Lajme

Kurti e pret në zyre kreun e sindikatave

Autori: Gazeta inFokus 13:27 | 17 December 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykollin.

Në njoftimin e Kryeministrisë bëhet e ditur se në këtë takim është diskutuar mbi bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet Qeverisë dhe BSPK-së për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe në atë privat.

“Kryeministri Kurti tha se ai mbetet i përkushtuar në fuqizimin e të drejtave të punëtorëve dhe respektimit të plotë të Ligjit të Punës nëpërmjet rritjes së kapaciteteve inspektuese. Ai po ashtu tha se qeveria është partneri kryesor social për mbrojtjen, realizimin dhe avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së punëtoreve. Në takim u bisedua edhe për Ligjin e Pagave dhe pagën minimale”, thuhet në njoftim.

-Advertisement-

Tutje, bëhet e ditur se Kurti ka deklaruar se sa i përket Ligjit të Pagave, qëllimi primar i tij do të jetë të krijojë transparencë dhe barazi në sektorin publik.

“Sa i përket Ligjit të Pagave, kryeministri Kurti tha se qëllimi primar i tij do të jetë që të krijojë transparencë dhe barazi në sektorin publik, për dallim nga ai paraprak, që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, që përveç se ishte ligj i dobët ishte edhe i dëmshëm duke qenë se ishte diskriminues dhe krijonte pabarazi. Ne tani po punojmë intensivisht në hartimin e ligjit të ri që do të ofrojë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të sistemit të pagave në sektorin publik. Duke e trajtuar me thellësinë dhe kujdesin e nevojshëm, e duke mos u nxituar, ne po tregojmë përgjegjësinë tonë në trajtimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm që ka munguar për tash e 22 vjet”, thuhet të ketë thënë Kurti.

Sipas njoftimit, Kurti ka deklaruar se paga minimale do të ngritët në 250 euro.

“Në lidhje me pagën minimale, ai tha se gjatë mandatit të tij, sikurse është zotuar para qytetarëve dhe miratuar në programin qeverisës, ajo do të ngritet në 250 euro. Kjo, e sidomos kërkesat për rritje pagash, duhen ta konsiderojnë që përveç rritjes ekonomike nevojitet edhe rritje e produktivitetit përbrenda rritjes ekonomike që përjeton vendi i ynë. Përgjatë takimit u bisedua edhe për çështje tjera që për synim kanë ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe për formë kanë bashkëpunimin e sinqertë dhe korrekt ndërmjet Qeverisë dhe BSPK-së”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Ndryshe, sindikatat i patën dhënë afat Qeverisë që deri në fund të muajit mars, Ligji për Pagat të shkojë për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera