vlen të hulumtohet, meqë është edhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera