Lajme

SHBA’ja dhe Gjermania kërkojnë dinamikë të re në dialogun e Brukselit

Autori: Gazeta inFokus 23:04 | 03 May 2022

Lufta në Ukrainë pritet t’i jap një dinamikë të re procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vizita e ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, në të dy shtetet, dhe ftesat e kancelarit gjerman Olaf Scholz për takime në Berlin me kryeministrin e Kosovës dhe presidentit të Serbisë, po shihet si përpjekje e re për arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet dy shteteve.

Njohësit e procesit të dialogut kanë deklaruar për gazetën Nacionale se ShBA-ja dhe Gjermani do ta bëjnë dialogun prioritet kryesor për Kosovën dhe Serbinë.

-Advertisement-

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se procesi i dialogut ka hyrë tashmë në një fazë të re. “Është e vërtet se ka një dinamikë jashtëzakonisht të fuqishme, sa i përket riformatimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si nga ana e ShBA-së dhe nga ana e BE-së, respektivisht Gjermanisë, ku kancelari gjerman i ka ftuar në një takim. Por, mendoj se ende nuk ka një vendim të madh politik mes ShBA-së dhe BE-së për përfundimi e dialogut. Pra, dallimet po janë fundamentale, ShBA-ja kërkon gjithsesi njohjen reciproke, kurse, BE-ja me atë gjuhen e njohur e të but diplomatike, që kërkon normalizim të raporteve ligjërisht të obligueshme në mes të dy vendeve. Se çka nënkupton kjo, pastaj lënë shumë për të dëshiruar”, ka thënë Arifi.

Ai është shprehur i bindur se shumë shpejtë dialogu do të bëhet prioritet kryesor i të dy palëve.

“Mendoj se dialogu do të jetë prioritet i të dy vendeve, por mandej varet varësisht se cili vend dinë më mirë ta interpretojë. Në këtë rast, mendoj që Serbia e ka një avantazh të lehtë në interpretimin e dialogut ‘kinse’ e ka si prioritet, ndërsa Qeverisë së Kosovës për fat të keq ende po i mungon ai sensi diplomatik i të artikuluarit të paktën në mënyrë verbale që të thotë se po dialogu ka rendësi të madhe”, është shprehur ai.

Sipas tij, dallimet e ShBA-së dhe të BE-së rreth procesit po ndikojnë edhe në rezultatet e procesit.

“Besoj se ende ekziston një dallim krucial në mes të ShBA-së dhe BE-së, por në të dy vendet besoj se ende nuk është një vendim final se çka do të ndodh me dialogun. Se a duhet të riformatizohet, a duhet të kornizohen temat, apo duhet të kornizohet afati kohor? Sepse kështu me të vërtetë gjithçka po çakordohet gjatë rrugës”, ka thënë Arifi, duke treguar arsyet e dinamizimit të këtij procesi. “Angazhimi është rritë pikërisht për shkak të asaj, sepse konflikti në Ukrainë nuk do të përfundojë shumë shpejtë, të paktën ai politik. Ai ushtarak ndoshta mund të përfundoj, por ai politik do të zgjasë, dhe pikërisht bota perëndimore është e interesuar që t’i mbulojë të gjitha hapësirat ku ka konflikte të hapura, në mënyrë që të mos lihet vend për keqinterpretime, apo interferimeve të palëve të treta, në këtë rast të Rusisë apo Kinës”, ka thënë Arifi.

Edhe analisti politik Gazmir Raci ka thënë për gazetën Nacionale se tani ka një përpjekje me serioze të ndërkombëtareve që të shtyhet përpara ky proces.

“Janë përpjekje serioze të përbashkëta amerikane-evropiane për t’i shtyrë palët drejt marrëveshjes finale pas ngjarjeve të fundit gjeopolitike dhe luftës në Ukrainë. Kosova duhet t’i qaset kësaj faze seriozisht me një ekip të përgatitur, sepse me marrëveshjen finale hapet rruga drejt integrimeve euroatlantike. Siguria rajonale, paqja dhe stabiliteti tashmë janë sfida te përbashkëta në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai, duke shtuar se përfundimi i këtij procesi është në favor të dy palëve.

“Andaj, dialogu i Brukselit duhet të përfundoj sa më shpejtë që Kosova dhe Serbia të bëhen pjesë e BE-së në një afat kohor optimal. Kosova nëse arrin që në bashkërendim me Qeverinë amerikane, Gjermanin, Francën dhe Britaninë e madhe t’i qaset seriozisht kësaj faze do arrij te dal suksesshëm në përmbylljen e shtetndertimit final, sepse dialogu i Brukseli tashme ka krijuar ndikimet e saja në shumë sfera të jetës edhe në vend”, ka thënë Raci.

Kancelari gjerman sot takon Kurtin dhe Vuçiqin

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, sot do të pres në takime kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq. Zyra e Shtypit dhe Informacionit e Qeverisë Federale gjermane ka njoftuar se në këto takime fokusi i diskutimit të përbashkët do të jetë koordinimi i mëtejshëm mbi luftën dhe agresioni rus kundër Ukrainës, si dhe për çështjet dypalëshe dhe rajonale.

Kurse, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj, ku do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka ftuar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në vizita të posaçme bilaterale në Berlin, më 4 maj. Me ftesë të kancelarit Scholz, edhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj për t’u takuar së pari me kancelarin, e pastaj edhe në një takim joformal me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Radion Evropa e Lirë.

BE-ja prej kohesh ka bërë përpjekje për një takim të ri në mes të kryeministri Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq, por deri e tani nuk ka pasur sukses.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për herë të parë janë takuar më 15 qershor të vitit 2021 në Bruksel.

Ndërsa, takimin e dytë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi mes tyre ka ndodhur më 7 korrik 2021.

Javën e kaluar, ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen seriozisht në dialogun e Brukselit.

“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo gjatë një konference për medie në Prishtinë.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se dialogu teknik për çështjen e targave të automjeteve do të vazhdojë më 13 maj.

Pas dështimit të raundit të fundit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për targat, kryenegociatorët e të dyja vendeve kanë bërë me dije se do të vazhdojë të mbetet në fuqi marrëveshja e përkohshme, e cila parasheh vendosjen e letrave ngjitëse mbi simbolet shtetërore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera