Është vendosur, zgjedhjet në 4 komunat veriore do të shtyhen
Autori: Gazeta inFokus 18:36 | 09 December 2022
Zgjedhjet e paralajmëruar për 18 dhjetor për kryetarë komunash dhe me 25 dhjetor për Kuvendet Komunale në Mitrovicën Veriore, Zevçan, Zubin Potok dhe Leposaviç do të shtyhen.
Albanian Post ka kuptuar nga burimet diplomatike se Kosova i është bindur kërkesës ndërkombëtare dhe do heqë dorë nga mbajtja e zgjedhjeve atje.
Lajmi zyrtarisht do të bëhet i ditur në fillim të javës së ardhshme, me shumë gjasë të martën, kur edhe krerët e Kosovës takohen me Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili viziton Ballkanin nga 11 deri me 17 dhjetor.
Kërkesa ekskluzive e Chollet ishte shtyrja e zgjedhjeve, meqë SHBA konsideron se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.
Ky shpjegim, pra mospasja e kushteve, do të ofrohet edhe si arsyetimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shtyrje deri në një moment të përshtatshëm.
Rekomandimin do ta bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në raportin që do ta pranojë presidentja.Albanian Post ka pyetur këshilltarin për media të Osmanit, Bekim Kupinën, por ai ka deklaruar se ende nuk e kanë pranuar.
“Ne jemi në pritje të këtij raportit nga KQZ-ja”, deklaroi Kupina.
Cila është procedura?
Fillimisht bëhet vlerësimi i gjendjes së sigurisë në terrenin ku supozohet të mbahen zgjedhjet.
Ky vlerësim prezantohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Më pas KQZ-ja merr një vendim dhe atë ia çon presidentes së vendit në formë të raportit.
Osmani pastaj fton në Presidencë për diskutim përfaqësuesit e partive politike ku u shpaloset raporti.
Pas konsultimeve, arrihet një konsensus për vendimin dhe shpallet vendimi për shtyrje.
Përveç në kohën kur zgjedhjet në disa komuna ishin shtyrë për shkak të rrezikut nga pandemia, asnjëherë nuk ka ndodhur që ato të mos mund të mbahen, për shkak të mungesës së sigurisë.
Por, se në komunat veriore nuk ka mundësi për zgjedhje ishte thënë qysh nga momenti kur presidentja kishte shpallur datën.
Albanian Post me 15 nëntor kishte raportuar se si rrezikohet të humben 556 mijë e 482 euro, aq sa janë ndarë për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, meqë vështirë se do të ketë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.
Përveç Listës Serbe, partisë më të madhe brenda komunitetit serb, që e ka qëndrim zyrtar se nuk merr pjesë, pothuajse asnjë nga partitë tjera serbe nuk e kishte ndërmend të garonte.
As ato që i bëjnë opozitën kryesore Listës Serbe në Veri.
Pas shtyrjes së vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që vozisin vetura me targa ilegale, shtyrja e datës së zgjedhjeve përbën herën e dytë që institucionet e Kosovës marrin një vendim dhe më pas nuk e zbatojnë atë.
Në të dyja rastet, ka pasur kërkesë ndërkombëtare për moszbatim, për shkak të situatës së tensionuar në terren.
Gjithashtu, është hera e dytë që liderët institucionalë këmbëngulin se do të procedojnë përkitazi me vendimet që marrin dhe në fund tërhiqen nga të njëjtat vendime.
Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar, derisa të enjten në mbrëmje është plagosur edhe një polic i Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që është sulmuar një patrullë e policisë prejse janë rritur tensionet, fillimisht për shkak të zbatimit të vendimit të sekuencuar për targat, por është hera e parë që është plagosur një pjesëtar i forcave të rendit.
Deri më tani – përkundër se ka pasur në disa raste të shtëna me armë, hedhje të shok bombave e vënie flake të veturave të banorëve serbë që vendosnin t’i zëvendësojnë targat në RKS, ashtu siç ua kërkonte policia – nuk ka pasur asnjë të arrestuar.
Arsyeja përse Policia e Kosovës shtoi prezencën në Veri, siç e ka shpjeguar edhe vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ishte pasiguria e qytetarëve të Kosovës në atë zonë prejse janë rritur tensionet, por edhe për të konsoliduar radhët pas momentit kur një grup me maska e i armatosur zmbrapsi policët bashkë me zyrtarët zgjedhorë komunalë, që provonin të kenë qasje në zyrat e tyre dhe të punojnë.
Grupet kriminale në Veri nuk duan që ata zyrtarë të vazhdojnë punën, sepse me direktiva të Listës Serbe, ata nuk duan as mbajte të zgjedhjeve me 18 e 25 dhjetor, pasi serbët vendosën të djegin mandatet dhe të tërhiqen nga çdo nivel institucional e politik.
Situata jostabile dhe me prezencë të krimit të organizuar në Veri vazhdon qysh nga viti 2000, por tensionet u shtuan, kur qeveria provojë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 për targat ilegale.
Lista Serbe, si fuqia politike më e madhe nga komuniteti serb, doli nga institucionet me kërkesën që të anulohet vendimi.
Qeveria, pas thirrjeve nga aleatët ndërkombëtarë, pranoi ta shtyjë vendimin, me shpresë se i hap rrugë bisedimeve për zgjidhje përfundimtare, por serbët nuk u kthyen më në institucione.
Tani, po me kërkesë ndërkombëtare, do shtyhen edhe zgjedhjet, por sërish, vështirë se serbët kthehen në institucione, derisa vakumi institucional atje vazhdon.
Të tjera
-
Agim Bahtiri e uron Donald Trumpin, ia jep edhe një këshillë
Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka uruar Donal Trumpin për fitoren...
-
Osmani përfaqëson Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Hungari
Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Hungari ku do ta përfaqësojë Koso...
-
Fundi i një sage, Majlinda Lecaj i merr fëmijët e saj në kujdesje pas një beteje gjyqësore trevjeçare
Ka përfunduar procedura përmbarimore ndërmjet Majlinda Lecajt dhe Blerim Gash...
-
Nëntë të arrestuar në Serbi gjatë protestës për shembjen vdekjeprurëse të çatisë
Nëntë persona janë arrestuar pas trazirave që shpërthyen gjatë një proteste m...
-
Murati fjaloset me deputetët e PDK-së: Premtimet për zgjedhjet e 9 shkurtit i keni të pasakta
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti 3.6 miliardësh i vitit t...
-
Askush nuk e mbështeti Trump më shumë se Musk, çfarë fitoi njeri më i pasur në botë? Rritet vlera e….
Asnjë biznesmen nuk bëri më shumë për të mbështetur kandidaturën e ish-presid...
-
Krasniqi priti ambasadorin italian, flasin për zhvillimet aktuale
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur në selin...
-
Kur pritet ta marrë detyrën e Presidentit Donald Trump?
Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Ame...
-
Lidhja e Arbërisë me Pallatin e Rinisë, Abdixhiku: Pas 9 shkurtit, bëhuni gati për unazën, stadiumin e spitalin e ri
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë so...
-
Si duhet të jetë “shërbimi i ri ushtarak” gjerman sipas ligjit të ri, ja ku do të jetë fokusi
Forcat e armatosura gjermane do të rriten dhe kanë nevojë për forma shtesë të...
-
Njihuni me 13 vjeçaren nga Ferizaji e cila vendosi të punojë për t’a ndihmuar babain e saj “Nuk ka sen ma primare se sa me ju ndihmu prindërve”
Dëshira e madhe për t’i ndihmuar babait të saj e shtyu të punojë që në moshën...
-
Konjufca uron Trump: Mezi pres që të fillojmë punën
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedh...