Lajme

Lajçak: Më 2 maj fillon krijimi i Asociacionit, do t’u përmbahemi modeleve europiane

Autori: Gazeta inFokus 19:11 | 27 April 2023

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se është me rëndësi që sa më shpejt të përcaktohet statusi dhe kompetencat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçaku, në një intervistë për median sllovake “Dennikn”, tha se takimi i 2 majit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në agjendë do të ketë fillimin e procesit të krijimit të Asociacionit.

“Për mua është e rëndësishme që më 2 maj të kemi një takim të planifikuar mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, ku në agjendë do të jetë fillimi i procesit të krijimit të këtij komuniteti. Do të prezantohet drafti i statutit të saj, që është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, deklaroi Lajçak.

-Advertisement-

Ai po ashtu tha se Aneksi i Ohrit fillimisht ishte shumë më ambicioz si plan se sa dokumenti final, por që më vonë u ndryshua.

“Nga këndvështrimi që sapo fola, jam i kënaqur. Megjithatë, nuk do ta fsheh faktin se fillimisht u përpoqëm të biem dakord për një aneks më ambicioz të zbatimit, i cili do të ishte më i detajuar dhe më i lehtë për t’u kontrolluar. Megjithatë, të gjitha parimet kryesore janë në dokumentin e rënë dakord”, tha ai.

Emisari i BE-së tha se për krijimin e Asociacionit do t’i përmbahen modeleve ekzistuese evropiane.

“Qëllimi është përcaktimi i statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe të pakicës serbe në Kosovë. Ne e shohim këtë si një mundësi për të qartësuar disi marrëdhëniet ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë të definohet roli i Serbisë në mbështetjen e serbëve të Kosovës”.

“Është një temë e ndjeshme, flitet shumë për të, por për mua është e rëndësishme që më në fund të fillojmë të përcaktojmë se çfarë do të thotë Asociacioni, cili do të jetë statusi i tij, cilat do të jenë kompetencat e tij. Ne do t’i përmbahemi modeleve ekzistuese evropiane”, u shpreh Lajçaku.

Mes tjerash, Lajçak në këtë intervistë foli edhe për moskrijimin e Asociacionit nga ana e Kosovës, gjë të cilën e mori përsipër për ta përmbushur si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

“Thelbi i asaj marrëveshjeje ishte se Serbia nga njëra anë do të shpërbënte strukturat paralele në Kosovë, kryesisht policinë dhe gjyqësorin, të cilat më pas do të bëheshin pjesë e sistemit juridik të Kosovës. Dhe në anën tjetër, Kosova do të krijojë një Asociacion të komunave serbe. Pjesa e parë ndodhi, e dyta jo. Nuk dua të shkoj në të kaluarën dhe të vlerësoj pse ndodhi”, u shpreh Lajçak.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera