Lajme

Nëntë vjet nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 08:02 | 08 June 2023

Sot mbushen nëntë vjet nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, pas shpërbërjes së Kuvendit të atëhershëm, i cili kishte disa muaj që ishte jofunksional për shkak se qeveria kishte humbur përkrahjen e shumicës.

Ishte data 7 maj 2014 kur koalicioni qeverisës PDK-AKR u shemb me iniciativë të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, pa dëshirën e presidentit të AKR-së, Behxhet Pacolli.

Ishte presidentja e atëhershme e vendit, Atifete Jahjaga e cila kishte pritur në takim Thaçin, Pacollin, por edhe liderin e opozitës së atëhershme, Isa Mustafa, ku u vendos që të shpërndahet Kuvendi. Mocioni ishte kërkuar nga 57 deputetë nga PDK-ja dhe LDK-ja, si rezultat i një marrëveshjeje paraprake mes këtyre dy partive.

-Advertisement-

Kuvendi i Kosovës u shpërnda më 7 maj 2014 me 90 vota për, 4 kundër dhe 3 abstenime. Kjo shpërbërje e detyroi vendin të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 8 qershor 2014, ani pse nuk ishte hera e parë që vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Zgjedhjet 2014 u mbajtën sipas ligjit të vjetër zgjedhor, pasi me gjithë reformën e filluar atëherë, udhëheqësit e subjekteve politike nuk arritën pajtueshmëri mbi ligjin e ri për zgjedhjet.

Në këto zgjedhje garuan 30 subjekte politike, ndër të cilat 18 parti, 7 iniciativa qytetare, 1 kandidat i pavarur dhe 4 koalicione. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) së bashku me partitë e koalicionit mori 222.181 vota apo 31.38 %, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), 184.596 vota apo 25.24 %, Lëvizja Vetëvendosje 99.397 vota apo 13.59%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 69.793 vota apo 9.54%, Lista Serbe 38.199 vota apo 5.22% dhe Nisma për Kosovën 37.681 vota ose 5.15%.

Menjëherë pas zgjedhjeve, LDK, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, që në skenën politike njihen si VLAN, ishin barrikaduar kundër PDK-së, duke deklaruar njëzëri se nuk bashkëqeverisin me PDK-në. Madje kishin formuar një koalicion, ku ishin shumicë dhe provonin të krijonin Qeverinë me Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte parë jo-kushtetuese aktin e partive jo-fituese të zgjedhjeve dhe ua kishte pamundësuar atyre marrjen e drejtimit të Qeverisë. Sipas kësaj gjykate, mandati për të krijuar qeverinë i takon partisë fituese të zgjedhjeve, e që në këtë rast ishte PDK.

Ngërçi politik i vitit 2014, zgjati për 6 muaj, derisa LDK kishte vendosur ta heqë “L”-në nga “VLAN”, duke e lënë vetëm si VAN.

Në dhjetor të atij viti, Isa Mustafa kishte pranuar ofertën e Hashim Thaçit, atëherë kryetar i PDK-së. Marrëveshja parashihte Isa Mustafën kryeministër dhe Hashim Thaçin president republike pas përfundimit të mandatit të Atifete Jahjagës.

Qeveria LDK-PDK ishte votuar në dhjetor të 2014, ku Isa Mustafa ishte votuar për kryeministër, e Hashim Thaçi fillimisht si zëvendës i tij e ministër i Jashtëm, derisa i erdhi koha për presidencë./kp

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera