Ndëshkimet e BE-së ndaj Kosovës – si u panë nga ndërkombëtarët dhe partitë opozitare në vend
Autori: Gazeta inFokus 09:14 | 02 July 2023
Bashkimi Evropian ka vendosur disa masa ndaj Kosovës, për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të vendit.
Është thënë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.
Madje nga BE-ja kanë deklaruar se për këto masa Qeveria e Kosovës ishte njoftuar më 28 qershor, dhe se të njëjtat mund të tërhiqen mbrapa varësisht nga zhvillimet dhe vendimet e kryeministrit Albin Kurti.
E pas këtij vendimi të BE-së, kanë ardhur reagime të shumta si nga politikanët vendor por edhe ata të huaj. Për paralajmërimet e BE-së për vendosjen e këtyre masave, ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.
Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë ditë më parë, tha se Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen aleatin më të sinqertë e më të qëndrueshëm.
Ai po ashtu theksoi se me raste kanë qenë kritikë ndaj BE-së, por asnjëherë cinikë e të hidhëruar.
“Komisioni Evropian ka prezantuar dje para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen partnerin e saj dhe aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka qeverinë, të tillë e ka popullin. Me raste kemi qenë kritikë ndaj BE-së por asnjëherë cinike e të hidhëruar. E nuk jemi as sot. Vitin e kaluar dorëzuam aplikimin tonë për anëtarësim e atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni”, ka thënë Kurti.
Reagime ka pasur edhe nga opozita në Kosovë, të cilët kanë kritikuar kryeministrin Kurti për qasjen e tij ndaj BE-së dhe SHBA-së.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se nuk janë shumë të rëndësishme vlerat e humbura nga sanksionimi sa është i madh dëmi që i është bërë Kosovës në raport me ndërkombëtarët.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se
“Kosova sot është e përçarë nga brenda, dhe e sanksionuar nga aleatët. Ky është rezultati i qeverisjes së Albin Kurtit. Vlerat monetare të humbura nga ky sanksionim janë pakrahasimisht më të vogla se dëmi që i është bërë kredibilitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar ajo, transmeton Telegrafi.
“Unë e di që Kurtit nuk i bëhet vonë as për MSA e as për IPA. Tek e fundit ai dhe VV nuk kanë votuar për ratifikimin e MSA në Kuvend. Por, Kosova nuk i takon një njeriu”, ka shkruar Çitaku.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar duke thënë se Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian.
Abdixhiku ka shkruar në Facebook se Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot, derisa ka shtuar se Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani.
“Pezullim i fondeve të BE-së; Pezullim i MSA-së, Pezullim i takimeve të nivelit të lartë, Pezullim i vizitave bilaterale. Sanksione Kosovës, avancim për Serbinë. Si qenka kjo fitore për ne? Teksa ne përjashtohemi nga programet ushtarake me NATO-n; Serbia vazhdon misionet paqeruajtëse me ta”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai thotë se “Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani. Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”, ka shkruar Abdixhiku.
Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se masat e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e ShBA-së, e dëshmojnë se sa e rrezikshme është gjendja.
“I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit”, ka shkruar Haradinaj.
Më tej ai ka thënë se “sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë”.
E kritikë ndaj BE-së, për qasjen ndaj Kosovës kanë pasur gazetari gjerman Michael Martens, dhe eurodeputeti gjerman Reinhard Butikofer.
Ata kanë hedhur dyshime në kredibilitetin e përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, derisa e kanë quajtur absurde vendimin e BE-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës, por jo edhe ndaj presidentit serb.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre, ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor. /Telegrafi
Të tjera
-
Inaugurohet busti i heroit kombëtar Hasan Prishtina në Tropojë
Fondacioni “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë, kanë inaugu...
-
FSK-ja përfundon ushtrimin fushor në qitje e manovra me municion lụftarak
Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të Regjimentit të parë të këmbësoris...
-
61-vjeçarja nga Shkupi sjell në jetë fëmijën e saj të parë
Një grua ka sjell në jetë fëmijën e saj të parë në moshën 61-vjeçare. Sipa...
-
“O paramendone Fitore Pacolli nuk flet me daj të vet”- Shokon Dimal Berisha me këtë deklaratë për Fitore Pacollin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka qenë i ftuar në “Podcast me ...
-
VV-ja shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit
Partitë politike në Kosovë po përgatiten për zgjedhjet parlamentare të 9 shku...
-
Gazetari i BBC e pyet Vuçiqin për luftë të mundshme Kosovë- Serbi, ja si përgjigjet ai
Në një intervistë në emisionin “HARDtalk” në BBC, presidenti i Serbisë, Aleks...
-
Policia kërkon ndihmë nga qytetarët për kapjen e dy përsonave, dyshohet për dy vepra penale
Policia e Kosovës më saktësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren-Sekt...
-
Më 17 dhjetor takimi i radhës në dialog
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve pritet të...
-
Njeriu më i vjetër në botë vdes në moshën 112 vjeçare
BBC ka raportuar ka vdekur njeriu më i vjetër në botë. Lajmi u b...
-
Kamala Harris planifikon një rikthim të madh politik
Zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris nuk është bërë shumë e reklamuar ...
-
Gërvalla pyetet për kritikat e Osmanit: Jemi në konventën e industrisë së drurit, për të tjerat… flasim
Kryediplomatja Donika Gërvalla ka refuzuar të përgjigjet në lidhje me kritika...
-
Vjosa Osmani do të bëjë përurimin e ambasadës së Kosovës në Kolumbi, Gërvalla: Ndihem e nderuar
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka quajtur rezultat histori...