Microsoft: 42 vende aleate të Ukrainës në shënjestër të sulmeve kibernetike ruse
Autori: Gazeta inFokus 07:16 | 23 June 2022
Në kuadër të sulmeve të pandërprera kibernetike kundër Ukrainës, hakerët rusë të mbështetur nga shteti janë përfshirë në “spiunazh strategjik” kundër qeverive, organizatave studimore e humanitare, dhe bizneseve në 42 vende që mbështesin Kievin, tha kompania Microsoft në një raport të publikuar të mërkurën.
“Që nga fillimi i luftës, Rusia ka qenë e sukseshme në 29 për qind të rasteve në sulmet e saj kibernetike ndaj aleatëve të Ukrainës, duke vjedhur të dhëna në të paktën 25 për qind të ndërhyrjeve të suksesshme në rrjetet e këtyre entiteteve”, thotë në raport Presidenti i kompanisë Microsoft, Brad Smith.
“Ndërsa një koalicion vendesh është bashkuar për të mbrojtur Ukrainën, agjencitë ruse të inteligjencës kanë rritur ndërhyrjet në rrjetet kompjuterike dhe aktivitetet e spiunazhit ndaj qeverive aleate jashtë Ukrainës”, tha zoti Smith.
Gati dy të tretat e objektivave të spiunazhit kibernetik përfshinin vendet anëtare të NATO-s. Shtetet e Bashkuara ishin objektivi kryesor dhe Polonia, kanali kryesor i ndihmave ushtarake që shkojnë në Ukrainë, ishte objektivi numër 2 i sulmeve kibernetike të Rusisë. Në dy muajt e fundit, Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Turqia kanë parë rritje të sulmeve kibernetike ruse.
Një përjashtim i çuditshëm është Estonia, ku kompania Microsoft tha se nuk ka zbuluar asnjë ndërhyrje kibernetike ruse që kur Rusia e filloi sulmin ndaj Ukrainës më 24 shkurt. Microsoft tha se kjo mund të jetë falë vendimit të Estonisë për të kaluar të gjitha të dhënat e fushës së informatikës në sistemet “cloud”, ku është më e lehtë të zbulohen ndërhyrjet kibernetike. “Dobësi të mëdha të mbrojtjes kolektive” vazhdojnë të ekzistojnë në disa qeveri të tjera evropiane, tha kompania Microsoft, pa i identifikuar ato.
Sipas raportit prej 28 faqesh, gjysma e 128 organizatave që ishin në shënjestër të sulmeve kibernetike ruse janë agjenci qeveritare dhe 12% janë agjenci joqeveritare, zakonisht institute kërkimore ose organizata humanitare. Objektiva të tjerë të sulmeve kibernetike ruse ishin kompanitë e telekomunikacionit, energjisë dhe ato të mbrojtjes.
Microsoft tha se mbrojtja kibernetike e Ukrainës “rezultoi të ishte më e fortë” në përgjithësi sesa aftësitë e Rusisë në “valët e sulmeve kibernetike shkatërruese kundër 48 agjencive dhe ndërmarrjeve të veçanta ukrainase”. Raporti vuri në dukje se hakerët ushtarakë të Moskës kanë qenë të kujdesshëm duke mos aktivizuar viruse kibernetike shkatërruese që mund të dëmtojnë të dhënat e ruajtura jashtë Ukrainës, siç ndodhi me virusin kompjuterik NotPetya në vitin 2017.
“Gjatë muajit të kaluar, ndërsa ushtria ruse filloi të përqendronte sulmet e saj në rajonin e Donbasit, numri i sulmeve kibernetike shkatërruese shënoi rënie”, thuhet në raportin, “Mbrojtja e Ukrainës: Mësime të hershme nga Lufta Kibernetike”. Kompania Redmond, me bazë në Uashington, ka njohuri unike në këtë fushë për shkak të përhapjes së softuerit të saj dhe ekipeve të saj të zbulimit të rreziqeve.
Microsoft tha se Ukraina ka dhënë gjithashtu një shembull në mbrojtjen e të dhënave. Ukraina kaloi nga ruajtja e të dhënave të saj në servera lokal në ndërtesat qeveritare një javë përpara fillimit të sulmit rus, në shpërndarjen e të dhënave në sistemet “cloud” (të bazuara në internet), të vendosura në qendrat e të dhënave në të gjithë Evropën, duke i bërë ato të paprekshme nga sulmet ajrore ruse.
Raporti vlerësoi gjithashtu dezinformimin dhe propagandën ruse që synon “dëmtimin e unitetit perëndimor dhe shmangien e kritikave ndaj krimeve të luftës ushtarake ruse”, si dhe tërheqjen e njerëzve në vendet e paangazhuara.
Duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale, raporti i kompanisë Microsoft, vlerësoi se “operacionet e ndikimit kibernetik rus rritën me sukses përhapjen e propagandës ruse pas fillimit të luftës me 216 për qind në Ukrainë dhe 82 për qind në Shtetet e Bashkuara”.
Të tjera
-
Gërvalla i frikëson amerikanët: Serbia është kthyer në kër*ënim jo vetëm për Kosovën por për të gjithë rajonin
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, mori pjesë në trye...
-
Dreshaj kritikon qeverinë: I mashtroi pensionistët, i shndërroi në lypsarë
Deputeti i Kuvendit nga radhët e AAK’së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se “push...
-
Serbia i kërkon NATO-s të mos ia avancojë statusin Kosovës
Delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asambl...
-
Gazetarja: Turistët nga Kosova “braktisin” Durrësin, shtohen rezervimet nga këto vende
Numri i madh i turistëve është kryefjala e këtij sezoni turistik në Shqipëri....
-
Presidentja Osmani merr një epitet te veçantë në familje
Presidentja Vjosa Osmani sot ka ndarë me ndjekësit e saj një lajmë të mirë. ...
-
Arrestohet dhe suspendohet një polic në Gjakovë, dyshohet për “Kano*je”
Një polic në Gjakovë është arrestuar dje, pasi i njëjti dyshohet se e ka krye...
-
“Me Kurtin Shqipëria shpreson, me ty Shqipëria vdes” – Rama pritet me parulla kundër tij në Itali
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot po qëndron për vizitë në Itali ku do ...
-
Opozita s’pritet të pajtohet për shpërndarje të Kuvendit
Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës s’pritet të gjejnë gjuhë të përbashkë...
-
Haradinaj kujton në përvjetorin e rënies së tyre, dëshmorët e Dukagjinit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar në ...
-
Jakup Krasniqi e takon për herë të parë mbesën në Hagë
Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi e ka takuar për herë të parë mbesën e tij...
-
Gjobiten shoferët në Prizren, tejkaluan kufizimin e shpejtësisë
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor ne Prizren ka hasur në shoferë të cilët në ...
-
Rama pritet me atmosferë mahnitëse nga shqiptarët në Milano
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar pamjet nga pallati i sportit...