Lajme

Konkluzionet e BE’së, çfarë u kërkohet Kosovës e Serbisë për dialogun dhe marrëveshjet e kaluara

Autori: Gazeta inFokus 14:45 | 13 December 2022

Këshilli i Bashkimit Europian ka miratuar sot konkluzionet për procesin e zgjerimit dhe stabilizim-asociimit. Këto konkluzione vlerësojnë situatën në secilin prej kandidatëve dhe partnerëve të BE-së, përcaktojnë udhëzime për prioritetet e reformave dhe riafirmojnë përkushtimin e Këshillit ndaj politikës së zgjerimit të BE-së.

Kosovës dhe Serbisë, Këshilli i drejtohet me thirrje për t’u përmbajtur nga gjuha që çon në ngritje të tensioneve dhe që palët të angazhohen në dialog, raporton Gazeta Express.

“Për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, Këshilli mirëpret vazhdimin e dialogut dhe përgëzon Përfaqësuesin e Lartë [Borrell] dhe Përfaqësuesin për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor [Lajçak] për angazhimin e tyre. Këshilli pret që Kosova të angazhohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe acquis* të BE-së pa vonesa të mëtejshme”.

-Advertisement-

Po ashtu, Këshilli e konsideron thelbësore që marrëveshjet e arritura deri më tani të adresohen nga Kosova e Serbia.

“Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Kjo është thelbësore në mënyrë që Serbia dhe Kosova të mund të avancojnë në rrugët e tyre europiane. Këshilli përsërit pritshmëritë e larta që të gjitha marrëveshjet e kaluara të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë dhe se palët angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe. Këshilli u bën thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe nga retorika që nuk është e favorshme për dialog”.

Në fund të pikës së dialogut, Këshilli i BE-së u kujton të dyja palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të garantuar paqen dhe stabilitetin.

*Acquis e Bashkimit Europian është koleksioni i të drejtave dhe detyrimeve të përbashkëta që përbëjnë trupin e legjislacionit të BE-së dhe që është inkorporuar në sistemet ligjore të shteteve anëtare të BE-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera