Edi Reja: Shqipëria është gati, rivalë si Anglia na motivojnë
Autori: Gazeta inFokus 17:51 | 05 January 2021
Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbolli, Edoardo Reja ka deklaruar se shpreson shumë që lojtarët kuqezi të jenë në formë të mirë në muajin mars, kur nisin edhe eliminatoret e Botërorit 2022. Shorti i vendosi Shqipërinë në Grupin I së bashku me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon, teksa kuqezinjtë e nisin këtë aventurë më 25 mars në transfertën e Andorras.
Duke folur për emisionin “Pressing” në televizionin “ABC”, trajneri italian analizoi situatën e lojtarëve kryesorë të ekipit kuqezi dhe objektivat e tij deri në mars, teksa shpreson që gjendja të përmirësohet deri në startin e eliminatoreve.
Gjithashtu, Reja foli edhe për cilësinë e kampionatit shqiptar, talenteve të reja që dalin nga Kategoria Superiore, por edhe objektivat kuqezi në të ardhmen.
Situata e lojtarëve – “Pritshmëritë janë të shumta këtë vit për ekipin tonë, sepse me këtë nisje të eliminatoreve të Botërorit ka shumë entuziazëm, ndonëse jemi në një grup me Anglinë, Poloninë dhe Hungarinë. Unë po shpresoja të ishim në grupin e Kroacisë, ku do të kishim më shumë, por shorti na dha këtë rezultat. Gjithsesi pres që skuadra të rritet. Uroj shumë që lojtarët, në mënyrë të veçantë Strakosha e Berisha, që nuk po luajnë, Hysaj, që nuk po gjen hapësirë në formacion, Kumbulla që nisi mirë dhe tashmë nuk e ka më këtë situatë, pra lojtarët që unë i cilësoj si vendimtarë të mund të luajnë vazhdimisht që të jenë në formë për muajin mars.
Sidoqoftë, është ende herët të flasim sepse jemi në ditët e para të janarit, por uroj që nga tani e deri në mars këta lojtarë nëse nuk luajnë si titullarë, të paktën të rrisin prezencën e tyre të fushë, të marrin minuta më shumë.
Kush luan natyrisht që do të arrijë në formën më të mirë. Gjimshiti për shembull luan gjithmonë, madje luan tre ndeshje në javë dhe ka arritur në atë pikë maturie sa nuk lodhet fare dhe unë e them që luan me cigare në gojë, në aspektin metaforik. Është përmirësuar shumë kohët e fundit dhe të luash në Champions League, natyrisht që ke rritje në kondicionin fizik dhe teknik dhe bën paraqitje të mira.
Shpresoj që të gjithë të tjerët të luajnë dhe kjo është një çështje që në fakt më tremb shumë aktualisht. Abrashi ka fare pak minuta, e hedhin në fushë në minutat e fundit, Ismajli te Spezia s’ka aktivizim, përjashto javën e kaluar, ku luajti vetëm 20 minuta. Shpresoj shumë që të marrin minutat për marsin, sepse ky është një aspekt thelbësor për ne”.
Prurjet e reja – “Natyrisht kemi kaluar edhe në planin B, pasi kishte disa arsye, pandemia e Covid-19, klubet që nuk na i lejonin lojtarët, apo edhe dëmtimet e kështu kam qenë i detyruar të hedh në fushë lojtarë të rinj dhe kam marrë ‘feed-back’ shumë të mirë prej tyre.
I kam grumbulluar dhe janë përgjigjur në stërvitje dhe ndeshje në mënyrë të shkëlqyer të themi. Sepse ku u nisëm për dy transfertat ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë një lloj ankthi e stepje e kishim për shkak të elementit të ri. Madje, edhe në ndeshjen ndaj Bjellorusisë ku ne fituam kishim debutues.
Kur kemi të bëjmë me një lojtar të ri, i cili e ka ndeshjen e parë me kombëtaren, ka vend për shumë diskutime. Sidoqoftë morëm përgjigje të mira. Personalisht jam shumë i kënaqur nga këta të rinj, dhe mendoj që ata do të kenë një të ardhme të mirë. Doka, Kallaku e Broja kanë dhënë përgjigje tepër pozitive në fushë. Kështu që kemi në dispozicion lojtarë që nga tani dhe në Botëror e Europian mund t’i japin një shtysë të mirë ekipit”.
Cilësia e kampionatit shqiptar – “Më vjen keq për Ismajlgecin, të cilin e grumbullova e më pas u dëmtua. Sepse nëse nuk do të ishte dëmtuar, sigurisht që do të luante ndaj Kosovës, por kishte mundësi shumë të mira, nisur nga mungesat që kisha që të luante titullar edhe ndaj Bjellorusisë. Unë i shoh të tërë, por më bën përshtypje diçka dhe kam arritur në një konstatim: Si ka mundësi që lojtarët kampionatit shqiptar, si Doka që ikën jashtë Shqipërie dhe luan mirë. Më tej të njëjtën gjë bëjnë Kallaku, Çokaj, Uzuni, Mersinaj, të cilët po bëjnë paraqitje të mira. Kam dilemë dhe një pikëpyetje të madhe në këtë drejtim. Nuk di çfarë ndodh në Shqipëri, që nuk merren në konsideratë të tillë lojtarë? Apo nuk vijnë në formën e tyre më të mirë.
Sipas meje duhet të ngrihen strukturat në klube, por kam parë edhe fushat, që lënë për të dëshiruar në aspektin e kondicionit të terreneve. Gjithashtu, duhet të nisim të ndryshojmë mbi të gjitha mentalitetin dhe strukturat. Duhet t’i risim mirë lojtarët, që të kuptojnë se çfarë do të thotë të luash futboll edhe në aspektin taktik. Më vjen një pikëpyetje madhe rreth kampionatit në Shqipëri që mendoj që nuk është kompetitiv në veçanti.
Ndryshimi i mentalitetit – “Nuk di shkaqet, sepse sapo lojtarët ikin prej kampionatit shqiptar bëhen menjëherë lojtarë të mirë kudo që shkojnë. Të paktën kjo është ajo që ka ndodhur në vitet e fundit. Nuk e di sa e vërtetë mund të jetë ky konstatim i imi.
Nuk mundem në këtë pikë të fajësoj trajnerët. Aspak. Kam njohur trajnerë në Shqipëri që janë shumë të mirë. Por në përgjithësi, është një mentalitet që duhet ndryshuar me shpejtësi. Ndërkaq, ndiej keqardhje për këtë situatë bllokuese nga Covid-19, pasi kisha marrë angazhim të vija më shpesh në Shqipëri për të folur me klubet, me lojtarët, me drejtuesit. Kemi ndërmarrë dhe një iniciativë të re, sepse Febbrari ka organizuar një kurs për përgatitësit atletik, Stesina po shqyrton edhe mundësitë e trajnimit të mjekëve sportivë. Shqipëria duhet të rritet, sepse sipas meje ka lojtarë të mirë dhe aty, por lojtarëve u duhet dhënë mundësia dhe instrumenti përkatës për rritjen e gjithsecilit, por në terma të përgjithshme flas, pasi kjo s’ka të bëjë me pjesën e trajnerit. Mentaliteti duhet ndryshuar sipas meje”.
Synimi i eliminatoreve – “Anglia dihet që është e fortë, sikundër edhe Polonia me lojtarë tepër cilësorë, apo edhe Hungaria është po ashtu një nga skuadrat e momentit për formën që ka. Por më pëlqen që të përballem me këta rivalë, sepse janë skuadra, si Anglia në veçanti, që stimulojnë maksimalisht skuadrën e kështu ndaj tyre do të shohim nëse jemi rritur apo jo. Janë ndeshje tepër kompetitive, skuadra shumë të forta, por nëse arrijmë të bëjmë paraqitje të mira dhe mbase fitojmë ndeshje me rivalë të tillë, atëherë do të thotë që kemi rritje në planin personal dhe profesional. Kjo do të konfirmonte rritjen e Kombëtares shqiptare. Një vit të mbarë të gjithëve! Shpresojmë që Federata të rritet, që futbolli në vend të rritet dhe mbi të gjitha ekipi kombëtar të rritet dhe të përballet në mënyrë kompetitive me të tilla skuadra që ka në grup”.
Të tjera
-
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet nëse KQZ-ja do të vazhdojë ta shkel ligjin
Lista Serbe ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka a...
-
Aksidenti në rrugën Pejë-Prishtinë, 22 persona marrin trajtim mjekësor në QKUK
Të pakën 22 persona kanë mbetur të lënduar pasi një autobus ka përfunduar jas...
-
Haradinaj rrëfen momente të vështira nga Haga: Thaçin nuk e kam pa kurrë ashtu, ju tha gjithçka
Ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka rrëfyer momentet e vështira...
-
Memli Krasniqi do të udhëheqë shtabin zgjedhor të PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi do të udhëheqë pers...
-
Kelmendi e quan Muratin ‘ministër lazadran’: Poshtërsia s’paska kufinj, ky popull s’e duron talljen dhe fyerjen e dinjitetit
Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar pas postimit të ministrit Hekuran Murat...
-
Reagon Lista Srpska: KQZ të veprojë sipas vendimit të PZAP për të na certifikuar
Lista Srpska ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kanë ...
-
Haradinaj për Krishtlindje viziton Pal Lekajn dhe ish-bashkëluftëtarin, Nik Hiseni
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se për Krishtlindje ka vizituar...
-
Ankesat e qytetarëve për ndërprerje të rrymës, Rizvanolli thotë se po ndodh për shkak të mbingarkesës së sistemit
Disa zona të Kosovës ditëve të fundit kanë mbetur për orë të tëra pa energji ...
-
Tre të lënduar nga aksidenti në magjistralen Pejë-Prishtinë, të përfshirë një autobus dhe një makinë
Zyra për media e Drejtorisë Rajonale e Policisë në Pejë kanë konfirmuar se në...
-
Reduktimet me rrymë, Syla: Dejona dhe Martin, meqë ka rrymë në veri, a po paguhet ajo?
Sekretari organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, ka r...
-
Pamje të rënda | Publikohen pamje të pasagjerëve pak minuta para rrëzimit të avionit në Kazakistan
Një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale ka zbuluar momentet e fundit të...
-
Mbesin pa ujë dy fshatra të Vushtrrisë
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se fshatrat Bajskë d...