Lajme

Komisioni për buxhet përgjysmon kompensimet për deputetët

Autori: Gazeta inFokus 12:08 | 23 March 2022

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar propozimin e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetëve.

Në Komision është propozuar që vendimi i datës 10 tetor 2011 të ndryshohet si vijon:
Për shpenzimet ditore të deputetëve ndahen 5 euro në ditë për pjesëmarrje në seanca plenare dhe mbledhje të komisionit;

Kompensimi për shpenzimet e udhëtimit për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe komisione, caktojë si vijon: deri në 30 km 5 euro, deri në 60 km 10 euro dhe mbi 60 km 15 euro.

-Advertisement-

Shpenzimet maksimale që një deputeti mund t’i mbulohen brenda një muaji janë 150 euro.

Deputetët duhet të deklarojnë vendbanimin primar dhe sekondar nëse kanë, në Administratën e Kuvendit, ndërsa lista e deputetëve që udhëtojnë dërgohen nga kryetarët e Grupeve Parlamentare në administratën e Kuvendit.

Kryetari i Komisionit Armend Muja tha se Propozim i GP të VV-së është i arsyeshëm, dhe ka një tavan të shpenzimeve deri në 150 euro.

Përveç deputetëve të pozitës pro këtij vendimi ishin deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti, dhe deputetja Duda Balje.

Kurse në votim nuk morën pjesë deputeti nga PDK, Mërgim Lushtaku dhe deputeti nga AAK, Pal Lekaj, raporton Kp.

Madje deputeti Pal Lekaj propozoi heqjen e të gjitha shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve.

Ky propozim do t’i dërgohet edhe kryetari të Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, deri tani kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve është bërë në bazë të vendimit të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr. 04-V-079, të datës 10 tetor 2011, i nxjerrë në bazë të nenit 20 të Ligjit nr. 03/L-111 për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit.

Deputeti kompensohet për shpenzimet e udhëtimit si në vijim: deri në 30 km – 10 euro, deri në 60 km – 20 euro dhe mbi 60 km – 30 euro, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione.

Kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit nuk nënkupton shpenzimet për derivate, por për të gjitha mënyrat e udhëtimit. /Telegrafi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera