Lajme

Macron synon që plani për pensione të nisë së zbatuari deri në fund të vitit

Autori: Gazeta inFokus 15:12 | 22 March 2023

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të mërkurën se pret që projektligji për pensionet të hyjë në fuqi “deri në fund të vitit”.

Macron e ka miratuar këtë projektligj, pa miratim në parlament.

Ai i ka bërë këto komente në një intervistë në transmetuesin kombëtar, duke thënë se projektligji për rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 64 vjeç, do të “vazhdojë rrugën demokratike”.

-Advertisement-

Këshilli Kushtetues do të duhet të rishikojë projektligjin në javët në vijim dhe ai mund të shndërrohet në ligj vetëm pasi ky trup të japë miratimin.

Kjo ka qenë hera e parë që Macron ka folur publikisht, prej kur Qeveria e ka miratuar atë pa e dërguar në parlament.

Ky vendim ka nxitur protesta të dhunshme në Paris dhe shumë qytete tjera franceze.

Megjithatë, Qeveria u ka mbijetuar dy mocioneve të mosbesimit në parlament, të hënën.

Presidenti Macron, 45-vjeçar, ka thënë vazhdimisht se është i bindur që reforma është e domosdoshme në mënyrë që sistemi i pensioneve të mbetet funksional.

“Reforma nuk është luks, nuk është për argëtim, është domosdoshmëri për shtetin”, ka thënë ai.

Macron i ka “dënuar” protestat e dhunshme dhe ka insistuar se “i respekton” sindikatat dhe protestat që janë organizuar nga kundërshtarët e tij, të cilët nuk pajtohen me planin për pensione.

Sindikatat kanë bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare të enjten dhe për greva në sektorët kyçë, derisa Qeveria ta tërheqë këtë projektligj./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera