Qeveria shqetësohet për largimet nga FSK-ja, për herë të tretë brenda dy vitesh kërkohen ushtarë të rinj
Autori: Gazeta inFokus 17:11 | 09 January 2023
Për herë të tretë brenda dy vitesh, Forca e Sigurisë së Kosovës kërkon ushtarë të rinj. Trendi në rritje i largimit të ushtarëve nga FSK-ja po e shqetëson Qeverinë. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, të dielën i ftoi të rinjtë të aplikojnë për t’u bërë ushtarë. Me ligjin e ri për pagat, është thënë se parashihet një rritje e pagave për ta.
“Përderisa vendi ynë lind të rinj e atdhetarë të cilët bëjnë nderime para flamurit, tradita jonë për t’i shërbyer vendit nuk do të vdesë kurrë”, tha ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në një video në Facebook të dielën, përmes së cilës njoftoi se kanë mbetur pak ditë deri në mbylljen e konkursit të rekrutimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Deri të dielën mbetet i hapur konkursi i rekrutimit të 612 ushtarëve të rinj dhe 388 ushtarëve të komponentës rezervë. Ky është procesi i tretë rekrutues që zhvillohet brenda dy vitesh.
Mehaj i ftoi të rinjtë të aplikojnë për t’u bërë ushtarë të FSK-së.
“Kanë mbetur vetëm edhe 168 orë kur do të fillojë procesi i përzgjedhjes së atyre që do ta bartin uniformën e nderit, simbolin e shtetit dhe besimin e popullit. Andaj të rinj dhe të reja të këtij vendi, pa dallim etnie, ju ftoj të aplikoni për t’iu bashkangjitur Ushtrisë së Republikës së Kosovës që ka një vizion të qartë drejt anëtarësimit në NATO”, tha ai.
“Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë gjithmonë shtëpia e trimave! Bëhu ushtar i Kosovës!”. Ishte kjo thirrja e Mehajt në fund të videos.
Ushtarët po largohen nga FSK-ja, Qeveria e brengosur
Ministri Armend Mehaj gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Siguri në dhjetor ka njoftuar se 127 ushtarë ishin larguar nga FSK-ja gjatë vitit.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, më 21 dhjetor pati zbuluar se trendi i largimeve të pjesëtarëve të FSK-së nga ushtria po bëhej brengosës.
Në vitin 2022, Syla ka thënë në emisionin Frontal të T7 se pati numër më të madh të ushtarëve që e lanë FSK-në sesa në vitet e mëparshme.
“Janë larguar këtë vit më shumë në krahasim me dy vitet e mëparshme. Është brengosëse. Duhet t’i motivojmë që të qëndrojnë”, ka thënë zëvendësministri.
Kushtet thuhet të jenë arsyeja kryesore e largimit të ushtarëve nga detyra për t’i shërbyer vendit. Syla kishte thënë se ato duhet të përmirësoheshin.
Ministri, ndërkaq, pati thënë se me ligjin e ri për pagat do të rriteshin pagat e ushtarëve dhe do të zvogëloheshin ato të oficerëve.
Para më shumë se një viti, në tetor të vitit 2021, Kosova synonte ta shtonte për 840 numrin e pjesëtarëve të FSK-së. Këtë lajm ministri Armend Mehaj e pati kumtuar në një konferencë për media, ku premtonte proces transparent të përzgjedhjes.
Lufta në Ukrainë u bë shkas për të kërkuar rritjen e kapaciteteve ushtarake
Kosova renditet e 134-a, nga 145 shtete të botës, për nga fuqia ushtarake, sipas një raporti të GlobalFirepower. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj shkroi në Facebeook të hënën se “Ushtria e Republikës së Kosovës çdo vit e më shumë po ngritë kapacitetet e saj profesionale dhe operacionale për të kontribuar jo vetëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të vendit, por dhe në rajon e më gjerë”.
Rritja e kapaciteteve mbrojtëse u tha si nevojë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Atëherë, në shkurt të vitit të kaluar, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin thënë se kishin marrë masa shtesë për sigurinë. Nuk kishin dhënë detaje, por kishin njoftuar për një varg takimesh që kishin zhvilluar me përfaqësuesit e mekanizmave të sigurisë – vendorë e ndërkombëtarë. Më 23 shkurt ishte mbajtur edhe një mbledhje e Këshillit të Sigurisë.
Muajin pasues, Qeveria e pati themeluar Fondin e Sigurisë, në të cilin u ftuan të kontribuonin qytetarë dhe donatorë të ndryshëm. Edhe xhirollogaria bankare ku mund të dhuronin para mërgimtarët, si dhe ata që jetojnë në Kosovë ishte publikuar paraditen e 2 marsit nga Ministria e Financave dhe Transfereve.
Fondi i Sigurisë është i sigurt dhe është themeluar për shkak të rrethanave gjeopolitike në botë dhe jo vetëm luftës së Rusisë në Ukrainë, kishte thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një letre, në 10 mars i kishte kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që të shfrytëzojë “udhëheqjen dhe ndikimin, për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit të Kosovës në NATO”.
“Meqë ndajmë qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë i domosdoshëm”, thuhej në letrën e Osmanit që e kishte parë Radio Evropa e Lirë.
Pasi në Kosovë kishte nisur një diskutim rreth mundësisë së anëtarësimit të përshpejtuar në NATO për shkak të rrethanave gjeopolitike që ishin krijuar, Departamenti amerikan i Shtetit pati reaguar duke thënë se kërkesat për anëtarësim janë komplekse dhe kërkojnë një qasje afatgjate dhe të kujdesshme.
“Kosova mund ta dëshmojë më së miri gatishmërinë e saj për përgjegjësitë që sjell anëtarësimi në NATO, duke vazhduar zbatimin aktiv të planit 10-vjeçar të tranzicionit [të Forcave të Sigurisë së Kosovës] dhe duke mos devijuar prej tij”, pati thënë një zëdhënës i DASH-it.
Në vitin 2021 FSK numëronte përafërsisht 2.500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë.
Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2018 kishte miratuar ndryshime ligjore për t’ia ndryshuar mandatin FSK-së. Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej dhjetë vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.
Me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, planifikohet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë e 500 rezervë.
Të tjera
-
Vrạsja e regjisorit të ri, familja Myftari nuk hap të pame
Auron Myftari vdiq të dielën në mbrëmje në Prishtinë. Regjisori i ri nuk a...
-
Gjykimi për krime lufte: Seanca ndërpritet me kërkesën e të akuzuarit Millorad Gjokoviq
Me kërkesë të të akuzuarit për krime lufte Millorad Gjokoviq, është ndërprerë...
-
Këtë javë Kuvendi mban dy seanca
Dy seanca do të mbahet gjatë kësaj jave, të mërkurën dhe të enjten. Kështu...
-
“Atëherë ju ngojke LDK, tash u rebelu”, Konjufca e ngacmon Abelard Tahirin
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së kryesisë u pyet për mba...
-
Tahiri i reagon Konjufcës për Asociacionin: Janë joseriozë, veç një fat e kemi se jemi në prag të zgjedhjeve
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se vendi me qe...
-
Eksplorimi i rrugëve për një tranzicion të drejtë të energjisë në rajon
Projekti i RESET mbi ndërtimi i urave për tranzicion të qëndrueshëm të energj...
-
Konjufca i ashpër me BE-në: Ka qasje diskriminuese ndaj Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka akuzuar Bashkimin Evropi...
-
EHF shkruan për synimin e Kosovës për kualifikim në Botëror
Kosova, Lituania, Izraeli dhe Italia janë Kombëtaret e kualifikuara në fazën ...
-
MPB-ja njofton për funksionalizimin e shërbimit “Deklarimi i Adresës Zyrtare të Vendbanimit”
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është funksionalizuar shërbimi...
-
Pas tre javësh mungesë, mblidhet Kryesia e Kuvendit
Pas tre javësh mungesë, Kryesia e Kuvendit u mblodh sot për caktim seance me ...
-
Amerikanët të shqetësuar nga dhuna e mundshme pas zgjedhjeve
Një sondazh i zhvilluar në SHBA tregon se qytetarët janë të shqetësuar për dh...
-
Sulmi ndaj Muhaxherit dyshohet se lidhet me investimin e ujësjellësit në fshatin Stankaj të Rugovës
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri të shtunën së bashku me një tjetër person...