Lajme

SHBA: Ka ardhur koha që Suedia të anëtarësohet në NATO, Turqia të heqë dorë nga kundërshtimet

Autori: Gazeta inFokus 08:49 | 31 May 2023

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të martën se “ka ardhur koha” që Turqia të heqë dorë nga kundërshtimet e saj ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO, dhe tha se administrata e Bidenit gjithashtu beson se Turqisë duhet t’i sigurohen avionë luftarakë F-16 “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Blinken gjithashtu tha se administrata nuk i konsideron dy çështjet si të lidhura me njëra-tjetrën, por pranoi se disa ligjvënës amerikanë e shohin ashtu.

Të hënën, presidenti Joe Biden i lidhi tërthorazi këto dy çështje gjatë një bisede telefonike me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.“Kam folur me Erdoganin dhe ai ende dëshiron të punojë për diçka për F-16. I thashë se ne duam një marrëveshje me Suedinë. Pra, le ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Biden.

-Advertisement-

Pavarësisht kësaj, Blinken këmbënguli se dy çështjet ishin të ndryshme. Megjithatë, ai theksoi se përmbushja e të dyjave do të forconte në mënyrë dramatike sigurinë evropiane.

“Të dyja këto janë jetike, sipas gjykimit tonë, për sigurinë evropiane”, u tha Blinken gazetarëve në një konferencë të përbashkët shtypi në qytetin verior suedez të Lulea me kryeministrin suedez Ulf Kristersson.

“Ne besojmë se të dyja duhet të shkojnë përpara sa më shpejt që të jetë e mundur; do të thotë pranimi i Suedisë dhe ecja përpara në paketën F-16 më gjerësisht”. “Ne besojmë se koha është tani,” tha Blinken.

Ai nuk pranoi të parashikonte se kur Turqia dhe Hungaria, i vetmi anëtar tjetër i NATO-s që nuk e ka ratifikuar ende anëtarësimin e Suedisë, do të jepnin miratimin e tyre.

Por, tha ai, “ne nuk kemi asnjë dyshim se mund të, duhet të, dhe ne presim që të bëhet” deri në kohën kur liderët e aleancës takohen në Vilnius, Lituani në korrik në një samit vjetor.

I sapo dalë nga një fitore e fortë e rizgjedhjeve gjatë fundjavës, Erdogan mund të jetë i gatshëm të zbusë kundërshtimet e tij ndaj anëtarësimit të Suedisë.

Erdogan akuzon Suedinë se nuk ka reaguar ndaj grupeve që Ankaraja i konsideron si terroriste dhe një seri protestash për djegien e Kuranit në Stokholm zemëruan bazën e tij mbështetëse fetare – duke e bërë qëndrimin e tij të ashpër kundër Suedisë edhe më popullor.

Kristersson tha se të dy palët kishin qenë në kontakt që nga votimi i së dielës dhe nuk shprehu asnjë hezitim për të folur për përfitimet që Suedia do t’i sjellë NATO-s “kur të bashkohemi me aleancën”.

Blinken është në Suedi për të marrë pjesë në një takim të Këshillit të Tregtisë dhe Teknologjisë SHBA-BE dhe do të udhëtojë në Oslo të Norvegjisë të mërkurën për një mbledhje të ministrave të Jashtëm të NATO-s, përpara se të shkojë në Finlandë, anëtaren e sapo pranuar të aleancës, të premten.

Duke folur në Oslo përpara takimit të ministrave të Jashtëm, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se qëllimi është që Suedia të bëhet pjesë e Aleancës përpara samitit të liderëve në korrik.

“Nuk ka garanci, por është absolutisht e mundur të arrihet një zgjidhje dhe të mundësohet vendimi për anëtarësimin e plotë të Suedisë deri në samitin e Vilniusit”, tha Stoltenberg./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera