Sport

Ademi, Gravina, Duka e Sejdini dakordohen për bashkëpunim të ngushtë

Autori: Gazeta inFokus 23:11 | 11 March 2021

Presidenti Agim Ademi së bashku me homologët e tij nga Italia dhe Maqedonia e Veriut, Gabriele Gravina e Muamed Sejdini si dhe me nikoqirin, Armand Duka kanë vizituar gjatë ditës së sotme “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.

Me këtë rast, ata, u njohën nga afër me investimet e kryera deri më tani nga FSHF-ja dhe për ecurinë e këtij projekti. Po ashtu, krerët e futbollit nga të katër vendet kanë vizituar edhe punimet për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 2019-s në Shqipëri, e të cilat janë duke u finalizuar edhe falë donacioneve që kanë dhënë këto federata, administratat e tyre, si dhe stafi e lojtarët e ekipeve Kombëtare të tyre. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka i falënderoi të tre homologët për këtë vizitë dhe për humanizmin dhe solidaritetin e treguar pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

-Advertisement-

Gjatë qëndrimit në Tiranë katër krerët e federatave përkatëse u dakorduan për bashkëpunime në shumë sfera dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta, veçmas tek kategoritë e reja, ku në të ardhmen do të zhvillohen turne të përbashkëta, të cilat do të ndihmojnë progresin tek futbollistët e rinj.
Po ashtu, presidenti Ademi diskutoi me presidentin Gravina edhe mundësinë e zhvillimit të ndeshjes miqësore me Italinë, kurdo kur këtë e mundësojnë datat e lira të UEFA-s e FIFA-s.

Krerët e futbollit nga të katër vendet gjatë qëndrimit në Tiranë treguan afërsi dhe marrëdhënie shoqërore, ashtu siç janë edhe vendet respektive afër njëra – tjetrës, e kjo afërsi me presidentin Gravina bëhet më e madhe duke pasur parasysh edhe numrin e madh të futbollistëve shqiptarë që luajnë në Itali.

Në fund të vizitës së përbashkët në Tiranë, katër presidentët shkëmbyen fanellat e Kombëtareve në shenjë simbolike për miqësinë e tyre dhe të vendeve respektive.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera