Lufta në Ukrainë trondit sistemin e centralizuar në Rusi
Autori: Gazeta inFokus 08:33 | 09 January 2023
Në tetor, çeçeni Rustam Azhiyev – i njohur me pseudonimin Abdul-Khakim Shishani – udhëtoi për në Ukrainë dhe iu bashkua një njësie çeçene që luftonte me Kievin kundër pushtimit rus.
Tani 41 vjeç, ai ka luftuar kundër Rusisë prej se ka qenë 19 vjeç.
“Lufta ka filluar në vitin 1999”, thotë Azhiyev, duke iu referuar Luftës së Dytë Çeçene, gjatë së cilës ka qenë komandant i frontit qendror për shtetin e panjohur separatist, Içkeria.
“Në vitin 2000, në moshën 19-vjeçare, i jam bashkuar rezistencës popullore. E gjithë jeta ime ka qenë e lidhur me luftën kundër Rusisë. Për ne, lufta nuk ka mbaruar”, thotë ai.
Azhiyev është larguar nga Rusia për në Turqi në vitin 2011, por shpejt e ka gjetur veten me luftëtarë të tjerë çeçenë në Siri, duke luftuar sërish kundër forcave ruse.
“Ne do ta ndjekim armikun kudo që të mundemi”, thotë Azhiyev.
“Kam ardhur këtu për të luftuar për drejtësinë historike”, thotë ai, duke komentuar vendimin e tij për të shkuar në Ukrainë.
“Dikur, një grup i vogël ukrainasish ka ardhur për të na ndihmuar të luftojmë kundër rusëve dhe ne nuk e kemi harruar këtë”.
“Për ne është çështje mbijetese. Për aq kohë sa ekziston Rusia, ne nuk mund të jetojmë në paqe”, thotë Azhiyev.
Azhiyev nuk është i vetmi nga Rusia që e sheh luftën në Ukrainë si shans për pakicat etnike që të kërkojnë autonomi më të madhe brenda Rusisë apo edhe pavarësi.
“Populli Erzia ka qenë i pushtuar nga perandoria për 800 vjet”, ka thënë plaku erzian, Syres Boleyan, në një takim të Lidhjes së Kombeve të Lira – një organizatë që bashkon përfaqësuesit e grupeve minoritare brenda Rusisë që kërkojnë të shkëputen – në muajin korrik.
Ai ka thënë se grupi i tij etnik prej rreth 800.000 njerëzish është duke dërguar gjithashtu vullnetarë për të luftuar në anën e Ukrainës.
Lufta e presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë është duke zgjatur shumë më shumë dhe duket se është shumë më e kushtueshme seç ka parashikuar Moska.
Derisa lufta vazhdon, shumë vëzhgues thonë se forcat centrifugale në Federatën Ruse po rriten.
Këto forca, sipas tyre, do të rriten edhe më, pasi presionet e luftës dhe sanksionet ekonomike kundër Rusisë janë duke zvogëluar levat e Moskës mbi rajonet e Rusisë – nga Deti Baltik dhe i Zi deri në Paqësor.
“Qëllimi i këtij forumi është dekolonizimi i plotë dhe i pakthyeshëm i Rusisë”, është thënë në një deklaratë të Forumit të Popujve të Lirë të Rusisë, të mbledhur në muajin korrik në Pragë.
Ky forum përfshin grupet anti-Putin dhe është mbledhur katër herë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
“Qëllimet tona do të arrihen vetëm kur Federata Ruse të pushojë së ekzistuari si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe të shndërrohet në 25-35 vende të pavarura, të lira dhe – shpresojmë – demokratike”, është thënë po ashtu në deklaratën e lexuar në Pragë.
Se sa real është një skenar i tillë, opinionet janë të ndryshme.
Shumë analistë pajtohen se lufta është duke tronditur strukturën e centralizuar të pushtetit që Putin ka krijuar për gati një çerek shekulli, si president apo si kryeministër.
Sipas vlerësimeve të Perëndimit, së paku 20.000 ushtarë rusë janë vrarë në luftën në Ukrainë, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur, kapur ose zhdukur. Nga Rusia, ndërkaq, janë larguar qindra mijëra njerëz.
“Shoh një rrëmujë në sistemin qeverisës”, thotë analisti politik, Dmitry Oreshkin.
“Vertikali i fuqisë që ata kanë ndërtuar… ka filluar të lëkundet”, shton ai.
“Nëse Putin e humb luftën – dhe kjo është një mundësi shumë reale – atëherë nuk shoh ndonjë mjet ligjor për ta ndryshuar Qeverinë. Si rezultat, silovikët do t’i zgjidhin gjërat mes tyre”, thotë Oreshkin, duke iu referuar drejtuesve të ushtrisë dhe agjencive të sigurisë.
Por, disa analistë të tjerë flasin për dobësinë e elitave rajonale në Rusi, duke thënë se sistemi i Putinit i ka bërë udhëheqësit rajonalë shumë më të varur nga Moska, sesa nga zgjedhësit e tyre.
Në shumë raste, liderët e vërtetë të pakicave etnike të Rusisë ose janë larguar nga vendi, ose janë persekutuar si “ekstremistë”.
“Ndryshe nga fundi i viteve 1980 dhe fillimi i viteve 1990, ne nuk shohim asnjë aktor me tendenca centrifugale”, thotë analisti Nikolai Petrov, duke e krahasuar situatën aktuale me rënien e Bashkimit Sovjetik, kur udhëheqësit lokalë janë bërë fokus i lëvizjeve për pavarësi në shumicën e 15 republikave të tij.
Megjithatë, shton ai, “rënia e perandorisë sovjetike nuk ka përfunduar dhe mund të vazhdojë më tej”. Brenda 15 vjetësh, ne mund të shohim një shtet “kuazi-federativ ose konfederativ”, thotë ai.
Elise Giuliano, specialiste për çështjet e identitetit etnik në Rusi në Institutin Harriman të Universitetit të Kolumbisë, thotë se qëndrimet anti-qeveritare në Rusi ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga rajoni në rajon. Dhe rrethanat atje, sipas saj, e bëjnë të pamundur të matet opinioni publik për çështje të ndjeshme.
“Është e mundur që kundërshtimi i luftës të çojë në refuzim më të madh ndaj shtetit rus. Megjithatë, aktualisht, nuk e shohim këtë, kështu që kolapsi i shtetit rus duket i pamundur”, thotë Giuliano.
“Por, është e pamundur të parashikohet se çfarë do të sjellin zhvillimet”, shton ajo.
Paul Goble, analist në pension për CIA-n, Departamentin amerikan të Shtetit dhe Radion Evropa e Lirë, thotë se shumë vëzhgues nuk kanë arritur ta parashikojnë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, “madje edhe disa muaj apo javë” përpara se të ndodhte.
Putin, thotë Goble, e ka përshpejtuar rënien e mundshme të Rusisë, sepse “veprimet e tij nuk përfaqësojnë ringjalljen e Bashkimit Sovjetik, por rikrijimin e kushteve që mund të çojnë në shembjen e tij – përfshirë zemërimin e pakicave dhe largimin e Rusisë nga bota”./rel
Të tjera
-
Bedri Hamza: Ndajeni vizionin tonë me të tjerët, bëhuni pjesëmarrës aktivë në fushatën tonë
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video nga ...
-
Shenoll Muharremi bën thirrje : Votoni gratë për shoqëri me mundësi të barabarta dhe integritet
Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, ka bërë një thirrje për të...
-
Me fushatën zgjedhore nisin edhe pritjet e qytetarëve për ndryshime
Investimet, puna, arsimi… Këto pak fjalë mund të dëgjoheshin nga tri gra që e...
-
Rraci për nisjen e fushatës së LDK-së: Zëri i qytetarëve që i dha jehonë gjithë Kosovës do të kurorëzohet me fitore me 9 shkurt
Alban Rraci, kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës me numër ...
-
Arrestohet djali i Valbona Selimllarit
Është arrestuar djali i Valbona Selimllarit. Deni Selimllari është vënë në...
-
Xhafer Gashi nga LDK : 9 shkurti është dita e fitores sonë të përbashkët
Kryetari i Obiliqit dhe njëkohësisht kandidati për deputet nga radhët e Lidhj...
-
SPAK s’gjeti prova që përfshijnë Olsi Ramën në dosjen “Xibraka”, Rama: Im vëlla u përdor si mish për top
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është drejtuar të dielën qytetarëve me...
-
Jack Smith jep dorëheqje nga Departamenti i Drejtësisë
Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, ka dhënë dorëheqje nga Departamenti amerikan...
-
Dy masakra në dy vjet e gjysmë: Mali i Zi injoroi thirrjet për kontroll të rreptë të armëve
Për dy vjet e gjysmë, dy vrasje masive në Cetinje të Malit të Zi. Në gusht...
-
Shahin Dervishaj në Çitak: Njerëz të thjeshtë e modest që besojnë fuqishëm ndryshimin që PDK do e sjell në Kosovë
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shah...
-
Ferat Shala: E filluam fushatën me bindjen se do ta përmbyllim me fitoren e madhe
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës Ferat Shala, ka koment...
-
Rreth 35 mijë shtëpi dhe biznese ende pa energji elektrike në Los Anxhelos
Rreth 35 mijë shtëpi dhe biznese nuk kanë energji elektrike në Los Anxhelos, ...