Lajme

Rritet numri i azilkërkuesve në Kosovë, 324 të tillë vetëm këtë vit

Autori: Gazeta inFokus 13:03 | 10 July 2022

Këtë vit është rritur numri i azilkërkuesve në Kosovë.

Saktësisht 324 qytetarë të huaj kanë kërkuar azil, ndërsa prijnë shtetasit e Marokut, Sirisë e Afganistanit.

Shumica e tyre tentojnë të kalojnë ilegalisht në Kosovë.

-Advertisement-

Qendra për Azil në Magure të Lipjanit ofron të gjitha shërbimet për këta migrantë, por të njëjtin e shohin Kosovën vetëm si vend transit.

Në këtë qendër strehohen me qindra persona në vit, ku përveç kësaj ofrohen edhe shërbime të tjera shëndetësore, ushqim, pako higjienike, veshmbathje , si ofrimi i kurseve të gjuhës shqipe dhe të kompjuterëve.

Në qendrën që ka kapacitet për 100 persona, ditëve të fundit kanë qëndruar rreth 30 migrantë.

Drejtori i Qendrës për Azil në Magure të Lipjanit, Fitim Zariqi bëri të ditur numrin e personave që kanë kërkuar azil nga fillimi i vitit.

“Nga janari deri më tani kanë kërkuar azil, gjithsej 324 aplikues për mbrojtje ndërkombëtare të vendeve të ndryshme. Prin Maroku, pastaj vjen Siria, Afganistani, Algjeria dhe vende të tjera, Tunizia, Egjipti, Bangladeshi, Jordania e Ukraina, e tjera. Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, ose muajt e vitit të kaluar me këtë vit, na rezulton se ka një rritje të vogël, diku 7 ose 8 për qind, por që nuk vërehet. Edhe pse ka një rritje, në anën tjetër ka edhe largim të tyre nga Kosova. Sikur herëve të tjera edhe këtë vit, e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit për të kaluar në vende të tjera të BE-së dhe janë në kërkim të kushteve më të mira të punës”, tregon ai për KosovaPress.

Mesatarja e ditëve të qëndrimit të tyre është tri javë, por Zariqi thekson se ka prej tyre që qëndrojnë edhe më gjatë, ndërkohë që shprehin dëshirën të jetojnë në Kosovë.

“Mesatarja është diku 22 ditë e qëndrimit në Kosovë. Nëse shohim statistikat, nga këta 324 aplikues për mbrojtje ndërkombëtare, mbi 90 për qind janë meshkuj, ose kanë qenë meshkuj, mbi 80% të moshës rreth 30-vjecare, mbi 98 për qind të besimit islam kanë qenë, mbi 95 për qind kanë hyrë ilegalisht në Kosovë”, shton ai.

Në një përgjigje për KosovaPress, Zyra e Informimit në Policinë e Kosovës tregon për numrin e personave që kanë tentuar të hyjnë ilegalisht gjatë këtij viti.

“Në periudhën kohore Janar-Qershor 2022 në Kosovë janë evidentuar 390 persona të cilët kanë hyrë në mënyrë ilegale ku krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar e që kanë qenë 446 persona, pra kemi një rënie 12.5%”, thuhet në këtë përgjigje.

Personat që po qëndrojnë në këtë qendër nuk janë të gjithë që kërkojnë azil. Drejtori i Qendrës për Azil në Magure pohon faktin se në disa raste, të njëjtit po shkaktojnë edhe probleme brenda dhe jashtë objektit.

“Masat janë si për të gjithë qytetarët e Kosovës, këta nuk amnistohen nga ligji pse janë migrantë apo pse kanë kërkuar azil. Policia ndërmerr të gjitha masat dhe procedon rastin si për të gjithë të tjerët që shkelin ligjin. Janë masat edhe të brendshme, në rast se ata i shkelin rregullat e qendrës, sepse nëse kanë bërë vepër penale apo kanë shkelur ligjin jashtë qendrës, atëherë merret ekskluzivisht policia” thekson ai.

Shumë nga migrantët që kërkojnë azil, nuk presin vendimin për aplikimin e tyre. Drejtor Fitim Zariqi deklaron se po keqpërdoret procedura e azilit.

“Shumica prej tyre shkojnë nga Turqia në Greqi, pastaj Greqi-Shqipëri në Kosovë dhe zakonisht siç e cekin edhe në vende të tjera pushojnë disa ditë dhe vazhdojnë tutje. Edhe në Kosovë një farë forme, hyjnë që të tranzitojnë dhe të kalojnë në vendet e tjera. Ka deklarata të ndryshme të tyre, qëllime të ndryshme të tyre. Por, qëllimi final i tyre është që të tranzitojnë dhe të kalojnë në vende të BE-së. Përkundër që Kosova i ofron të gjitha shërbimet e kushtet dhe janë shumë të mira. Por, synimi i tyre është tjetër, nuk është Kosova. Ani pse futen në procedurë të azilit, një farë forme ne themi që pak a shumë po keqpërdoret procedura e azilit, sepse një person kur kërkon azil duhet të qëndrojë dhe të mos largohet në mënyrë arbitrare. Thjesht zhduket dhe nuk paraqitet më”, vijon ai.

Migrantët mund të shprehin vullnetin e tyre për azil, në brezin kufitar, në Departamentin për migracion apo stacionet policore./KP

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera