Lajme

NATO: Po i marrim shumë seriozisht ngjarjet në veri të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 10:26 | 18 June 2023

NATO tha se po ndërmerr të gjitha hapat për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes në veri të Kosovës. Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, shtoi se misioni i aleancës ushtarake perëndimore në Kosovë, KFOR, merr “shumë seriozisht” ngjarjet në veri të Kosovës.

“Zbatimi i mandatit të tij nga KFOR është i palëkundur, siç dëshmohet edhe me dislokimin e 500 trupave shtesë. Ne edhe një herë ua kujtojmë të gjitha palëve obligimet e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, përfshirë respektimin e vijës kufitare administrative, procedurave për Policinë e Kosovës dhe marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri. Këto obligime janë dizajnuar për të siguruar veprim të koordinuar, për të shmangur përshkallëzimin, për të ruajtur dhe siguruar mjedis të sigurt”, u tha në reagimin e NATO-s.

Sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kosovës, që i dha fund luftës në Kosovë, KFOR është përgjegjës për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës.

-Advertisement-

Më 14 qershor, në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, janë arrestuar tre policë kufitarë të Kosovës nga forcat serbe. Serbia pretendon se ata janë arrestuar “thellë” brenda territorit të saj. Por, Kosova thotë se ata janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.

KFOR-i, si përgjegjësi kryesor për sigurinë e territorit të Kosovës, ka thënë më 16 qershor se “bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”.

Ndaj tre policëve të Kosovës, një gjykatë në Kralevë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë policët e Kosovës, që sipas Uashingtonit, po mbahen në paraburgim nën akuza të pabaza.

Rasti i tre policëve të Kosovës vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Serbët në këtë zonë po protestojnë që nga 26 maji, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera