Lajme

Kurti: S’ka asociacion mbi baza etnike në Kosovë, “Open Balkan” duhet ta ketë brenda edhe BE-në

Autori: Gazeta inFokus 12:14 | 07 November 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me Kushtetutën e Kosovës nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike.

Në një intervistë për “Deutsche welle”, Kurti ka thënë se Serbia synon të bëjë të njëjtën gjë në Kosovë, siç është në Bosnje, pra të ketë një shtet që nuk do të quhet republikë por Asociacion.

“Nuk mund të ketë me Kushtetutën e Kosovës asociacion mbi baza etnike. Kjo është bërë në Dejton ku është ndërtuar një ngrehinë që sot quhet Republika Serbe dhe e cila është aty për Beogradin dhe jo për serbët. Ngjashëm po e dëshirojnë edhe në Kosovë. Shikoni në Bosnje dhe Hercegovinë kemi një shtet që nuk është republikë, e brenda e ka një republikë që nuk është shtet. Pra, Beogradi dëshiron ngjashëm edhe në Kosovë që të ketë një shtet që nuk do të quhet republikë por Asociacion dhe kjo të jetë brenda Kosovës që quhet Republikë por nuk do të jetë shtet. Pra në kemi nxjerrë mësime nga e kaluara dhe e kemi studiuar dhe analizuar saktë Beogradin përveç se e njohim mirë nga përvoja jonë”, u shpreh Kurti.

-Advertisement-

Gjatë kësaj interviste Kurti ka folur edhe për iniciativën e “Open Balkan”, ku ka thënë se për tu bërë Ballkani i Hapur dhe i lirë duhet që fillimisht të ndryshojë Serbia.

“Ka një dallim themelor në këtë situatë meqenëse Serbia e pranon Shqipërinë si shtet, por nuk e pranon Kosovën dhe ky mospranim i Kosovës nga ana e Serbisë kthehet në diskriminim gjithandej për qytetarët tanë. Pra ndërsa një qytetar i Shqipërisë mund të udhëtojë me pasaportë në Serbi, kjo nuk vlen për një qytetar të Kosovës meqenëse neve nuk na pranohen dokumentet tona në Serbi. Pra, për t’u bërë Ballkani i hapur dhe i lirë duhet të ndryshojë njëherë Serbia. Nëse ne bashkëpunojmë me një Serbi, e cila nuk po ndryshon, kjo nuk do ta ndihmojë ndryshimin e Serbisë, përkundrazi inkurajimin e saj”, tha Kurti.

Intervista e plotë:

Zoti Kurti, ju keni disa muaj në qeveri si kryeministër i Kosovës me një mandat të fituar me mbi 50% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti. Sa ja keni dalë që të përmbushni përgjegjësitë tuaja karshi gjithë asaj mbështetjeje që keni marrë. Opozita ju kritikon vazhdimisht për mospërmbushje të premtimeve.

Kurti:Unë besoj që kemi qenë të suksesshëm gjatë këtyre tetë muajve të qeverisjes sonë, kemi fituar një mandat të qartë dhe tre kandidatët në listën tonë zgjedhore të shkurtit, sot drejtojnë tri institucionet kryesore të vendit, por edhe kam një kabinet ministrash shumë të përgatitur mirë, të edukuar dhe profesionistë të aftë, ndërsa në anën tjetër njihen si qytetarë të përgjegjshëm në shoqëri, njerëz që janë të pakorruptueshëm. Gjatë këtyre tetë muajve ne kemi arritur të luftojmë korrupsionin si asnjë qeveri më parë. Kemi pasur 437 operacione policore, kemi bërë 746 bastisje dhe kemi shkatërruar 31 grupe kriminale dhe kemi përgatitur projekt-dokumentin për vettingun në drejtësi në mënyrë që gjyqësori dhe prokuroria jonë të bëhen me integritet dhe të jenë eficiente dhe shumë aktive. Në anën tjetër kemi arritje ekonomike shumë të mira. Rritja ekonomike në vitin 2021 sipas Bankës Qendrore do të jetë së paku 9.9 përqind të produktit vendor bruto dhe me këtë rast vlen të theksohet se eksporti është rritur me 68 përqind, ndërsa administrata tatimore ka rritur të ardhura prej 34 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Na kritikuan që po krahasohemi me vitin 2019 me pandeminë, ndonëse edhe ky është vit i pandemisë, të hyrat tatimore krahasuar me vitin 2019 janë 21 përqind më të larta gjithnjë pa i ndryshuar politikat fiskale. Buxheti për vitin 2022 do të jetë mbi 2.7 miliard euro apo 8.7 përqind më i lartë sesa rishikimi i tij në mesvit dhe mbi të gjitha jemi të lumtur për menaxhimin e mirë të pandemisë. E kemi gjetur me zero vaksina, zero kontrata për vaksina, ndërkaq sot që po flasim i kemi përdorur 1.6 milion doza vaksine.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit nuk arritët nivel të kënaqshëm votash, sikurse prisnit, e keni thënë edhe vetë edhe këtë. Çfarë ndodhi, pse kjo rënie në nivel të përgjithshëm të votave, ndonëse po flasim për zgjedhje lokale?

Kurti: Së pari besoj se ka një dallim të madh ndërmjet zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare dhe duket që tek zgjedhjet lokale ne jemi një raund zgjedhjesh prapa zgjedhjeve parlamentare. Kur kemi hyrë në institucionet e Kosovës si një organizatë civile politike siҫ ishim, ne këtë e bëmë së pari në parlament dhe nëse e shikoni rezultatin e zgjedhjeve, kjo i përngjan Vetëvendosjes së vitit 2019 dhe nuk e kemi Vetëvendosjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Jemi të parët në nivel republike edhe në këto zgjedhje mirëpo, kemi pritur që të jemi në më shumë komuna në balotazh, jemi në 12 sosh, por këto janë tejet të rëndësishme dhe shpresojmë e urojmë më të mirën për balotazhin e së dieles.

Vendosja e reciprocitetit në targat e veturave solli një situatë të tensionuar në raport me Serbinë, në veri pati bllokada rrugësh nga serbët lokalë, bllokim të pikave kufitare me Serbinë. Dërgimi i njësisë speciale atje u kritikua nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrel, por jo nga vendet e QUINT. Kishte edhe një aksion të policisë antikontrabandë në veri. Partitë opozitare thanë se aksioni ishte për të fituar politikisht pikë para zgjedhjeve. Tani kur aty situata është e qetë, si i gjykoni këto veprime në veri?

Kurti: Besoj që kemi vepruar ashtu siҫ na ka kërkuar kushtetuta e vendit dhe ligjet në fuqi. Me datë 15 shtator ka skaduar marrëveshja dhe ne kemi vendosur për reciprocitet jo për inat të ndokujt ose për t’u hakmarrë ndaj dikujt, por besojmë se ishte një obligim i yni dhe një e drejtë e qytetarit. Për më shumë se 10 vite kur qytetarët tanë dëshirojnë të shkojnë në Serbi, detyrohen të paguajnë pesë euro dhe të vendosin targa të përkohshme të Serbisë, ndërkohë që kjo nuk vlente kur automjetet nga Serbia hynin në Kosovë. Ne ndërmorëm këtë masë reciprociteti dhe filluam ta zbatojmë atë, por menjëherë filluan dhe u bllokuan rrugët nga pjesëtarë të strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë dhe ne u detyruam ta dërgojmë njësinë speciale për t’i mbrojtur policitë tanë kufitarë, meqenëse bllokimi ishte jo i zakonshëm ishte me maune dhe buldozer. Kur kësaj i shtojmë faktin që u dogj qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok, ndërkaq, për fat të mirë nuk eksploduan granatat e dorës, atëherë është e qartë se bëhet fjalë për sulm të organizuar mbi institucionet e vendit tonë. Kur ministri i Mbrojtjes së Serbisë së bashku me ambasadorin rus në Beograd u shfaqën në pikën kufitare në Jarinje me ҫ’rats po inspektonin grumbullimin e forcave ushtarake të Serbisë ku kishte edhe automjete të blinduara, ndërkaq sipër tyre e ngritën aeroplanin ushtarak Mig-29 që e kishin marrë nga federate ruse, me siguri që tensionet u ngritën shumë, por jo për shkak tonin. Ata dëshironin të na frikësonin, të na kërcënonin por ne nuk u zmbrapsem dhe në fund gjithçka përfundoi në Bruksel dhe sot jam i lumtur që kemi masën e reciprocitetit në targa. Pra ne e konsiderojmë veten të pavarur, Serbia nuk na njeh, por ajo nuk mund të kërkojë prej nesh që ne të mos njohim veten tonë. Ne dëshirojmë që mos të kemi fare barriera, por përderisa Serbia insiston tek ato, do të na duhet edhe neve të përgjigjemi në bazë të ligjit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera