Lajme

Mbrojtja e Thaçit vazhdon marrjen e dëshmitarit të pestë në pyetje

Autori: Gazeta inFokus 14:45 | 18 May 2023

Mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Albert Moskowitz, është duke vazhduar ta marrë në pyetje dëshmitarin e pestë (me kodin 3165) në gjykimin ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.  

Dëshmia e këtij dëshmitari, është duke u dhënë një pjesë në seancë private dhe një pjesë në seancë publike, por që edhe pjesa e seancës publike është duke u përshkruar me përmbajtje të redaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky dëshmitar, ka deklaruar se në veturën ku kishin qenë të afërmit e tij, kishte parë personin (numrin 1) dhe personin tjetër (numrin 2), kurse kur kishte mbërritur në pozicionin B, jashtë veturës kishte parë numrin 2 dhe 3.

-Advertisement-

E që pas kësaj, një pjesë e dëshmisë së tij ka qenë me përmbajtje të redaktuar dhe private dhe po ashtu ka pasur vështirësi në dëgjimin e përgjigjeve po/jo të dëshmitarit

Tutje, dëshmitari ka deklaruar lidhur me nisjen e tij në pozicionin D, ku tha se kishte qenë në veturë me numrin 3 me një shpejtësi prej 100 km/h.

Ai tha se me të parë një veturë të parkuar në anë të rrugës, ishte ndalur dhe ishte afruar asaj dhe kishte biseduar me personin (numrin 4).

I njëjti tha se nuk e di numri 3 a ka dalë nga vetura, por e di që ai personalisht ishte afruar dhe se numrin 4 e kishte njohur, pasi që i kishte dajtë nga vendi i tij, kurse tha se numrin 5 nuk e kishte njohur dhe për emrin e tij kishte dëgjuar shumë vonë.

Atë veturë ai e përshkroi me ngjyrë të kaltër të mbylltë dhe tha se ishte ‘Golf 3’, ndërkaq se sa zgjati kjo bisedë, ishte me përmbajte të redaktuar.

Po ashtu,  kur avokati Moskowitz lexoi deklaratën e numrit 3 që kishte thënë se vetura nuk kishte qenë e parkuar por ishte në lëvizje, se ishte ‘Fiat’ dhe jo ‘Golf’ dhe se me të kishte shkuar edhe numri 3 e që kishte pasur mundësi të shikonte numrin 4 e që kishte thënë se ishte veshur jo me të zeza po kamuflazh, atëherë DhSK vendosi që edhe kjo pjesë të jetë me përmbajtje të redaktuar.

Sërish seanca ka vazhduar në sesion privat.

Ndryshe, para pushimit të drekës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka thënë se në seancën e sotme të pranishëm në sallë janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, kurse Jakup Krasniqi është duke i përcjellur përmes video-lidhjes.

Dëshmitari i pestë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, pohon se ka qenë pjesëtar i UÇK-së

(E përditësuar, ora 11:13)- Dëshmitari i pestë me kodin 3165, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka pohuar se i është bashkëngjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) më 25 korrik 1998.

Këtë deklarim, i njëjti e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, Albert Moskowitz.

Dëshmitari tha se një ushtar kishte ardhur te ai dhe i kishte thënë se iu duhen përforcime te një fshat, kundër forcave serbe.

I njëjti tha se për të dalë në mbrojtje të këtij fshati, kishte shkuar në 2 të natës dhe se tek të nesërmen komandanti i kishte marrë shënimet.

Ai mohoi të iu kishte dhënë ndonjë mjet identifikimi se kishte qenë anëtar i UÇK-së.

“Nuk më kanë dhanë”, tha ai.

Po ashtu, dëshmitari tha se uniformë në atë kohë nuk kishte pasur, por që kishin blerë copa materialesh dhe i kishin prerë ato.

I pyetur nga Moskowitz se a kishte mundur çdokush të blente material dhe të bënte uniformë, ai tha se ‘‘nuk besoj që dikush ka ble uniformë pa qenë pjesë e UÇK-së’’.

Lidhur me armën, ai sqaroi se ia kishte dhënë një bashkëfshatar, për të cilin tha se ishte dalë e më pas ishte kyçur sërish në UÇK.

Më pas, nga avokati Moskowitz është kërkuar të kalohet në seancë private.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera