Lajme

Haradinaj: Kurti paraqet rrezik për vendin, të largohet menjëherë nga Qeveria

Autori: Gazeta inFokus 16:47 | 31 May 2023

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se është i shqetësuar për situatën e krijuar në veri të vendit.

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë, ai pohoi se situata është më e rëndë që nga viti 1999, duke shtuar se përgjegjës është vet kryeministri Albin Kurti.

Prandaj sipas tij, ai duhet të largohet nga qeverisje ngase po paraqet rrezik për vendin.

-Advertisement-

“Jam shumë i shqetësuar për situatën në vend. Ajo sot është më e rënda që nga viti 1999.  E shoh përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj situate, Kryeministrin Albin Kurti.  Prandaj ai duhet të largohet menjëherë. Çdo ditë e mbetjes së tij në krye të Qeverisë, është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se është hera e parë në histori që miku më i madh i Kosovës, ai që luftoi për lirinë tonë dhe që i vuri themelet e shtetit të pavarur të Kosovës, Amerika, i vendos sanksione Kosovës.

“Dhe fajtor për këtë është një njeri, Albin Kurti.  Prandaj u bëj thirrje të gjithë atyre që ia duan të mirën vendit të tyre, qofshin në Vetëvendosje apo në partitë tjera politike, qytetarë në vend e në diasporë, që sot ta ndihmojnë Albin Kurtin, dhe ndihma e vetme e tyre është që ta bindin Albin Kurtin që të largohet nga kreu i Qeverisë, sepse është bërë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen e këtij vendi”, tha Haradinaj.

I pari i AAK-së shtoi se kështu e ndihmojnë Kosovën, por e ndihmojnë edhe atë.

“Ai i cili i sjellë sanksione Kosovës nga Amerika, (kushdo qoftë ai) nuk mund ta drejtojë këtë vend”, tha ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera