Lajme

Nisin takimet në Bruksel për targat

Autori: Gazeta inFokus 14:31 | 21 April 2022

Në Bruksel ka nisur takimi midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave.

Fillimisht Bislimi do të mbajë takim vetëm me Lajçakun dhe më pas në takim do të bashkohen edhe anëtarët e tjerë të delegacionit të Kosovës.

Më herët gjatë 21 prillit, Lajçak zhvilloi takime me delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviq.

-Advertisement-

Ende nuk dihet nëse do të ketë një takim trilateral, pra një takim ku të tre do të jenë bashkë, kjo do të ishte një tregues se palët po i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe se arritja e një marrëveshjeje për këtë çështje është e mundur.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët evropianë paralajmëruan nevojën e arritjes së një marrëveshjeje.

“Ne vazhdojmë t’ua kujtojmë se është urgjente të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kjo do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis. Nuk mund të presim sepse disa nga çështjet kërkojnë veprim urgjent nga ana jonë”, tha Elsa Fenet, shefe e divizionit të Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.

Nga burimet në BE më herët thanë se për çështjen e targave janë identifikuar disa ide, por palët e kanë përgjegjësinë që të pajtohen për njërën prej këtyre zgjidhjeve.

Lajçak, më 20 prill porositi se u takon kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë “një marrëveshje për të lëvizur përpara” sa i përket çështjes së targave, kur të takohen më 21 prill.

Ai tha përmes një postimi në Twitter se ekspertët e Kosovës dhe Serbisë më 20 prill kanë mbajtur në Bruksel takimin e fundit të grupeve punuese.

“Me punën e tyre, ata kanë përgatitur diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër [e enjte, 21 prill]. Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara”, shkroi Lajçak në Twitter./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Risi në foleja.com! Prej 49.99€ bleni dyshekët Nouve Blanc dhe përfitoni transportin falas me DHL
-Advertisement-

Të tjera