Bredhja nëpër spitale të huaja për të kërkuar shërim
Autori: Gazeta inFokus 17:18 | 13 April 2022
Që nga 14 shkurti i këtij viti, Safet Bytyçi nga fshati Nishor i Suharekës – komunë në pjesën jugore të Kosovës – është duke e trajtuar vajzën e tij në një spital të Shkupit në Maqedoni të Veriut.
Vajza e Safetit, Melisa, 18 vjeçe, u rrëzua nga kati i pestë i një objekti të lartë, më 24 janar, duke pësuar lëndime të rënda trupore, përfshirë thyerje të gjymtyrëve.
Një javë ishte në gjendje kome dhe kreu disa intervenime në Prishtinë, por, siç tregon babai i saj, pas tri javësh trajtimi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kolegji i mjekëve i tha se intervenimet e mëtejshme nuk mund të bëhen në këtë institucion.
“Na thanë: duhet ta dërgoni urgjentisht [në trajtim jashtë vendit] sepse ne nuk mund t’i bëjmë më asgjë”, citon Safeti fjalët e mjekëve të QKUK-së.
Ai dhe bashkëshortja e tij janë të papunë, por përmes një thirrjeje publike, thonë se kanë arritur t’i grumbullojnë 15 mijë euro për shërimin e vajzës.
“Më vjen shumë mirë që ka njerëz të mirë që më kanë ndihmuar. Ta them të drejtën, ndryshe do ta kisha pasur shumë problem”, thotë Safeti për Radion Evropa e Lirë.
Deri më tani, ai thotë se fatura e mjekimit të Melisës ka shkuar në 25 mijë euro, por ata kanë arritur të paguajnë vetëm 15 mijë. Të tjerat shpresojnë se do t’ua mbulojë shteti i Kosovës, përkatësisht Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Safeti thotë se, aktualisht, janë duke kompletuar dokumentacionin e nevojshëm për sigurimin e fondeve, që përfshin rekomandimin e QKUK-së dhe konstatime të tjera të kolegjit të mjekëve në këtë institucion.
Mijëra pacientë trajtohen jashtë çdo vit
Si familja Bytyçi që kërkon shërim jashtë vendit, janë edhe mijëra familje të tjera në Kosovë.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Kosovës bën të ditur se numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike të Kosovës në vitin 2021, ka qenë 1,124, ndërsa shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara ka shkuar në gati 10 milionë euro.
Deri më tash në vitin 2022, sipas Fondit, janë shpenzuar 1.7 milion euro për shërimin e pacientëve jashtë institucioneve publike të Kosovës.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucion publik i sigurimit shëndetësor dhe, siç thuhet në ueb-faqen e tij, ai siguron “grumbullimin efikas dhe transparent të mjeteve financiare për sigurimin shëndetësor të obligueshëm”.
Sipas legjislacionit në fuqi, gjithsecili qytetar i Kosovës gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri në 30,000 euro për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.
Ndihma ofrohet përmes programit të Ministrisë së Shëndetësisë: Trajtimi Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJISHP).
Marrëveshja e vetme ajo me Turqinë
Edhe pse janë mijëra pacientë nga Kosova që kërkojnë trajtim jashtë vendit, institucionet e Kosovës kanë vetëm një marrëveshje për këtë qëllim – atë me Ministrinë e Shëndetësisë të Turqisë.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, nga viti 2010, çdo vit, 100 pacientë nga Kosova mund të trajtohen falas në institucionet shëndetësore publike të Turqisë.
Mungesën e marrëveshjeve të tjera e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe vetë Ministria e Shëndetësisë (MSH) e Kosovës.
“MSH-ja nuk ka marrëveshje me spitale publike [përveç asaj me Ministrinë e Shëndetësisë të Turqisë] apo private, sepse sipas Udhëzimit Administrativ me të cilin funksionon Programi TMJISHP, qytetari/pacienti është ai që vetë përzgjedh institucionin ku do ta marrë mjekimin, derisa Fondi paguan faturën me çmim më të arsyeshëm: 70% për personat mbi 18 vjeç [deri në 30,000 euro shuma maksimale] dhe 100% për fëmijë [deri në 30,000 euro]”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Shuma deri në 30,000 euro ndahet për periudhën deri në një vit. Qytetari apo pacienti ka të drejtë të aplikojë sërish pas një viti, varësisht sëmundjes dhe nevojave.
Në raste të veçanta, sipas legjislacionit në fuqi, Qeveria e Kosovës ka të drejtë që të marrë vendim të ndajë shuma mbi 30 mijë euro për trajtim të pacientëve jashtë vendit.
Besim Kodra, nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve, thotë se institucionet duhet të sigurojnë marrëveshje, sidomos me ato spitale dhe shtete që frekuentohen më shumë nga pacientët kosovarë.
Kjo, sipas tij, do të ulte koston e trajtimeve dhe do të fuqizonte kontrollin e shpenzimit të mjeteve të Fondit.
“Mungesa e marrëveshjeve ka bërë që çmimet shumë herë të ngrihen. Do të thotë, këto që i financon Fondi, dallojnë prej atyre që financohen privatisht nga pacientët”, thotë Kodra.
Sipas tij, pacientët nga Kosova, në mungesë të këtyre marrëveshjeve, përballen me trajtim të dobët dhe me pasiguri të tjera në spitalet jashtë vendit.
“Nuk garantohet siguri e pacientëve gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore në ato institucione. Do të thotë, askush nuk i jep përgjegjësi pacientit kosovar nëse i ndodh ndonjë problem atje. Kemi pasur ankesa që kosovarët janë keqtrajtuar nëpër institucione shëndetësore dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi për dëmtimin që i ka ndodhur pacientit”, thotë Kodra, pa dhënë më shumë detaje.
Por, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se pacientët janë të lirë ta zgjedhin vetë institucionin ku duan të trajtohen, në mënyrë që të mos krijohen keqkuptime.
“As Fondi [për Sigurime Shëndetësore] dhe as Ministria [e Shëndetësisë] nuk ndikojnë te pacientët se në cilin spital duhet të shkojnë, sepse, pastaj, do të kishte keqkuptime dhe interpretime të gabuara rreth programit”, thonë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Përveç trajtimit në institucione shëndetësore jashtë vendit, qytetarët e Kosovës për një sërë sëmundjesh që nuk kanë trajtim në QKUK, mund të kërkojnë shërim edhe në institucionet private shëndetësore në Kosovë.
Pacientët që vendosin të trajtohen në spitalet private në Kosovë, kanë po ashtu të drejtë të kërkojnë mbështetje financiare nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Klinikat që referojnë më së shumti pacientë jashtë vendit
Pjesa më e madhe e shërbimeve shëndetësore, sipas institucioneve, ofrohen në Kosovë. Mirëpo, ka edhe sëmundje të tilla apo intervenime më të komplikuara, për të cilat në Kosovë nuk ka staf të kualifikuar e as pajisje teknike.
Sipas të dhënave të Fondit për Sigurime Shëndetësore, klinikat që referojnë më së shumti pacientë për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë: Ortopedia, Pediatria, Oftalmologjia, Hematologjia, Neurokirurgjia dhe Urologjia.
Ndërkaq, sa u përket sëmundjeve që kërkojnë ndihmë financiare për shërim jashtë vendit, më të shpeshta janë: sëmundjet malinje, si leukemia, sëmundjet e kardiokirurgjisë së fëmijëve dhe rastet ortopedike.
Vendet ku më së shumti kosovarët kërkojnë trajtim jashtë Kosovës janë: Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Turqia e Gjermania.
Pa sigurime shëndetësore
Qytetarët e Kosovës nuk kanë sigurime shëndetësore, ndonëse në vitin 2007 është miratuar ligji për këtë çështje, por asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi shefi i atëhershëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk e ka nënshkruar atë ligj.
Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, qeveritë e Kosovës kanë bërë disa përpjekje për materializimin e tij, por pa sukses.
Disa qytetarë të Kosovës janë të siguruar përmes kompanive private, të cilat ofrojnë sigurime shëndetësore.
Në institucionet shëndetësore të Kosovës ka vazhdimisht edhe ankesa për mungesë të barnave nga lista esenciale, si dhe të materialeve shpenzuese.
Në bazë të disa të dhënave të publikuara nga Oda e Farmacistëve e Kosovës në vitin 2020, qytetarët e Kosovës paguajnë 10 milionë euro në vit barna më shtrenjtë sesa qytetarët e vendeve të rajonit, për shkak të mungesës së unifikimit të çmimeve.
Viteve të fundit, Kosova është duke u përballur edhe me largimin e mjekëve, për shkak të, siç thuhet, pagave të ulëta dhe kushteve jo të mira në punë.
Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës nga janari e deri më 1 tetor të vitit 2021, nga Kosova janë larguar 140 mjekë, kryesisht të rinj.
Të tjera
-
Ish- kryediplomati i reagon Presidentit malazez që nuk tregoi për takimin me Vjosa Osmanin
Ish-Kryediplomati malazez Miodrag Vlahovic i ka reaguar Presidentit të vendit...
-
Konjufca uron Kurban Bajramin: Uroj që në shpirtin e secilit të frymojë mirësia e përkujdesja
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka uruar festën e Kurban Bajramit. Ai...
-
Abdixhiku poston fotografi me familje: Nga familja jonë, tek e juaja, me fat Bajramin!
Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka postuar një fotografi me bashkëshorten...
-
Hamza uron të ketë më tepër harmoni e solidaritet: Të punojmë bashkë për progres e prosperitet
Hamza uron të ketë më tepër harmoni e solidaritet: Të punojmë bashkë për prog...
-
Deri në 10 vjet pritje për të zgjidhur një lëndë në Gjykata, shqetësuese po shihet vetëgjyqësia shkaku i vonesave
Tetë deri në dhjetë vjet, i duhet një qytetari të presë nëse dëshiron që çësh...
-
Robertson: Ne i dhamë Kosovës lirinë e saj, dhe duhet t’i sigurojmë për këtë
Sekretari i Mbrojtjes në Britani të Madhe gjatë luftës në Kosovë, George Robe...
-
Martesat e gjinisë së njëjtë: “Ata që s’pajtohen të ballafaqohen me veten”
Miratimi i Kodit Civil, pjesë e të cilit është edhe martesa mes gjinisë së nj...
-
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë uron Kurban Bajramin
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka uruar festën e Kurban Bajrami...
-
Famullari katolik Don Agim Qerkini viziton myftiun Tërnava, thotë se shqiptarët janë dëshmi e tolerancës dhe mirëqenies
Në Bashkësinë Islame të Kosovës, për festën e Kurban Bajramit,ishte i pranish...
-
Kurti rrëfen te Myftiu: Një herë e mbaj mend, shumë moti është kjo, nuk di sa vjet i kam pasë, ndoshta 4-5…
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar sot në selinë e BIK’ut, ku u p...
-
Liderët botërorë shpresojnë të arrijnë pajtim për ta dënuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia
Dhjetëra liderë botërorë të mbledhur në Zvicër shpresojnë se do të arrijnë pa...
-
Hovenier: Urimet më të ngrohta me rastin e Kurban Bajramit
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka uruar besimtarët për Kurb...