Lajme

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve që sulmuan policët në një qebaptore në Fushë Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 14:45 | 11 January 2022

Mungesa e tre avokatëve, Mentor Beqiri, Vjosa Beqiri dhe Marigona Lajqi ka pamundësuar që të mbahet seanca e së martës në rastin ku Sh, F, G, B dhe A.K po akuzohen se sulmuan dhe penguan zyrtarët policorë në detyrë.

Ata akuzohen se në nëntor të 2020-ës në një qebaptore në Fushë Kosovë teksa zyrtarët policorë po shqiptonin tiketa të trafikut para lokalit të tyre, të akuzuarit që janë pronarë të kësaj qebaptore kanë sulmuar dhe penguar policët, tani të dëmtuarit N.G dhe E.R.

Lidhur me mungesën e mbrojtësit së të akuzuarit F.K, avokatit Mentor Beqiri gjykatësi Sabit Sadikaj deklaroi se i njëjti për mungesën e tij ka dërguar një parashtrese.

-Advertisement-

Ndërsa, për mungesën e avokates Marigona Lajqi i mbrojturi i saj G.K tha se të njëjtën e ka njoftuar përmes telefonit dhe sipas tij, e njëjta kishte thënë se nuk ka pranuar ndonjë ftesë për seancë gjë për të cilën gjykatësi Sadikaj tha se do të vërtetohet.

“Në mëngjes e thirra, mtha s’kom pas ftesë, jom nis për një seancë në Pejë, se ka mungu edhe herën e kalume” tha i akuzuari.

Kurse, lidhur me mungesën e avokates Vjosa Beqiri i mbrojturi i saj A.K deklaroi se i njëjta sipas tij, kishte parashtruar një kërkesë mirëpo për këtë gjykatësi Sadikaj tha se gjykata ende nuk ka pranuar një të tillë e kjo do të verifikohet në administratë.

Tutje, gjykatësi Sadikaj i ka njoftuar të akuzuarit se vepra për të cilën ata akuzohen mbrojtja nuk është e detyrueshme mirëpo tre të akuzuarit F,G, A,K di nuk u pajtuan që gjykimi të vazhdojë pa pranin e mbrojtëse të tyre.

Po ashtu në këtë seancë ka munguar edhe dëshmitari G.N për të cilin gjykatësi Sadikaj ka thënë se i njëjti ka qenë i ftuar me proces verbal, mirëpo mungesën e tij, nuk e ka arsyetuar.

E për të gjykatësi Sadikaj tha se do të lëshohet urdhëresë për sjelle me detyrim.

Pasi që nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance, e radhës u caktua më 14 shkurt 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar në janar të vitit 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sh, F, G, B dhe A.K po akuzohen se më 3 nëntor të vitit 2020, derisa të dëmtuarit N.G dhe E.R që janë zyrtarë policorë, ishin në kryerjen e detyrave zyrtare në rrugën “Rruga e Pejës”, në Fushë Kosovë afër rrethit, gjegjësisht qebaptores “G.”, kanë vërejtur parking të parregullt të veturës e cila drejtohej nga I.H dhe i kanë shqiptuar një tiketë trafiku dhe i kanë kërkuar të largohet.

Aktakuza thotë, se kur zyrtarët policorë Grajqevci dhe Rexhepi janë nisur në drejtim të veturës zyrtare, me atë rast të pandehurit Fatmir, Blend, Ardit, Granit dhe Shaban Kelmendi që janë pronarë të qebaptores “Graniti” kanë dalë para lokalit dhe të gjithë në bashkëkryerje fillimisht i kanë fyer dhe kërcënuar policët.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ata më pas me mjete të forta kanë filluar që t’i sulmojnë policët duke i goditur me shufër metalike në regjionin e kokës dhe tërë trupit. Me këtë rast atyre u kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit kanë tentuar që t’ia marrin armën dhe pajisjet e tjera zyrtare, mirëpo me qëllim që të largojë sulmin nga të pandehurit, i dëmtuari Grajqevci në kuadër të autorizimeve të veta ka shtënë me armën zyrtare, e nga kjo e shtënë thuhet se lëndime të lehta ka pësuar kalimtari i rastit Ardian Grajqevci.

Me këtë, Shaban, Fatmir, Granit, Blend dhe Ardit Kelmendi po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402, paragrafi 4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Shaban Kelmendi akuzohet se në kohë, datë dhe vend të njëjtë si në dispozitën e parë të kësaj aktakuze, derisa sa zyrtarët policorë, tani të dëmtuarit ishin duke i prangosur Fatmir dhe Blend Kelmendin, i njëjti është afruar me forcë dha ka tentuar të pengojë personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

E për këtë, Shaban Kelmendi akuzohet edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 401, paragrafi 5 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera