Lajme

Ngrihen shqetësime për ambientin, krizën klimatike dhe sigurinë e fëmijëve, kërkohet reagimi i institucioneve

Autori: Gazeta inFokus 16:57 | 20 November 2022

Fëmijët iu kanë bërë thirrje institucioneve për të trajtuar krizën klimatike, duke qenë se një fenomen i tillë cenon të drejtat e tyre për një jetë më të shëndetshme dhe një të ardhme më të mirë.

Kështu u tha në hapjen e ekspozitës së Artit të Ricikluar në Ditën Botërore të Fëmijëve, ku pjesëmarrësit zhvilluan një diskutim joformal, i cili është udhëhequr dhe moderuar nga fëmijët, të cilët kanë ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me ambientin, krizën klimatike, arsimin dhe sigurinë e fëmijëve.

Ky aktivitet është organizuar nga grupet e udhëhequra nga fëmijët “Respect Our Rights – ROR” dhe Asambletë Komunale të Fëmijëve të mbështetur nga Save the Children Kosova.

-Advertisement-

Drejtori ekzekutiv i “Save The Children”, Ahmet Kryeziu tha se sotështë një ditë e veçantë për arsye se themeluesja e tyre, Englantin Jamp në vitin 1923 e ka shkruar deklaratën e parë mbi të drejtat e fëmiut.

“Ajo deklaratë ka qenë bazë për hartimin e konventës për mbrojtjen e të drejtave të fëmiut që në vitin 1989 është aprovuar nga Kombet e Bashkuara. Pra është një dokument që parasheh të drejtat universale të fëmijëve dhe punën që ne si organizatë e bëjmë bazohet apo konventa, është platformë e gjithë asaj që bëjmë ne”, tha ai.

Sipas tij, të gjithë duhet të angazhohemi në realizmin e të drejtave të fëmijëve në përgjithësi.

“Në Kosovë mendoj që ka progres dhe arritje në implementimin e konventës, mirëpo mbesin ende shumë sfida që do të dëshironim që politikbërësit, shoqëria civile dhe të gjithë ne të angazhohemi më shumë në përmirësimin apo ndryshimin e jetërave të fëmijëve dhe për këtë arsye ne mendojmë që më shumë të investohet në gjithpërfshirjen që zëri i fëmijëve në vendimmarrje dhe në realizmin e të drejtave të fëmijëve në përgjithësi.”, shtoi ai.

Loris Begu, kryetar i komisionit për arsim nga grupi Ror, tha se duhet të merren vendime të menjëhershme në lidhje me të drejtën e fëmijëve për të jetuar në një mjedis të pastër dhe pa rreziqe nga ndryshimet klimatike

“Ne e shohim si problem kyç krizën mjedisore dhe ndryshimet klimatike dhe besojmë që përmes kësaj ekzpozite do të përçojmë mesazhin që ne dëshirojmë te organet kompetente dhe institucionet e Republikës së Kosovës në mënyrë që ato t’i përgjigjen thirrjes sonë për veprime të menjëhershme në këto çështje. Ne mendojmë që duhet të merren vendime të menjëhershme në lidhje me të drejtën e fëmijëve për të jetuar në një mjedis të pastër dhe pa rreziqe nga ndryshimet klimatike.”, theksoi ai.

Festina Kabashi, kordinatore për avokim dhe fushata tha se mesazhi i kësaj fushate është t’i bëhet thirrje institucioneve për t’i adresuar cështjet e ndryshimeve klimatike.

“Mesazhi i kësaj fushate është që ta ngris vetëdijen edhe tek qytetarët por edhe t’iu bëjë thirrje institucioneve dhe vendimmarrësve që të marrin masa sa më të shpejta për t’i adresua çështjet e ndryshimeve klimatike dhe mjedisit dhe ky aktivitet aktivitet është duke u zhvilluar në kuadër të fushatës globale të “Save dhe Children Generation Hope” e cila po ashtu bënë thirrje institucioneve dhe vendimmarrësve për veprim urgjent për ndryshime klimatike edhe problemet mjedisore.”, tha ajo.

Kjo ekspozitë është zhvilluar në kuadër të fushatës globale Save the Children “Generation Hope”, e cila synon kufizimin e ndryshimeve katastrofike klimatike duke u siguruar që të drejtat e fëmijëve janë në qendër të reagimit të politikbërësve dhe vendimmarrësve.

Punimet e ekspozuara janë krijuar nga vetë fëmijët duke ripërdorur letër, plastikë dhe xham.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera