Lajme

Detaje rrëqethëse të vrasjes së 67-vjeçares në Dragash

Autori: Gazeta inFokus 11:54 | 29 December 2022

Në orën 10:30 është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prizren 64-vjeçarja me inicialet N.A., e dyshuar për vrasjen e kunatës së saj 67-vjeçe S.D., në Kuk të Dragashit. Gjykata ka vendosur për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Gazeta Express ka siguruar dosjen e Prokurorisë së Prizrenit për vrasjen e 67-vjeçares, aty thuhet se viktima është goditur me dru në të gjitha pjesët e trupit dhe më pas në fytyrë ku edhe i është shkaktuar gjakderdhje.

Viktima ishte rrahur me datën 23 dhjetor, ndërsa kishte vdekur tri ditë më vonë.

-Advertisement-

Sipas prokurorisë e dyshuara “me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes, motrën e bashkëshortit me të cilën ka bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët familjare, në atë mënyrë që me datën 23.12.2022 rreth orës 10:00, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës S.D., e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të pandehurës, me një dru të ahut në gjatësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit me ngjyrë të bardhë, me gjatësi prej 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundi në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi me datën 26 dhjetor rreth orës 05:30 vdes viktima S.D.,”.

Policia ka konfirmuar se e dyshuara e kishte pranuar se ka kryer vrasjen.

Ndërsa, avokati Besim Morina tha të mërkurën për Gazetën Express se N.A., gjatë dhënies së deklaratës në polici është shprehur tejet e shqetësuar dhe vazhdimisht ka qajtur.

Sipas avokatit, e dyshuara ka deklaruar se ka goditë viktimën me një dru në shpinë dhe në kokë, por jo me qëllimin që “t’i bëjë ndonjë të keqe”.

Fillimisht rasti në polici ishte hapur si “vdekje e dyshimtë”, por kur mjeku kishte vërejtur shenja dhune në trupin e pajetë të 67-vjeçares kishin filluar hetimet dhe më pas rasti i rikualifikua si “vrasje e rëndë”.

Prokuroria kishte ngritë aktakuzë kundër N.A., dhe djalit të saj (nipit të viktimës), për dhunë në familje disa ditë para ngjarjes tragjike.

Në aktakuzë thuhet se N.A., dhe djali i saj me 8 tetor të këtij viti e kishin nxjerrë nga shtëpia viktimën me të meta mendore duke e dërguar në një shupë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera