Lajme

Pas konfiskimit të armatimit në veri, Kurti: Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës

Autori: Gazeta inFokus 16:59 | 24 June 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të shtunën se Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës në veri të vendit.

Këtë deklarim Kurti e ka bërë në llogarinë e tij në Facebook, ku ka publikuar edhe pamje të armatimit e pajisjeve ushtarake të cilat janë sekuestruar një ditë më parë nga Policia e Kosovës në Zveçan.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ndërsa kryeministri ka thënë se është parandaluar sulm terrorist duke zbuluar në Zveçan, 100 metra afër objektit të Komunës, një veturë me shumë armë, municion e pajisje të ndryshme ushtarake.

-Advertisement-

“Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”

Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara. Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës”, ka shkruar kreu i ekzekutivit në Facebook.

Tutje, ai ka thënë se përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë duke rrëmbyer tre zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste.

“Unë i jam falënderues PK-së dhe AKI-së për punën që po bëjnë gjithë këto kohë në ruajtën e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe në parandalimin e krimit e terrorizmit në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Kurti.


Sot, në kampin “Belvedere” në Mitrovicë u ekspozua armatimi, i cili është konfiskuar mbrëmë në një veturë me targa të Beogradit në Zveçan.

Në veturën Audi që është sekuestruar janë gjetur dhe sekuestruar: 9 zolla, dy lansues, 2 osa, 1 predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha të tromblonit, dy mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole, një shurdhues i armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, 5 karikatorë të armëve të shkurta, 5,756 fishekë të kalibrit të ndryshëm.

Po ashtu janë sekuestruar 18 koktej molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mjete tymuese, 5 thika ushtarake, 11 jelekë anti plumb dhe jelek taktik, 9 uniforma ushtarake, një palë dylbi, dy maska pambuku për kokë, në maskë kundër helmeve dhe gazrave, një dyshek ushtarak për nevojat e snajperëve 19 emblema të Severna të Brigadës, një telefon ajrorë me sim kartelë dhe me numër, tre radiolidhje me mbushje po ashtu, si dhe një sasi e narkotikëve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera