Lajme

Rreth 100 mijë euro të shtetit për organizatën e bashkë-themeluar nga ministri

Autori: Gazeta inFokus 08:56 | 24 August 2022

Ministria e Kulturës e ka shpërblyer me 95 mijë euro një organizatë jo-qeveritare, të cilën e ka bashkëthemeluar ministri i këtij dikasteri qeveritar, Hajrulla Çeku. Nga organizata “Fondacioni Lumbardhi” kanë mohuar një implikim të mundshëm të Çekut në ndarjen e mjeteve për OJQ-në, kurse nga MKRS-ja qëndruan në heshtje. Paparaci iu sjell detajet e subvencionimit të “Lumbardhit” nga ministri Çeku.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që prej shtatorit të 2021-s ka shpallur të paktën tri thirrje publike për t’iu dalë në ndihmë organizatave jo-qeveritare në fushën e trashëgimisë kulturore. Më e freskëta ishte ajo e 18 gushtit, pra para pesë ditësh, kur në mesin e organizatave përfituese, figuronte edhe organizata të cilën e ka bashkëthemeluar ministri aktual Hajrulla Çeku.

“Fondacionit Lumbardhi” veç para pesë ditëve iu kumtua lajmi se ka plotësuar kriteret për ndarjen e 70 mijë eurove nga buxheti i shtetit.

Kësisoj, projekti i saj “LXX” që parasheh përfshirjen e koncerteve dhe ekspozitave, u mbështet nga MKRS-ja në mesin e 51 të tjerave sa ishin gjithsej. Ishte një nga mbështetjet më të mëdha financiare në listën e organizatave përfituese.

"Fondacioni Lumbardhi" fituese për projektin "LXX", me të cilën u subvencionua me 70 mijë euro nga MKRS-ja

-Advertisement-

“Fondacioni Lumbardhi” fituese për projektin “LXX”, me të cilën u subvencionua me 70 mijë euro nga MKRS-jaPavarësisht se ministri Çeku i cili vjen nga Prizreni, ishte në mesin e pesë themeluesve të kësaj organizate, nga këta të fundit është mohuar një ndërhyrje e mundshme për ‘kurdisje’ në thirrjen e fundit publike, ku ata bënin pjesë në mesin e përfituesve.

Çeku ishte pjesë e kësaj organizate deri në vitin 2017. Ndërsa mbledhja e fundit në të cilën ka marrë pjesë ka qenë me datën 14 korrik 2017, ku është emëruar bordi i parë i Fondacionit.

Por, atë vit e pritën ministrin sfida të reja. Ai filloi aktivitetin e tij politik në Republikën e Shqipërisë. Pak më vonë, apo më 23 mars të 2021-s politika do ta sillte Çekun në Kosovë, në një pozitë goxha të rëndësishme.

Në atë ditë, ai mori edhe zyrtarisht detyrën si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të Qeverisë Kurti 2, si pasardhës i ish-ministres Vlora Dumoshi.

“Nuk kemi informacione rreth nivelit të informimit dhe involvimit të Ministrit në raport me thirrjen publike të fundit në të cilën organizata jonë është ndër përfituesit që kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e thirrjes”, thuhet në përgjigjen e organizatës “Fondacioni Lumbardhi” për mediumin online Paparaci.

Për dallim nga organizata, ministria e Kulturës nuk ka kthyer përgjigjet në pyetjet e mediumit mbi këtë çështje nëse përbën konflikt interesi që një OJQ ku themelues ka shefin e dikasterit që shpërndau mijëra euro për ta.

Megjithatë, kjo nuk qe hera e parë që OJQ-ja nga Prizreni merr përkrahje monetare nga Ministria e Kulturës.

Para ndihmesës goxha të madhe të 18 gushtit, asaj iu ndan edhe 25 mijë euro të tjera në dy projekte që u shpallën shtatorin e kaluar, respektivisht dhjetor.
Dy projektet me të cilën u shpërblye "Fondacioni Lumbradhi" nga shteti, në shtatorin dhe dhjetorin e 2021

Dy projektet me të cilën u shpërblye “Fondacioni Lumbradhi” nga shteti, në shtatorin dhe dhjetorin e 2021Më 10 shtator, ministria e Kulturës bëri publike listën përfundimtare të projekt-propozimeve të OJQ-ve përfituese në fushën e trashëgimisë kulturore në vitin 2021.

Natyrisht, që “Fondacioni Lumbardhi” kishte aplikuar në këtë thirrje. Ajo zuri vendin e shtatë dhe mori 10 mijë euro nga buxheti kosovar.

Gjithashtu, e njëjta kishte marrë edhe pesë mijë euro më shumë se në shtator, kur tre muaj më vonë se kaq do të bëhej e ditur lista e OJQ-ve fituese në kuadër të Pakos së ringjalljes ekonomike në Departamentin e Kulturës dhe të Trashëgimisë Kulturore.

Projekti “Programi vjetor i Fondacionit Lumbardhi” ishte në një nga pozitat që mori më së shumti përkrahje shtetërore. Ajo ndjeu “dorën e shtetit” sërish me plotë 15 mijë euro.

Organizata që një prej themeluesve të saj ka Hajrulla Çekun që nga viti 2016 ka përfituar 196,200 euro nga fondet publike.

Në mesin e tyre, 170,400 euro vinë nga Ministria e Kulturës, apo pak më shumë se gjysma me të cilën e fitoi vetëm në kohën kur me këtë ministri po udhëheq Çeku.

A lë vend kjo për dyshime se si një OJQ merr 95 mijë euro vetëm në më pak se dy vite nga njeriu i cili ishte një prej themeltarëve të saj? – As për këtë nuk pati përgjigje ministria e Çekut.

“Që nga viti 2016, Fondacioni Lumbardhi në total ka përfituar 196,200 euro nga fondet publike (Komuna e Prizrenit – 25,800/5 projekte dhe MKRS – 170,400 euro/7 projekte), në shuma të ndryshme të ofruara nga pushtete lokale e qendore prej të gjitha partive politike që i kanë drejtuar institucionet përkatëse”.

“Në nivel kumulativ, kjo shënon një shumë prej nën 20% të financimit total të punës dhe angazhimit për një aset publik dhe institucion lokal kulturor, që është tregues i qartë që mbështetja e institucioneve publike do të ishte e pamjaftueshme për mbrojtjen dhe funksionimin e Kino Lumbardhit”, treguan nga “Fondacioni Lumbardhi” të martën.

Nga organizata teksa mohuan se Çeku ka qenë anëtar i bordit të saj, thanë se e mirëpresin reformën në modelin e financimit të kulturës që ka ardhur në vitin 2022.

Madje, ata u shprehën mirënjohës që Komisioni Vlerësues i MKRS-së ka vendosur të financojë Programin e saj ‘LXX’, që shënon 70 vjetorin e Kino Lumbardhit, me grant prej 70,000 eurosh, por jo edhe në ngritjen e dyshimeve për një lidhje të tyre me ministrin Çeku, lidhje kjo e cila ishte zyrtarisht e afërm para pesë viteve teksa po punonin në të njëjtën punë.

“Komuniteti i Kino Lumbardhit dhe Fondacioni Lumbardhi do t’i jetë mirënjohës z. Hajrulla Çeku në kapacitet individual si aktivist i rëndësishëm në iniciativën e vitit 2007 dhe asaj të vitit 2014, si dhe kontributit në fazën formative të Fondacionit Lumbardhi, ku është shquar në veçanti në aspektet e krijimit të mekanizmave të llogaridhënies dhe vet-rregullimit, duke ndihmuar të krijojmë një kulturë e praktikë të funksionimit të bordit shumë përtej standardeve të institucioneve shtetërore, private e joqeveritare në Kosovë, përkundër karakterit vullnetar të angazhimit”, vijon përgjigja e organizatën.

Përveç ministrit Çeku, listën e themeluesve të OJQ-së Lumbardhi e përbëjnë edhe katër persona të tjerë.

Sipas ueb-faqes ku tregohet data baza e çfarëdo organizate jo-qeveritare, pjesë e Lumbardhit si bashkëthemelues janë edhe Ares Shporta, Aliriza Arënliu, Doruntina Ukimeri si dhe Veton Nurkollari. Ajo u themelua më 20 prill të 2015-s.

Në anën tjetër, më 24 mars të këtij viti, ministri Çeku kishte njoftuar për një diskutim të zhvilluar me komunitetin artistik në Kino Lumbardhi në Prizren mbi reformën ligjore dhe institucionale në kulturë.

“Mirënjohës për pjesëmarrjen dhe kontributin e të gjithëve. Përfshirja e komunitetit në fazën e hartimit garanton zbatim efikas të reformës”, pati shkruar ai në rrjetin e tij social ‘Facebook’.

Dy muaj më vonë, Çeku përsëri kishte realizuar një vizitë për përvjetorin e hapjes e kinemasë Lumbardhi, në Prizren.

Në kuadër të programit për 70 vjetorin e themelimit të Kino Lumbardhit, aty u promovua libri “Lumbardhi: një histori episodike” dhe filloi programi i filmit LXX në Kino Bahçe.

Çeku në këtë event kishte treguar rëndësinë shoqërore dhe historike të kinemasë Lumbardhi si aset në mbrojtje të shtetit.

“Afërsia” e fundit e ministrit Çeku me OJQ-në e Lumbardhit figuron më 8 qershor.

Në një shfaqje të ‘Kino Lumbardhi’ të inskenuar për publikun prizrenas, mori pjesë Çeku i shoqëruar nga ekipi i tij, përkatësisht nga zëvendësministri Sejnur Veshall dhe këshilltari Onur Canhas.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera